Përsëritja e mërzitshme e heshtjes

Taksirati filloi sa doli me detyrë gazetari Besim Ibrahimi që t’i ndjekë protestat e shqiptarëve kundër vendimit tendencioz, pa fakte e pa argumente që u shqiptoi gjyqi i varur i Shkupit disa shqiptarëve në procesin e dyshimtë të quajtur “Monstra”. Ai as vetë nuk e kishte të qartë se me çfarë shpejtësie e rrëmbyen policët dhe e futën në furgon. Megjithatë e mblodhi veten dhe shpejt e njoftoi redaksinë e tij se po e çojnë në njërin nga stacionet policore. Ora 15,30. Kolegët kanë provuar disa herë ta marrin në telefon, por s’kanë marrë përgjigje, edhe pse telefoni ka qenë në rregull, pra edhe pse zilja ka rënë si duhet. Ne vetëm mund të supozojmë, vetëm mund të përpiqemi ta marrim me mend se çfarë stresi ka pasur gazetari i trajtuar nga ana e policisë “popullore”, por vetëm diçka është e sigurt: ai do ta ketë mallkuar ditën kur nisi të punojë si gazetar shqiptar në Shkup. Me siguri do t’ua ketë pasur lakmi të gjitha profesioneve të tjera që nga roja e ndonjë ndërtese publike e deri te minatori në minierat e plumbit ku avujt e këtij metali ia shkurtojnë jetën njeriut. Thonë se  edhe redaksia edhe SHGM të Maqedonisë kanë kërkuar të lirohet kolegu i tyre. Kaq. Lajm tjetër deri në çastet kur shkruhen këta rreshta nuk arriti. Dhe, vështirë është të besohet se do të ketë lajm. Edhe nëse e lëshojnë, kurrfarë lajmi nuk do të arrijë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ajo që duhet të bëhet: të kërkohet falje e të dëmshpërblehet gazetari, kjo jo se jo. Kush çan kokë për një gazetar. Madje gazetar shqiptar. Askush pesë para nuk jep. Policisë i është dashur një numër, një normë dhe kaq. Mbaroi puna.

Një zot e di se kah do ta shpjerë fati këtë njeri të ri pas kësaj ndodhie të shëmtuar, politikisht absurde dhe të dhunshme. Njeriut kah s’i shkon mendja dhe pyetet pse ndodhi kështu. Përgjigja e parë që vjen nga përvoja e gjatë e këtij populli me organet e rendit dhe të ndjekjes është se Besimi është arrestuar vetëm pse është gazetar shqiptar. Tjetër përgjigje është vështirë të kërkohet ngase redaksitë e mediave shqipe gjithmonë kanë qenë të kujdesshme dhe të përgjegjshme. Ato, gjithmonë, i kanë dhënë detyrë gazetarit që ta ndjekë ngjarjen dhe të raportojë pa kurrfarë animi, pa emocione. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë redaksi shqipe të mbjellë e të përhapë urrejtje etnike ose fetare. Përkundrazi thelbi i mesazheve të mediave shqipe është të realizohet barabarësia e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, ashtu si është shkruar në Marrëveshjen e Ohrit, në kushtetutë dhe në ligjet e këtij vendi. Megjithatë karriera e shumë gazetarëve shqiptarë këtu në këtë vend që nga lufta e dytë botërore e këndej mbetet e palakueshme dhe, madje e vështirë.

Këtu për një fjalë e cila nuk do t’i pëlqente një funksionari, njeriu që e ka thënë mund të gjobohet rëndë, po kur një gazetar keqtrajtohet nga institucionet pa fakte e pa argumente nuk ndodh asgjë.

Kur në këtë mënyrë ushtrohet dhunë ndaj gazetarit, kur ai arrestohet bir gajri hak, atëherë çfarë mund të themi për të gjithë ata njerëz që kanë qenë pjesë e protestës e ndaj të cilëve, përveç se është ushtruar dhunë, edhe janë arrestuar dhe janë fyer. Merreni me mend se çfarë fyerjesh u ka bërë shqiptarëve prokurorja publike. Ajo shumë lehtë i përdor fjalët terrorizëm, pastaj sintagmatmotive fetare dhe etnike.  Toni i fjalës përfundimtare të prokurores është luftënxitës. Përafërsisht ajo deklaroi se nuk ia ka frikën askujt. Që do të thotë se nuk ia ka frikën as të vërtetës, por udhëhiqet vetëm nga emocionet e saj  johumane dhe a priori një grup etnik e etiketon, e njollos, pa marrë parasysh se ajo është aty që mos të ketë punë me emocione, por me drejtësi.

“Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska ka kërkuar përgjegjësinë e prokurores Geshkovska e cila me deklaratën e saj ka nxitur urrejtje ndëretnike. Najçevska gjithashtu ka deklaruar se procesi gjyqësor dihej se do të kishte këtë epilog që nga momenti kur vet ministrja e brendshme, Jankullovska i quajti të akuzuarit, terroristë”, theksohet në TV Alsat nga pena e gazetarit Valmir Kuçi.Ka edhe reagime të tjera nga aktivistë për të drejtat e njeriut, nga intelektualë etj. Ka njerëz pra që e kanë ngritur zërin kundër kësaj prapësie, kundër këtij turpi që e ka bërë gjyqi. Po. Ka. Por ata që duhen të flasin, ata që duhet të ndërmarrin diçka për ta vendosur gjyqin e këtij vendi në binarë normalë, që ta bëjnë me të vërtetë pushtet të tretë – ata heshtin. Kjo është përsëritje e mërzitshme e heshtjes .Nuk iu del asnjë fjalë prej goje edhe pse ky popull kësaj radhe u ka dhënë maksimumin e votave që ta përfaqësojnë, që t’ia mbrojnë dinjitetin kombëtar e personal secilit, duke bërë që ligji të jetë ligj për secilin njësoj e jo për njërin të jetë dhunë e për tjetrin privilegj.

Populli pret një fjalë të qartë prej tyre. Ata edhe po ta thonë nuk janë të qartë

Na përsëritet avazi i vjetër, sa herë që ushtrohet dhunë ndaj shqiptarëve, funksionarët shqiptarë e mbyllin gojën. Vallë çfarë kërkojnë në Kuvend pas këtij rezillëku, çfarë kërkojnë në qeveri? A nuk e dëgjojnë zërin e popullit që ngrihet lart kundër fyerje që na bëhen?” A s’e morën vesh se me decenie nuk na e heqin kualifikimin terrorist? Në qofshin të gjithë ata që protestojnë terroristë, atëherë edhe partitë tona heshtake janë të tilla, me një dallim: protestuesit e shohin të vërtetën, kurse pushtetarët tonë nuk shohin, si duket, nga përmendoret e mëdha ose e kanë humbur rrugën në këtë pyll përmendoresh. A thua vallë nuk e dinë ata se ka edhe terrorizëm shtetëror? Si do që të jetë ata të partive tona nuk kanë të drejtë të rrinë në atë kuvend i cili mbështet dhe zgjedh kësi prokurorësh dhe në aso qeverie që e mbështet një dhunë të tillë gjyqësore.

“Përgjegjësia ka adresë konkrete: shqiptarët, qofshin votues ose persona zyrtarë që sot heshtin, janë pjesëmarrës në çdo padrejtësi”, shkruan Gjakush Kabashi,  “dhe si të tillë, nuk mund të amnistohen për shkak të padijes së thellë”. Unë do të kisha shtuar: “Politikanë shqiptarë të këtij vendi, arsyetojeni vetëm një herë pas dy deceniesh të pavarësisë së Maqedonisë me dorëheqje kolektive për shkak të DHUNËS që ushtron pushteti ndaj nesh si shqiptarë. Vetëm si shqiptarë:

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button