Të rinjtë shqiptar nuk janë terrorist, me protesta kërkojmë drejtësi

Duke marrë shkas nga ngjarjet e javëve të fundit në Republikën e Maqedonisë, ku shqiptarët janë përballur me dhunën dhe terrorin e ekstremisteve shqiptarofob maqedonas dhe te autoriteteve policore të këtij vendi.

Jemi mbledhur sot rreth Simboleve të unitetit Kombëtar, të përkrahur nga Oborri Mbretërorë, për të dënuar dhunën ndaj protestuesve paqësor dhe për të shprehur mbështetjen tone të plotë për rininë shqiptarë në Maqedoni.

Të rinjtë shqiptarë protestojnë sepse duan që shteti ku jetojnë të ketë drejtësi të pavarur, pa paragjykime etnike dhe fetare që nuk i diskriminon ata me vendimet e saj. Të rinjtë shqiptarë protestojnë kundër bllokimit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, që synon paqen dhe barazinë ligjore të qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Ata protestojnë kundër akteve të njëpasnjëshme ligjore dhe joligjore të qeverisë që diskriminojnë shqiptarët. Protestojnë kundër politikave demografike shqiptarofobe të kësaj qeverie.

Këta të rinj nuk janë huliganët, terroristët, Alqaedasit e trumbetuar nga qeveria maqedonase por përkundrazi, kalorës guximtar të lirisë, demokracisë, barazisë dhe euro-atlantizmit!

Protestat në Maqedoni janë reagim i ligjshëm ndaj albanofobisë në rritje në këtë vend po aq sa janë dhe pasojë e keqqeverisjes dhe mungesës së përfaqësimit të zërit rinor nga partitë politike shqiptare.

Ne jemi të bindur se fryma rinore nuk do të shuhet, nuk mund blihet dhe nuk do të tjetërsohet deri në përmbushjen e kërkesave dhe synimeve të ligjshme, njerëzore, demokratike për liri, barazi, përparim dhe dinjitet.

Përshëndesim me respekt, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë në Maqedoni,  organizatorët dhe të gjithë ata qytetarë dhe intelektualë të cilët i kanë dalë në krah protestave dhe i ftojmë miqësisht të ruajnë karakterin e tyre paqësor dhe të shmangin çdo përpjekje që do të dëmtonte këtë shprehje qytetarie dhe dinjiteti kombëtar.

Gjithashtu Ju bëjmë me dije se në javët në vijim do të organizohet një konferencë e përbashkët e të gjitha grupimeve rinore aktive të cilat i kanë bërë dhe do të vazhdojnë ti bëjnë ballë çdo padrejtësie dhe arrogance institucional e ne Shqipëri, Kosove e Maqedoni!

Bejtulla Bushi, kryetar i Kryetari Parlamentit studentor në Shkup

Lajme të ngjashme

Back to top button