Trajanovski: Komisioni për gjuhën shqipe do të mblidhet pas pushimeve

Komisioni për interpretimin e zbrazëtirave ligjore mbi përdorimin e gjuhës shqipe në kryeqytet do të presë përfundimin e pushimeve të verës që të nisë punën. Koce Trajanovski thotë se tani është verë dhe se komisioni, vështirë se do të mblidhet.

“Ju them se është verë. Komisioni vetë do t’i përcaktojë mbledhjet. Pra kjo varet nga ajo se kur mund të mblidhen”, deklaroi Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Kohë më parë, Koce Trajanovski theksoi se Komisioni do të mblidhet pas formimit të qeverisë. Ndërkaq, gati një muaj më parë, Trajanovski përsëri u arsyetua duke thënë se Komisioni nuk mund të mblidhet për shkak se disa prej anëtarëve janë me pushime.

“Komisioni është formuar, u mblodh njëherë para zgjedhjeve, njëherë pas zgjedhjeve. Duhej të mblidhej këto ditë, por duke pasur parasysh se disa anëtarë nuk janë këtu, janë me pushime, mbledhja e komisionit do të vijë pas kompletimit të anëtarëve. Qëllimi është që komisioni të mblidhet sa më shpejtë, dhe sa më shpejtë të jep mendimin e saj”, tha Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Komisioni i formuar duhet të zgjidhë çështjen e keqinterpretimit të ligjeve që rregullojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Mospërdorimin e gjuhës shqipe, Qyteti i Shkupit e ka arsyetuar deri tani me kundërthëniet mes Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjit për Qytetin e Shkupit, edhe pse çështja e gjuhës është rregulluar qartë në amendamentin e 5-të të Kushtetutës

Lajme të ngjashme

Back to top button