Miratohen raportet, Posta, pak shqiptar të punësuar

Deputetët në vazhdimin e sotëm të seancës së shtatë kuvendore e miratuan Raportin për rezultatet nga puna e Radiotelevizionit të Maqedonisë në vitin 2013 dhe raportet për punën e Agjencisë për Posta dhe Komisionit Shtetëror për Pengimin e Korrupsionit në vitin 2013.

Deputetja Roza Topuzovska-Karevska duke folur për raportin për MRTV-në theksoi se ky medium RTVM 77 për qind financohet me paratë e qytetarëve, ndërsa shikueshmëria është 8,37 për qind në pajtim, siç tha, me raportin e Këshillit për Radiodifuzion. Sipas saj, në RTVM në vitin 2013 u derdhën 936 milionë e 890 mijë denarë dhe 240 milionë denarë shtesë nga buxheti. Atëherë, theksoi, ky servis publik të jetë për qytetarët, të ofrojë debate, emisione nga kultura, ndërsa informacionet duhet të jenë të  besueshme, të mbështetura me fakte. Vlerëson se duhet të trasmetohen qëndrimet e të gjitha partive politike.

Raporti për punën e Agjencisë për Posta e elaboroi drejtori Vllatko Atanasovski, i cili theksoi se aktivitetet kanë qenë të fokusuara në nxitjen e konkurrencës së tregut, përmirësim të qasshmërisë së instrumenteve për mbrojtjen e të drejtave të shfrytëzuesve, monitorim dhe analizë të marrëdhënieve tregtare dhe strukturën tregtare dhe vëllimin e qarkullimit postar në Republikën e Maqedonisë. Pastaj për analizim të kushteve për liberalizim të plotë të tregut postar dhe konfirmim të masave të domosdoshme të cilat do ta lehtësonin procesin e liberalizimit.

Deputeti i BDI-së Rafiz Aliti theksoi se në raportin për Agjencinë për Posta janë përfshirë të dhëna për kompetenca dhe organet, rregullimin e tregut të shërbimeve postare, monitorimin, bashkëpunimin ndërkombëtar, të dhënat financiare dhe realizimin e planit për vitin 2013, por, nënvizoi, nuk janë dhënë të dhënat e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Sipas tij, mungon edhe e dhëna se çfarë për qind merr pjesë çdo operator postar në të ardhurat e përgjithshme të agjencisë. Aliti kërkoi që të ngrihet iniciativë në të ardhmen të intervenohet në Ligjin për shërbime postare dhe të rritet kontrolli për tregti ilegale postare dhe tregti jashtëligjore për shërbime universale postare.

Lajme të ngjashme

Back to top button