Akademia sportive, kaloi fazën e parë në Parlament

Propozimi për themelimin e “Akademisë sportive” kaloi fazën e parë kuvendore, falë 70 votave pro, përfshi edhe votën e deputetes opozitare Roza Topuzova-Karevska. Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi u shpreh se përmes këtij propozimi “Akademia sportive” nga viti akademik 2015-2016 do të transformohet në subjekt të posaçëm juridik, si shkollë e re e mesme shtetërore, vazhdimësi e paraleleve të deritanishme eksperimentale, transmeton Alsat.

“Për çdo nxënës të përzgjedhur, federatat përkatëse do të sigurojnë pajisje sportive dhe transport deri në vendin e mbajtjes së stërvitjeve, ndërsa për nxënësit që vijnë nga vendbanimet jashtë komunës ku mbahet mësimi, do të sigurohet vendosje në konviktet e nxënësve. Me kushtet që do të krijohen me themelimin e Akademisë Sportive, shpresojmë që të krijojmë kushte më të mira për të zbuluar talentet sportivë të cilët më tutje do të jenë edhe përfaqësuesit tanë edhe në kombëtaren e Maqedonisë në sporte të ndryshme”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Propozimi në fjalë u mbështet edhe nga deputetët. Sipas tyre, sporti është forma më e mirë për promovimin e vendit.

“Çdo shtet serioz, çdo qeveri serioze mendon  për zhvillimin e sportit, për zhvillimin e kushteve në sport sepse ai është forma më lehtë për promovimin e shtetit dhe atdheut. Ky propozim ligjor ka siguruar mbështetje financiare dhe kjo është shumë e rëndësishme për sportistët e rinj të cilët duhet të përfaqësojnë vendin tonë. Ata duhet t’i përkushtohen trajnimit sepse harxhimet për pajisjet, për transport dhe vendosje  janë siguruar nga buxheti i RM-së”, tha Dimitar Stevananxhija, VMRO-DPMNE.

“Pikërisht edhe në këtë kampionat botëror u pa se edhe nga Maqedonia kishim tre sportistë të dalluar, lojtarë të cilët luajtën për ekipe të shteteve të tjera dhe njëri prej tyre mori edhe medaljen e artë…ai luan në kombëtaren e Gjermanisë. Deri tani në Maqedoni kemi pasur edhe medalje të tjera, bile edhe olimpike. Është Azis Saliu, boks, pastaj janë Shaban Tërstena e Shaban Sejdiu, medalje olimpike në mundje”, u shpreh Ejup Rustemi, BDI.

Kushtet për regjistrim në shkollën e re të mesme shtetërore të Akademisë Sportive do të jenë të njëjta me ato të deritanishme. Kandidatët duhet të kalojnë fazën e testimit, sipas kritereve të çdo sporti. Kontrollin e aftësive sportive e bëjnë anëtarët e Ministrisë së Arsimit dhe të Federatave Sportive të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button