Ku mbetën librat e rinj?

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në muajin qershor i dorëzuan tekstet shkollore, por ende nuk dihet se gjatë vitit të ardhshëm shkollor a do të pajisen me libra të rinj apo do të vazhdojnë me tekstet e vjetra të cilat tani më janë të shkatërruar.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ende nuk japin informacion se a do të bëhet ndërrimi, mirëpo shkollat ende nuk kanë marrë asnjë informacion edhe pse viti i ri shkollor është afruar.

Drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur për Portalb se deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga MASH për këtë çështje.

“Deri më tani nuk jemi informuar se do të bëhet ndryshimi i teksteve shkollore. Më herët na thanë se do të ndryshojnë vetëm librat për klasën e parë të dytë dhe të tretë, por nuk ma merr mendja që do të ndryshojnë sepse po të ishte ashtu deri më tash do të kishim ndonjë informacion”, tha Sadiku.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës, Etem Xheladini thotë për Portalb, se shkollat shqipe në Kumanovë dhe Likovë kanë marrë njoftim se nuk do të bëhet ndryshimi i teksteve.

“MASH na ka informuar se nuk do të ndryshojnë librat, as në përmbajtje e as në kualitet. Me ato që kemi punuar tani më 5 vite do të punojmë sërish, gjë që është për tu ardhur keq. Jemi ankuar në këtë institucion por nuk na kanë marrë parasysh dhe nuk e di se si do ja bëjmë, lëre që përmbajtja e teksteve është skandaloze, por edhe gjendja e tyre është e mjerueshme”, tha Xheladini.

Ai shtoi se gjithashtu problem paraqitet edhe për klasën e nëntë, nxënësit e të cilës nuk kanë asnjë libër dhe asnjë material mësimor prej nga do të ndjekin mësimin, sistemi i ri vazhdon me tekstet e vjetra.
Ndërkaq kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta kohë më parë për Portalb theksoi se zgjidhja nuk është tek përkthimi i teksteve nga vendet e huaja, por te unifikimi i tyre.

“Suksesi i ministrit shqiptarë varet se a do të realizohet platforma e premtuar partiake për fushën e arsimit. Megjithatë theks i veçantë duhet t’i kushtohet unifikimit të teksteve shkollore me Shqipërinë që të mos ketë më probleme me mungesën e librave profesional”, tha për Portalb, Dardhishta.

Kurse prindërit vazhdojnë të ankohen se ata janë që paguajnë librat “falas” të MASH-it, dhe shpresojnë që këtë vit do të gjegjet një kualitet me i mirë i teksteve dhe se nuk do të kenë më nevojë që t’i paguajnë dëmet që nuk i kanë krijuar fëmijët e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button