Shkëndija me një gol e mundi Kozhufin

Një gol i vetëm i kapitenit Artim Pollozhani ka qenë vendimtar në fitoren minimale 1:0 të Shkëndijës në përballjen e djeshme kontrolluese përballë anëtarit të Ligës së Dytë të Maqedonisë, KF Kozhuf-Miravci.

Futbollistët ‘kuqezi’ zhvilluan një lojë mesatare në të cilën u ndjenë shenja dëshprimi nga eliminimi nga kualifikimet e Liga Evropës, megjithëse Shkëndija dominoi në terren, krjioi më shumë raste shënimi, ndërsa përballë kishte një rival që mendonte vetëm për mbrojtje dhe orientohej me shumë futbollistë në pjesën e vet.

Trajneri Roy Ferençina ndeshjen e nisi me formacion të kombinuar, ndërsa në një lojë që la shumë për të dëshiruar spikatën Zeba që ndërtonte lojën dhe Berisha që komandonte sigurtë në mbrojtje. Kanosjen e parë Shkëndija e solli në minutën e 7-të kur Zeba pasoi në krahë për Krleskin, ndërsa tentimi i Urdinovit ndalet nga portieri kundërshtar Talevski. Në minutën e 13-të Krleski tentoi me goditje jashta zonës, mirëpo pa problem pret Talevski.

Momenti vendimtar i ndeshjes ndodhi në minutën e 31-të kur Zeba harkon nga një goditje dënimi, ndërsa Pollozhani me kokë godet saktë për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Në minutën e 33-të Zeba nis aksion të ri, pason për mrekulli drejt Mitrovit goditja e të cilit ndalet në traversë.

Në pjesën e dytë Ferençina bëri disa zëvendësime në formacion, mirëpo megjithë dominimin e Shkëndijës loja nuk pësoi ndonjë ngritje të madhe.

Në minutën e 54 ‘kuqezinjtë’ zhvilluan aksion të bukur me Zhuniorin që pasoi drejt Berishës, ndërsa asistin e mbrojtësit nuk e shfrytëzoi Fazliu goditja e të cilit u ndal nga portieri mysafir. Në anën tjetër Sulev doli para portës së Shkëndijës, mirëpo Velii pret pa problem goditjen e tij.

Deri në fund të ndeshjes Shkëndija dominoi dhe luante vazhdimisht në pjesën e kundërshtarit që mbrohej me të gjithë forcat, mirëpo disa gjysmëraste nuk sollën ndryshim dhe në fund takimi përfundoi me rezultat minimal 1:0 në të mirë të Shkëndijës. Pas ndeshjes stafi teknik u ka dhënë futbollistëve 4 ditë të lira, kështu që skuadra rrikthehet në seancat stërvitore më 22 korrik (e martë).

Lajme të ngjashme

Back to top button