Si u pasurua vajza e Sali Berishës?

Dokumente konfidenciale nga bankat tregojnë se si zyra ligjore nën pronësinë e vajzës me pushtet të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha u bë porta hyrëse për investitorë të mëdhenj të huaj që kërkonin licenca, leje dhe mbështetje politike nga babai i saj.

Nga negociatat komplekse me qeverinë e Shqipërisë mbi projekte energjetike prej më shumë se një miliard dollarësh te mosmarrëveshjet mes fqinjëve, juristët Malltezi & Kola qenë zyra ku duhej të drejtoheshe – nëse kishe para për t’i paguar.

Pak muaj pasi Sali Berisha u zgjodh kryeministër i Shqipërisë më 2005, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në shtëpi nga Prishtina duke lënë pas një punë të mirëpaguar në Misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, për të hapur një kompani ligjore në kryeqytetin Tiranë.

Duke krijuar një skuadër me një nga miqtë e saj dhe bashkëpunëtorët në UNMIK, Flutura Kola, ato ndërtuan tri kompani ligjore – Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë zyrën dhe një listë në rritje klientësh fitimprurës.

Brenda pak muajsh, ata u bënë avokatët ku shkonin multinacionalet që kërkonin të investonin në ekonominë në rritje të Shqipërisë.

Por ish klientë pretendojnë se ata punësuan Malltezin për lidhjet familjare dhe për të shmangur shantazhime të mundshme, jo thjesht për aftësitë e saj ligjore.

Malltezi i mohon të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se ajo kurrë nuk e përdori pozicionin e babait të saj për të përparuar në karrierën e vet.

Sipas dokumenteve të siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, njëra nga llogaritë e biznesit të Flutura Kolës për Kola & Associates, u kreditua me 350 mijë euro brenda vetëm dhjetë muajve në 2008. Ajo fitoi 250 mijë euro të tjera nga kontrata të tjera biznesi përmes një llogarie tjetër personale brenda tri viteve.

Shumë prej bizneseve morën leje dhe licenca nga qeveria, shpesh me firmën personale të Berishës, pasi patën punësuar Malltezi & Kola, megjithëse BIRN nuk ka prova që të tregojnë se lidhjet familjare të Malltezit patën ndonjë rol në këto vendime.

Dokumentet bankare u sekuestruan si pjesë e një hetimi për pastrim parash mbi mikun kontrovers të Berishës,biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç. Akuzat kundër tij u rrëzuan dhe Fazlliç vazhdon të deklarohet i pafajshëm.

Por një dosje me dokumente zbulon, për herë të parë, listën e gjatë të klientëve të profilit të lartë të Malltezit dhe Kolës dhe ka gjasa që ajo reflekton vetëm një pjesë të vogël të biznesit të tyre për shkak se vetëm dokumentet e Flutura Kolës dhe Kola & Associates u sekuestruan.

Nuk pati mbledhje të dokumenteve të lidhura me Malltezin, Malltezi & Kola dhe Malltezi & Associates, për shkak se një burim pranë hetimit i tha BIRN se prokurorët kishin frikë të shënjestronin vetë vajzën e kryeministrit.

‘Duar të pastra’

Berisha, më 2005, bëri fushatë të suksesshme elektorale nën sloganin ‘me duar të pastra’, duke premtuar se do të zhdukte korrupsionin e gjithëpërhapur në vend që kishte mallkuar institucionet e vendit që nga rënia e regjimit komunist më 1991.

Por qeverisja e tij si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013 u karakterizua më shumë nga skandale korruptive se sa nga ndershmëria.

Malltezi & Kola u përfshinë në disa nga aludimet – më e famshmja për rolin e firmës në skandalin Fazlliç – dhe Argita Malltezi u akuzua nga opozita se po vepronte si seksere e kryeministrit.

Berisha dhe familja e tij kanë mohuar gjithmonë akuzat dhe i kanë cilësuar ato si një fushatë shpifjeje nga Partia Socialiste, e cila në atë kohë ishte në opozitë. Malltezi ia doli të akuzojë me sukses dy deputetë për shpifje kur ato aluduan se ajo kishte abuzuar me pozicionin e babait të saj. Ajo refuzoi të intervistohej apo t’i përgjigjej pyetjeve nga BIRN.

Gjithsesi, pavarësisht vendimeve të gjyqit në favor të saj, akuzat pa dyshim që dëmtuan imazhin e Berishës, duke kontribuuar në disfatën e partisë së tij përballëasaj socialiste në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013.

Malltezi u pa gjerësisht si eminenca gri në qeverinë e babait të saj. Ajo përshkruhet si e tillë edhe nga memot e brendshme të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë në atë kohë, të cilat u publikuan nga faqja e internetit WikiLeaks.

Në një nga bisedat mes ambasadës dhe gazetarit Mero Baze, një ish-këshilltar i Berishës që u bë një nga kritikët e tij më të ashpër, ai pretendoi se “Berisha merr vendime pa u konsultuar me ministrat” dhe “dëgjon vetëm këshillat nga familja”, veçanërisht nga vajza e tij, Malltezi.

Sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve, kompanitë ligjore të Malltezit u krijuan më 19 dhjetor 2005, por filluan të marrin vëmendjen e medias një vit më vonë, kur ajo vullnetarisht deklaroi pasurinë e saj si vajza e kryeministrit.

Malltezi deklaroi se ajo kishte prona të patundshme dhe llogari bankare prej më shumë se 600 mijë euro, gjë që shkaktoi akuza për korrupsion nga opozita socialiste. Ajo hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se pasuria e saj qe frut i punës së mirëpaguar te UNMIK.

Debati i parë madhor mbi kompaninë e saj ligjore erdhi në tetor 2008 kur, pas disa raporteve në median shqiptare, zyra e prokurorisë filloi një hetim për pastrim parash kundër njërit prej klientëve më të rëndësishëm të zyrës ligjore – biznesmenit boshnjako-britanik Damir Fazliç, i cili pati punuar si një këshilltar zgjedhor për Berishën gjatë fushatës së tij të suksesshme të vitit 2005.

Hetimi kundër Fazlliçit zemëroi kryeministrin shqiptar, i cili e përshkroi atë si një “mik familjeje”

Hetimi zbuloi një rrjet kompanish mes Shqipërisë dhe Qipros të angazhuara në një seri transaksionesh të dyshimta transferimi pronash apo aksionesh të cilat qenë ndërmjetësuar nga Malltezi & Kola për Fazlliçin.

Por çështja kundër biznesmenit të njohur u rrëzua kur kërkesat për informacion nga Qipro dhe Bosnja mbetën pa përgjigje. Lëvizja u shoqërua me presion intensiv politik mbi zyrën e prokurorisë nga qeveria dhe Berisha.

Gjithsesi, prova të reja të zbuluara nga BIRN sugjerojnë se Malltezi dhe kolegia e saj avokate, Flutura Kola, mund të kenë fituar më shumë se një milionë euro nga shitja e një toke të pavlerë bujqësore në zonën e Porto Romanos në Shqipëri për klientin e tyre Fazlliç. Malltezi duket se nuk i ka deklaruar këto fitime te autoritetet, si pjesë e deklarimit të pasurisë së saj si vajza e kryeministrit.

Shpejt pas transaksioneve, kryeministri Berisha e përfshiu pronën e Fazlliç në Porto Romano në një park energjetik, duke i hapur rrugë rafinerive dhe termocentraleve, si dhe duke e rritur çmimin e tokës tetë herë gjatë viteve pasuese.

Në një intervistë ekskluzive me BIRN, Fazlliç argumentoi se nuk kishte asgjë ilegale në të bërit biznes me vajzën e kryeministrit, por ai pranoi se pozicioni i saj i fuqishëm nënkuptonte se ai “nuk do të shantazhohej kurrë”, gjë që, sipas tij, qe një problem me të cilin përballen biznesmenët e tjerë.

Klientë të profilit të lartë

Dokumentet konfidenciale të marra nga BIRN zbulojnë se më 2008, përveç biznesmenit të debatuar boshnjak, Malltezi & Kola kishin së paku një dyzinë klientësh të tjerë, korporata të profilit të lartë, shumë prej të cilëve kërkonin marrëveshje me Berishën dhe qeverinë e tij.

Klientët, të cilët paguan qindramijëra euro tarifa çdo vit, varionin nga kompanitë e ndërtimit Diekat dhe Superbeton, te korporatat e energjisë si Viloil, Union Eolica, Italgest, Stream Petroleum dhe ASG Power, kompania e ofrimit të shërbimit të internetit Albania Online apo kompania e telekomunikacioneve Unifi.

Në vitin 2007, ASG Power, një konsorcium amerikano-zviceran, mori leje nga qeveria e Shqipërisë për një projekt energjetik ku përfshihej një impjant degazifikimi me vlerë 1.9 miliardë dollarë pranë Fierit, plus një linje interkonjeksioni të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndërtimi nuk filloi kurrë.

Italgest shpresonte të ndërtonte një kompeks të energjisë së erës me fuqi 150 MW në brigjet e Shqipërisë dhe u takua me kryeministrin më 2007 për të diskutuar planin. Berisha tha në një deklaratë në atë kohë se “qeveria ka ofruar mbështetje për suksesin e këtij projekti”. Skema nuk ka filluar ende.

Union Eolica Albania mori leje për të ndërtuar një fermë ere 150 MW pranë qytetit të Kavajës, por ndërtimi nuk ka filluar ende.

Kompania kanadeze e naftës Stream Petroleum është duke shfrytëzuar rezervat energjetike të vendit dhe qe përmendur nga kryeministri në një fjalim të vitit 2008 për të lavdëruar suksesin e qeverisë së tij në joshjen e investitorëve të huaj.

Në tetor 2010, Berisha i dha dritën e gjelbërt Unifi Communications për të ndërtuar një kabllo nëndetare telekomunikimi mes Shqipërisë dhe Italisë.

Por pavarësisht listës mbresëlënëse të klientëve që kontraktuan Malltezi & Kola, jo të gjithë qenë të lumtur me punën e firmës.

Një ish-klient veçanërisht i zemëruar, biznesmeni pakistanez Zafar Ansar, dha një ide se si vepronte firma duke publikuar disa emaile te e përditshmja Tema në vitin 2009.

Ansar, i cili më herët pati qenë konsulli i nderit i Shqipërisë në Pakistan, pati punësuar kompaninë ligjore të Malltezit për të ndërmjetësuar me autoritetet vendore mbi ndërtimin e një termocentrali në Shqipëri me vlerë gati 100 milionë euro.

Gjithsesi, sipas Ansar, përveç kërkesës për tarifë ligjore prej 200 euro për orë, gjysma e rrogës mesatare mujore në Shqipëri, Malltezi kërkoi një tarifë suksesi prej tre për qind të të gjithë investimit, duke tundur ndikimin e babait të saj si garanci.

Në një intervistë për televizionin Top Channel në janar 2013, Ansar tha se ai pati nënshkruar me Malltezi & Kola për shkak se firma ishte nën pronësinë e vajzës së kryeministrit dhe mund të zbuste gjërat me burokracinë vendase.

“Unë e gjeta korrespondencën disi të çuditshme, për shkak se një tarifë konsulence me një tarifë ‘suksesi’ qe disi e pazakontë për një kompani ligjore,” tha Ansar.

“Unë rashë dakord, duke e ditur se ajo qe vajza e kryeministrit [dhe] do të ishte e nevojshme në arritjen e objektivit për të ndërtuar termocentralin pa vështirësi,” shtoi ai.

Ansar thotë se pas kontakteve fillestare, Malltezi bëri presion mbi të për të blerë një parcelë toke me vlerë miliona euro për termocentralin. Kur refuzoi, thotë ai, autoritetet vendore e hodhën poshtë të gjithë projektin.

“Toka që ajo më ofroi qe e shkretë, pa asnjë lloj infrastrukture, shumë e shtrenjtë dhe nuk plotësonte nevojat” tha Ansar.

“Për shkak se unë nuk rashë dakord ta blija, mua m’u tha se projekti për të ndërtuar termocentralin 120 MW mund të kishte vështirësi dhe mund të mos miratohej,” shtoi ai.

Pas deklarimeve të Ansar, Partia Socialiste e kryeministrit aktual të Shqipërisë Edi Rama, e cila në atë kohë ishte në opozitë, akuzoi Malltezin se kishte tregtuar ndikimin te babai i saj për të pasuruar veten.

Në përgjigje ndaj aludimeve, Malltezi tha se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme.

“Biznesmeni në fjalë më kontaktoi mua gjashtë vjet më parë, dhe jo unë atë, duke kërkuar ndihmë ligjore për fazën përgatitore të projektit,” tha ajo në një deklaratë. “Çdo veprim i zyrës sime ligjore ka qenë tërësisht privat,” shtoi ajo.

Malltezi akuzoi gjithashtu udhëheqësin socialist Rama për shpifje dhe tha se do të ngrejë padi ligjore kundër partisë së tij.

“Desha t’i kujtoj z. Rama se vetëm në diktaturë tarifat ligjore të bizneseve private vendosen nga qeveritë,” tha ajo. “Akuzat mbi bllokimin e investimeve janë qesharake,” shtoi ajo.

Por ndikimi i zyrës së saj ligjore mbi bizneset – të vogla apo të mëdha – vështirë se mund të mohohet.

Një ndërhyrje nga kjo firmë për të ndërmjetësuar një mosmarrëveshje mes një librarie dhe një ndërtuesi më 2008, e ritreguar nga një kabllogramë e ambasadës së SHBA-ve e publikuar nga WikiLeaks, shpjegon se pse shërbimet e saj qenë kaq shumë të kërkuara.

Libraria ndërkombëtare, e cila gjendet në katin përdhe të Pallatit të Kulturës, një ndërtesë e kohës komuniste në Sheshin Skënderbej të Tiranës, pësoi dëmtime të inventarit për shkak të punës së keqe rinovuese të bërë nga një ndërtues italian i kontraktuar te kati i sipërm.

Një konflikt u shkaktua mes librarisë dhe ndërtuesit italian, i cili u zgjidh jashtë gjykatës pasi pronari i librarisë kontraktoi shërbimet e Malltezit.

“Zonja [Argita Malltezi] Berisha, zyra ligjore private e tëcilës në Tiranë ka lulëzuar gjatë viteve të fundit, është përballur me kërkesa të lakmueshme në rritje për shërbimet e saj,” vërejti ambasada e SHBA-së në një kabllogram të qershorit 2008.

“Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një demonstrim i aftësive të saja ligjore, pronarët e biznesit të katit të dytë paguan dëmet ditën tjetër, një zgjidhje jashtëzakonisht e shpejtë në një vend ku çështjet gjyqësore kërkojnë vite për t’u zgjidhur,” thuhet në raportimin diplomatik plot ironi.

Kompania ligjore u mbyll në vitin 2009, por shumë nga ish punonjësit e firmës, të tilla si Brikena Kasmi, Lealba Pelinku dhe Joana Qeleshi shkuan të marrin emërime të rëndësishme në administratën publike dhe në sistemin e drejtësisë, ndërsa akuzat për korrupsion kundër Malltezit vijuan.

Kasmi u emërua si zëvendësministre e drejtësisë, Lealba Pelinku u emërua drejtoreshë e zyrës së prokurimeve publike të Shqipërisë, ndërsa Joana Qeleshi u emërua kryetare e Gjykatës së Durrësit.

Malltezi, nga ana tjetër, është tërhequr nga jeta publike, ndoshta duke zgjedhur profil të ulët pas shumë vitesh në qendër të vëmendjes. /balkaninsight/

Lajme të ngjashme

Back to top button