NË VARDAR TË SITNICËS DHE IBRIT

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

            Sa ta kalojë treni Kaçanikun dhe të shpërthejë gjelbërimi i drithnajave dhe livadheve nëpër Kosovë, do të gjendet ndonjë bashkudhëtar të flasë për atë që e dinë të gjithë prej moti. Po megjithatë rrëfimi s’ju lë të qetë dhe ju duket se po e dëgjoni për herë të parë. “Ai i shihni ata dy drurë të vetmuar në atë kodrinë kah Ferizaj? Aty Vukashini e ka vrarë Uroshin (Legjenda të trilluara aty për aty. Shën. i përkth.). Kurse atje është fshati Zaskok… Aty kralica Jelenë ka kërcyer nga Nerodimja, kur i kanë sjellë lajmin e zi për vdekjen e djalit të vetëm. Këtu kanë qenë shtëpitë e verimit të Nemanjiçve. Atje pas atij shpati të Sharrit janë gërmadhat e një qyteti, pastaj një liqen, pastaj mbeturina e një hurdhe peshqish. Pastaj vijnë malet ku fisnikët kanë bërë gjueti. Në luginë ka ende pisha të mbjella në ato kohë. Pastaj kisha, themele, gërmadha. Aty me siguri ka ende para të arta e të argjendta dhe shpata të thyera”…

Dhe ju dëgjoni  dhe ju merr gjumi me legjenda dhe me mbeturinat e famës së lashtë. Dhe ju kujtohet. Këtu është zhvilluar drama e dashurisë midis motrës së car Dushanit dhe një bujari të imët. A mos ka qenë Vojinoviçi? A mos janë Milosh Vojinoviçi dhe Milosh Obiliçi i njëjti njeri? Se arnautët thonë se Miloshi ka qenë djalë i paligjshëm i motrës së carit (Në traditën gojore shqiptare është ruajtur kujtesa për Milosh Kopilin. Shën. i përkth.). Ka jetuar në fshatin Kopiliç të Drenicës. Ja edhe sot është ai fshat. E atëherë gjesti i Kosovës do të ishte vepër e një Nemanjiçi. Vështirë është të supozosh se një plebejas ka mundur t’i prijë kalorësisë. Dhe, prej nga gjithë ai guxim që ai të çojë krye kundër Vuk Brankoviçit, të cilit knez Lazari ia ngre gotën për dolli në bazë “të bujarisë”? Ndoshta Nemanjiçi i fundit nga ana femërore për shkak të tragjedisë së tij familjare ka qenë i nxitur të dalë në ballë të të gjithë kalorësve. Drenicën e sundonte Vuku, kurse Miloshi e kishte të qartë se atij si fisnik i gjakut mbretëror ia kishin marrë atë anë. Nëse është ashtu, atëherë populli e ka përjetësuar dy herë: edhe në këngën “Martesa e Dushanit” edhe në epin e Kosovës.

Ndërsa treni kalon pranë Graçanicës, pranë varrit të bajraktarit, pranë Gazi Mestanit, Tyrbes së Muratit, Goleshit, Mezxhitit, Babin Mostit. Në kokë ju gumëzhin vazhdimisht: “Cili ishte ai trim i mirë”?… Dhe shihni yzengji lara-lara, pendla palloi, përkrenare me tufa… Pastaj kaloni nëpër Çemer Qupri dhe e vështroni Zveçanin, e kur dilni nga treni në stacionin e Mitrovicës brenda jush ende këndojnë ata telat e moçëm: “Nga Sazlia te Çemer Qupria, nga Çeçani te Zveçani”…

Dhe derisa jeni kështu në një disponim mallëngjyes mirë është të shkoni në hotelin e ri, të cilin e ka ngritur pranë Naçellstvës së Qarkut avokati “Shila”. Shtretërit i ka të rinj dhe çarçafët të pastër. Hotelieri Dobrivoja është i sjellshëm dhe mikpritës. Pijet kokteje janë të ftohta. Do t’ju vijë mirë, po ashtu, nëse Avram Popoviçi, drejtor i gjimnazit në pension, u tregon se çfarë ka zbuluar ditëve të fundit nga kërkimet e tij arkeologjike. Atë, natyrisht, askush nuk e ndihmon dhe çfarë do që bën, e bën me punën e tij fizike dhe shpirtërore. Ai i zbuloi rrëzë kodrinës së parë nën Zveçan themelet e kishës Shën Dhimitri. Atë e përmend kral Milutini në krisobulë kur po e ndërtonte manastirin e Banjës.

– A ka diç të re te ju, zotëri Avram?

– Ka, ka. Po s’është e thënë ende që të dihet gjithçka.

– Nuk i kërkoj unë të gjitha, po ato kryesoret… Ajo që mund të botohet.

– E kam zbuluar ku gjendet zhupa e harruar mesjetare, Jelashci. Atë e përmend kral Milutini në krisobulën shënstefaniane. Nga kjo zhupë ia jep manastirit të Banjës muratorët e Dragës dhe krejt katundin Jeliç. Përndryshe manastirit me këtë rast i janë dhënë 75 fshatra, 100 barrë kripë, tetë katunde vllehësh1. të cilat ishin pranë fshatit Barilevë, e deri te Madeni i Thatë në Kopaonik. Jiriçeku, kur është fjala për zbulimin e Zhupës, na orienton te Jelakci në komunën e Borçanit. Po kjo nuk është zhupa e vërtetë e Jelashcit, me fshatrat Jeliç dhe Dragë dhe me të gjitha emërtimet që janë edhe sot në popull ashtu si kanë qenë nën kral Milutinin.

– Nuk gërmoni tash gjë?

– Nuk gërmoj. Duhet pak kredi. Fare pak. Dikur aty kanë qenë dy kisha. Në njërën Stefan Nemanja ka mbajtur një gdhimë para se të nisej në Pantimë ku i mundi grekët.. Kishën e Shën Dhimitrit duhet kërkuar. Ndoshta do të kishte mundur të gjendet diçka. Pastaj Trepçën, qytetin e madh mesjetar, duhet zbuluar prej dheut. Duke shkuar pas saj e gjejmë kishën e Stari Tërgut, rrënojat e së cilës i kanë pastruar pakëz ushtarët më nëntë qind e dymbëdhjetën. Stari Tërgu përmendet nën kral Milutinin. Këtu është burimi i ujit që ka hekur. E pastaj…

– A e gjete atë minatorin? dëgjohet një pyetje që i drejtohet tavolinës fqinje dhe ngjashëm me komandën ushtarake. Ata dy xhandarët të presin në dalje të qytezës! Karabinin tim qiteni në qerre! A dolën të gjithë shkruesit ne naçellnikun e rrethit në rrugë?

Ishte naçallniku i qarkut Petar Kunoviçi i cili jepte urdhra dhe bëhej gati të nisej për udhë, të cilën pranë Ibrit e ndërtonte me forcën e popullit. Mbrëmë kishte bujtur në Rrezallë, kishte ardhur ta nënshkruajë postën dhe prapë shkonte atje.

Trasa është kjo: Mitrovicë – Fushë e Radiçit – Bregu i Madh – Rrezallë – Ilixhet e Tabalisë – Mojstir – Ribariç – Rozhajë – Beran (të gjitha këto vendbanime shqiptarësh. Shën i përkth.).  Kjo është lidhja e vetme midis detit tonë dhe Malit të Zi nga njëra anë dhe lugina e Moravës dhe e Vardarit nga ana tjetër. Trasën e tregon rrjedha e Ibrit, kah ka kaluar edhe udha e moçme romake. Me të lidhen visi blegtoral malor me Kosovën dhe Anamoravën. Kur të bëhet kjo  do të ketë mundësi që për një ditë të arrihet me automobila nga Mitrovica në Kotorr. Po të kishte qenë në vitin nëntëqind e pesëmbëdhjetë me rastin e tërheqjes sonë nuk do të kishim bërë varre pranë Pejës me trenat dhe me almiset tona të rënda luftarake.

Puna u ndërpre disa ditë për shkak të protestës së z. Milan Topaloviçit, deputetit të popullit nga Vushtrria. (Njeriu është zgjedhur me besimin e popullit e tash i mbron zgjedhësit prej angarisë). Mirëpo shpejt doli në shesh se vendimin për ndërtimin e udhës me krahun punues të popullit e kishte marrë Këshilli i qarkut. Dhe, puna vazhdoi. Gjerësia e udhës shtatë metra. Ka duhje (mbëhi, nevojë) që shteti të ndihmojë për thyerjen e shkëmbinjve me punëtorë profesionalë dhe me dhënien e  mbikëqyrësve për punë. Trasa është shënuar në mënyrë aproksimative, po mjaft mirë.

– Domethënë do të shkruash çka punoj? më pyet naçallniku. Shkruaj, po pa emër: “ndërtohet e ngrihet”. Se po ta përmendësh emrin tim, të tjerët do të thonë – lavdërohet. Fundja punoj dhe lavdërohem. Pra: po i ngre tetë stacione të xhandarmerisë. Pra llogaria për secilin del në 300.000 dinarë, kurse mua secili do të më dalë 35-50.000. I bëj pesëmbëdhjetë karakollë xhandarmerie udhëve të ndryshme, e më së shumti udhës Mitrovicë – Pejë. E bëj një karakoll në Malin Çiçavicë. E ngre në Skenderaj, në Drenicë naçellstvon e rrethit me 35 njësi për të gjitha shërbimet dhe për personelin.

– Prit pak të merremi vesh. A është e gjithë kjo që po e tregon në projekt, apo tash po e bën?

– Po e bëj, vëlla.

– Mirë. Pastaj.

– I ndërtoj shtatëmbëdhjetë shkolla fillore në qark, prej të cilave shtatë në Drenicë: në Çitakovë, në Polac, në Obri, në Prekaz, Rudnik, Skenderaj… Po e bëj kishën në Skenderaj: një pjesë me angari (punojnë vetëm serbët), kurse pjesën tjetër e bën Lidhja e bashkësive agrare. E bëj udhën Vushtrri-Drenicë t’i lidh këto dy rrethe krejtësisht të ndara. E kemi themeluar Këshillin për ngritjen e përmendoreve në Mitrovicë për serbët e varur gjatë okupacionit. Këshilli tjetër u themelua për përtërirjen e Samodrezhës2.

– “Në Kosovë kisha”?

– Po, ti atje shënoje siç është në këngën popullore. Këshilli mbledh kontribute nga besimtarët e krishterë. Kontributet mund të dërgohen përmes naçellstvos së qarkut në Mitrovicë. Dhe, eja, pashë Zotin, një herë tjetër të të shëtis me automobil pak. Ta shohësh Kollashinin (Në kohën e autorit – vendbanim shqiptar. Shën. i përkth.). Çfarë Zvicre, vëlla! Po ku mbet ky minatori?

Dhe shkoi me ngut. Kurse vëllai më thotë:

A të thashë se ai do të mbetet si naçallniku më i mirë. Fundja naçallnikët nuk vijnë këtu ta ligjërojnë filologjinë krahasimtare…

në maj të vitit 1925


 

1Katundet janë vendbanime blegtorësh shqiptarë e vlleh

2Thuajse të gjitha kishat në Kosovë janë ndërtuar nga themelet e vjetra të kishave bizantine për të cilat nuk ka dëshmi të mjaftueshme


LEXO PJESËN PARAPRAKE: POP ANGJELKOJA DHE MEHMET DELIJA – HARAMBASHI I DRENICËS

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button