Nuk kanë të ndalur skandalet në diplomacinë e Maqedonisë

Maqedonia mbetet edhe pa ambasadorin në Berlin. Javën e kaluar ka dhënë dorëheqje nga funksioni i ambasadorit Nenad Kolev, vetëm një muaj e gjysmë para se të udhëtojë në këtë qytet. Kolev, njëherësh ka dhënë dorëheqje edhe nga funksioni drejtor i drejtorisë së diplomacisë ekonomike në MPJ.

Kolev, dorëheqjen e ka dhënë më 9 korrik, për shkak të pakënaqësive dhe mospërputhshmërinë me ministrin e punëve të jashtme Nikolla Poposki shkruajnë mediat maqedonase.

Nga MPJ kanë pohuar se Kolev ka dhënë dorëheqje, por sipas tyre nga arsye personale. Nuk bëhet fjalë për mosbesim, pasi në këtë rast Kolev as që do të propozohej për ambasador në Berlin, thonë nga MPJ.

Por nga kjo ministri nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se si do të pranohet ky vendim nga Gjermania, e cila më 30 janar i kishte dhënë agreman ambasadorit të ri, Nenad Kolev.

Në fakt, ky nuk është dështimi i vetëm dhe skandali i vetëm që e përfshinë MPJ-në pas ardhjes së ministrit Nikolla Poposki në kreun e diplomacisë së Maqedonisë.

Muaj më parë kishte refuzuar të shkojë në Moskë edhe ambasadori Nikolla Dimitrov, i cili pasi kishte marrë agreman nga shteti rus ka vendosur të tërhiqet nga detyra e deritanishme dhe të punojë në Hagë, në një prej institutet holandeze.

Porosi joserioze është dërguar edhe me Antonio Milloshoskin, i cili kishte marrë agremanin për të shkuar ambasador në Kroaci, ndërsa ai vendosi që të mbetet deputet dhe njëherësh është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Të fitosh agreman nga shteti përkatës dhe në fund të mos shkosh në këtë shtet është skandal diplomatik dhe kjo tregon se Maqedonia po bllokohet çdo ditë e më shumë në vetvete duke krijuar çdo ditë e më shumë ftohje të marrëdhënieve diplomatike.

Lajme të ngjashme

Back to top button