Kur shteti ju le pas dore

Familja Limani nga lagjja e Dizhonit, e cila ende nuk është rikuperuar pas vërshimeve që ndodhën në muajin maj të këtij viti, sërish është në rrezik që shtëpia e tyre të mbushet me ujë.

Kryefamiljari  Kadri Limani shprehet i dëshpëruar sepse ende nuk ka marrë asnjë ndihmë edhe pse ka paraqitur rastin në komunën e Çairit dhe kanë ardhur ekspert për të vlerësuar dëmet.

“E keni parë edhe në fotografi, shtëpia ishte e vërshuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe disa javë nuk kemi banuar në të deri sa është pastruar e rregulluar. Kanë ardhur disa ekspert për të vlerësuar dëmet të cilët i ka dërguar komuna e Çairit por ende nuk ka asnjë dëmshpërblim prej tyre”, tha për Portalb, Limani.

Ai shtoi se tani ata me shumë mund kanë arritur t’i sigurojnë disa mobilje dhe teknikë të bardhë e cila është e domosdoshme për jetesë, dhe frikësohen se sërish do të ju hyn uji në shtëpi dhe do t’i shkatërron ato.

“Sapo kemi rregulluar sërish shtëpinë me shumë mund  pa asnjë ndihmë nga shteti dhe tani një shi po të bie, ne sërish frikësohemi se do të futet uji brenda. Apelojmë që sa më shpejtë të rregullohet kanalizimi i shkollës ‘Imri Elezi’, sepse vetëm atëherë ne do të jemi të sigurt dhe do të flemë të qetë”, tha Limani.

Kësaj radhe shpëtuam por përpara kemi stinën e vjeshtës ku shirat janë më të shpeshtë dhe më të rrëmbyeshëm, shpresojmë që ky problem do të zgjidhet deri atëherë, shtoi Limani.

Nga komuna e Çairit nuk arritëm të marrim prononcim sa i përket dëmshpërblimeve dhe realizimit të projektit të kanalizimin në lagjen e Dizhonit, mirëpo kohë më parë nga kjo komunë bënë me dije se projekti është i gatshëm dhe se së shpejti pritet të realizohet.

“Rregullimi i kanalizimit në lagjen Gazibabë është në përfundim e sipër, tani ka mbetur vetëm edhe të asfaltohen rrugët që janë prishur për rregullimin e tij. Ky kanalizim ka shpëtuar këtë lagje nga vërshimet e tmerrshme. Sapo të përfundojë ky projekt, do të fillojmë me sanimin dhe rregullimin e kanalizimit edhe në lagjet tjera të kësaj komune”, tha kohë më parë Rami Qerimi nga komuna e Çairit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button