Ivanov mban fshehtë emrat e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit

Presidenca nuk bën publike emrat e 3 anëtarëve të Këshillit të Sigurisë të cilët i emëron presidenti Gjorge Ivanov. Nga kabineti i Ivanovit thonë se 3 anëtarët e caktuar nga presidenti do të dihen vetëm kur të paraqiten në seancën konstitutive të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, transmeton Alsat M. Kabineti i presidentit nuk bën me dije gjithashtu nëse do të ketë përfaqësues shqiptarë në këtë Këshill, dhe si do të përzgjidheshin ata.  Tashmë dihet se BDI-ja nuk do të delegojë përfaqësues të saj jo vetëm në Këshillin e Sigurisë, por në asnjë organ tjetër nën kompetencë të presidentit, legjitimitetin e të cilit e konteston partia e Ahmetit.

Megjithatë Ivanov duhet domosdo të përfshijë edhe shqiptarë në Këshillin e Sigurimit. Kështu e obligon amendamenti i 13-të i Kushtetutës, i cili thotë se…

“Gjatë emërimit të tre anëtarëve (të Këshillit të Sigurimit), Presidenti do të sigurojë që përbërja e Këshillit, si tërësi, në mënyrë përkatëse ta pasqyrojë përbërjen e popullatës në Republikën e Maqedonisë”.

Këshilli numëron 8 anëtarë gjithsej, që do të thotë se Ivanov duhet të emërojë të paktën dy shqiptarë.

Alsat M njoftoi dje se presidenti Ivanov do të mbledh së shpejti Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 5 vitesh. Këtë e konfirmoi edhe kabineti i presidentit, edhe pse mohojnë që thirrja e Këshillit të Sigurimit të ketë lidhje me tensionet e fundit në vend. Këshilli i Sigurimit thirret zakonisht në kohë krizash, ose nëse presidenti vlerëson se ka të dhëna për paraqitje rreziku për stabilitetin dhe integritetin e shtetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button