LIDERI

Shpesh dëgjoj dhe lexoj diçka që më len përshtypje, fjalën “lider” apo “lider i shqiptarëve” apo fjala jobarbare shqipe, “prijës” e “prijës i shqiptarëve”. Vetë ky fjalor i përdorur më bën të mendoj se demokracia është vetëm një iluzion për ne, shqiptarët. Duket se po jetojmë në një kohë të turbullt ku nuk i besohet askujt, dhe ia ke frikën gjithkujt. Politika është bërë tepër e rrezikshme duke lëvizur themelet e kombit tonë, duke shembur identitetin e të qenurit shqiptar, besën. Tanimë ky premtim i shenjtë i ka humbur rrënjët nëpër tenderat e pakët që po gllabërohen nga grushti i hekurt që po na e zbut kurrizin.

Komunizëm…asgjë më tepër, voto të të sundojnë, voto të të përndjekin, voto…e përsëri vazhdojmë të votojmë se pastaj duhet të kërkojmë azil ekonomik. Votoni dhe mos e hapni gojën se pastaj duhet të kërkoni azil politik… Situatë e pashpresë, e krijuar nga shkurtpamësia e shqiptarëve që nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë demokraci (në demokraci votohet më e mira nga të mirat, në komunizëm votohet e keqja më e pakët nga të këqijat). Por nuk kanë faj të shqipet e shkreta, faji është i Evropës, sllavëve, pra faji është jetim. Asnjë nuk e pranon fajin…përveç meje, unë pranoj se kam faj, unë pranoj se jam arsyeja përse jemi në këtë situatë, se unë nuk dal në mejdan të protestoj, se unë nuk dal në mejdan të dënoj të keqen që t’i jap rast të mirës, se unë as nuk do të dal se jam frikacak, se nëse dal aty pastaj do të më quajnë UDB-ash, tradhtar, i sëmurë në kokë, kundër BDI-së e kështu me radhë.

Më në fund do të më akuzojnë se i keqpërdor protestat qoftë për pikë politike apo për diçka tjetër. Me shqiptarët asnjëherë nuk ke të drejtë, përveç kur je “prijës”, atëherë nuk guxon njeri të të kundërshtojë derisa arrihet në pikën ku jemi ne sot. Atëherë edhe ai bëhet “tradhtar”. Kështu e ka komunizmi, del nga një kauzë kombëtare, e përfundon me kauzat e xhepit, si hinka… Dhe mos keni dyshim se ky cikël do të përfundojë ndonjëherë, si dhe le të shpresojmë se tani është ai moment, pra, të ta lejmë frikën anash, të dalim në mejdan që ta shohë bota se shqiptarët jetojnë për shqiptari dhe për besë.

E si përfundim, ndoshta do të mendoheni si të thyhet cikli i së keqes? Së pari pyeteni veten përse votoni? Pra, ju votoni për të zgjedhur prijës? Jo, të dashur shqiptar, bëni dallimin midis “prijësit” dhe “përfaqësuesit”. Prijësi është ai që nëse jo menjëherë, eventualisht do të humbë besën dhe do të fitojë tenderin, ndërsa përfaqësuesi është ai që besën e ka të çeliktë, përfaqëson vullnetin e popullit e jo të kllapës së vet dhe xhepit të vet, përfaqëson idenë dhe dëshirën e çdo shqiptari të thjeshtë “Shqipërinë e Vërtetë, Shqipërinë Historike, Shqipërinë Natyrale”. Ky është hapi i parë, hapat tjerë le ti vendosin intelektualët në politike, luftëtarët në luftë, çobanët në fushë, hajdutët në burg!

Shqiptar, dilni në protesta, dënoni të keqen, luftoni për të mirën, votoni të drejtën… dilni se unë nuk dal…

Pseudoshqiptarë, kritikoni, akuzoni, shpifni…

Zoti vonon por nuk harron…

P.S. ju shkruaj si anonim për shkak se pastaj duhet të kërkoj azil edhe ekonomik edhe politik…le të mbeten vetëm inicialet A.M

Lajme të ngjashme

Back to top button