Nuri Seferi: Nuk ndalem, protestoj

“Nuk e kam ndërmend të ndalem. Do të jem përkrah popullit tim sa herë që e kërkon nevoja”. Kështu thotë për “Lajm” krenaria e boksit shqiptar, “Tajsoni nga Gostivari” Nuri Seferi, duke folur lidhur me pjesëmarrjen e tij në protestat e ditës së premte. “Unë nuk kam dalë në protestë as për të përkrahur, e as për të kundërshtuar ndonjë parti politike. Unë kam qenë pjesë e një revolte popullore për një problem që i shqetëson shqiptarët anembanë botës, e jo vetëm shqiptarët në Maqedoni. Rreth 20 vjet kam vepruar dhe kontribuar për kombin tim jashtë Maqedonisë dhe nuk kam se si të jem në shërbim të ndonjë partie politike. Turp për ata. E kanë koritë veten, sepse mua nuk më luhatin në qëllimin që të vazhdoj ti kontribuoj kombit tim kudo që e kërkon nevoja”, thotë Seferi.

Edhe pse ka angazhime të shumta, dhe vazhdimisht gjendet në udhëtime zyrtare, Seferi premton se do të bëjë maksimumin që edhe këtë të premte të jetë krah për krah me bashkëkombësit e tij në Shkup.

“Kësmet, me Zotin para edhe të premten do të vij në Shkup që të jem pjesë e protestës. Do të qëndroj krah për krah popullit tim. Nga kombi im, shqiptarët në përgjithësi ka reagime shumë pozitive për pjesëmarrjen time në këto protesta. Ndoshta ka individë që ju pengon angazhimi im për çështjen kombëtare, por ky është problemi i tyre”, thekson Seferi.

Lajme të ngjashme

Back to top button