Qeveria planifikon borxh të ri deri në 500 milion euro

Qeveria planifikon të lëshojë 500 milionë euro që është shuma maksimale e euro-obligacionit. Alsat, mësonse afati i pagesës së obligacionit do të jetë 10 vjeçar, varësisht nga kushtet e tregut, interesi dhe kërkesa e investitorëve. Por, kundërshtuese mbeten deklaratat e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ministrit të Financave Zoran Stavrevski për çështjen nëse paratë që do huazojë Maqedonia, do të shfrytëzohen për mbulimin e nevojave buxhetore për këtë vit, apo vetëm për vitin e ardhshëm.

“Ne në këtë moment nuk e kemi emergjente një gjë të tillë, sepse ri-financimi do të vinte vitin e ardhshëm në fillim, por, duke vlerësuar se kushtet në treg krahasuar me vitet e kaluara janë ideale, dhe ne nuk jemi edhe aq të bindur se në të ardhmen do të jenë më të mira – mundet edhe të përkeqësohen, nuk e di! Vlerësimi ishte se tani është momenti i vërtetë të bëhet një hap dhe të marrim financim me kushtet më të mira të mundshme, e kryesisht ri-financim të borxhit të mëparshëm”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Për dallim nga Gruevski, në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave të lëshuar para disa ditësh, thuhej se paratë nga ky euro-obligacion do të shpenzohen për financimin e nevojave buxhetore të këtij viti, si dhe vitit të ardhshëm. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti Qeveria harxhoi 73% nga deficiti i planifikuar buxhetor për këtë vit; pra 217 milionë euro nga 300 milionë eurot e projektuara. Pikërisht këto të dhëna ngrenë dilemën nëse do të jetë i nevojshëm rritja e deficitit dhe nëse euro-obligacioni lëshohet për mbulimin e deficitit të sivjetmë buxhetor. Viti i ardhshëm është jashtëzakonisht sfidues, Qeveria duhet të kthejë rreth 670 milionë euro, për shkak të kthimit të borxheve nga vitet e kaluara.

Lajme të ngjashme

Back to top button