Shkupi edhe me dokumente kthehet në Çair

Më në fund kanë marrë fund të gjitha punët administrative të FC Shkupi, skuadër kjo e cila për tu rikthyer në Ligën e Dytë, kishte bërë shkrirje me KF Korzo nga Prilepi. Edhe pse klubi sezonin e fundit futbollistik e ka luajtur me emrin zyrtar FC Shkupi, adresa në regjistrin qendror të republikës së Maqedonisë edhe më tutje ka figuruar në Prilep. Por premtime e kryesisë së Shkupit që në prezantimin e parë të klubit me emër të ri, ishin se skuadra shumë shpejtë do të kthehet në folenë e saj.

Pikërisht këtë lajmë e ka konfirmuar vetë kryetari i klubit, z.Ejup Ademi, i cili ka thënë se tani më gjithçka do të jetë më lehtë për klubin dhe për regjistrimin e futbollistëve.

“Atë që e kishim paralajmëruar në fillim kur edhe e morëm të udhëheqim klubin, tani më edhe është realizuar. Me 16 korrik klubi ka ndërruar selinë dhe tani është me adresë të përhershme në rr. Kemajl Sejfulla në Shkup – lagjen Çair, aty edhe ku e ka pasur vendin më parë”, ka thënë Ademi.

Skuadra e Shkupit tanë do të jetë më anëtare e Lidhjes Futbollistike Komunale të Shkupit. Sigurisht se në kthimin e Shkupit në Çair kanë ndihmuar shumë njerëz, për të cilët kryetari Ademi ka shprehur falënderim.

“Së pari do të falënderoj bashkëpunëtorët e mi, ata të cilët edhe ndihmuan më së shumti në kthimin e Shkupit në Çair, gjithashtu edhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), e cila pozitivisht ju përgjigj kërkesës sonë. Ne si klub kemi kryer të gjitha obligimet në afatet e caktuara, ndaj dhashtë Zoti që Shkupi asnjëherë më të mos ketë këso probleme”, ka përfunduar kryetari i FC Shkupit, z.Ejup Ademi.

Tani kryesia e klubit menjëherë do të bëjë dhe regjistrimin e futbollistëve në adresë të re dhe e qetë do ta pretë fillimin e sezonit të ri futbollistik, ku ka paralajmëruar kreun e tabelës për kthim sa më të shpejtë në Ligën e Parë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button