Finalja në qendër të Gostivarit, Shkodran Mustafi na nderoi si qytet dhe si komb

Qyteti i Gostivarit po shkruan historinë e futbollit mbarë shqiptar, kjo për faktin se për herë të parë një futbollist shqiptar me prejardhje nga Sërmnova e Gostivarit, arriti të fitojë medaljen e artë nga një Kampionat Botëror.

Bëhet fjalë për futbollistin Shkodran Mustafi i cili me kombëtaren e Gjermanisë, u shpallën kampionë bote duke arritur të fitojnë përballë Argjentinës, në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin Marakana në Brazil.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta nisi urimin për Shkodran Mustafin, për t’i uruar për medaljen e fituar. “Sonte çdo shqiptar ndjehet krenar që shqiptari i parë po kurorëzohet me medalje të artë nga një kampionat botëror në futboll.

Për ne si gostivaras gëzimi është edhe më i madh, sepse biri ynë Shkodran Mustafi na nderoi si qytet dhe si komb. Urime Shkodran Mustafit, urime të gjithë shqiptarëve”, thuhet në urimin e kryetarit Nevzat Bejta. Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Këshillin Rinor, organizoi përcjellje të finales në sheshin e qytetit përmes video projektorit.

“Duke pasur parash faktin se kemi rastin dhe nderin që për herë të parë në finalen e Kupës së Botës në futboll merr pjesë një shqiptar me prejardhje nga Gostivari, me dëshirën më të madhe vendosëm të mbështesim kërkesën dhe iniciativën e Këshillit Rinor, rinistëve dhe shqiptarëve të Gostivarit për të përcjell direkt ndeshjen mes Gjermanisë dhe Argjentinës në sheshin e qytetit.

Një falënderim për drejtorin e Qendrës për Kulturë, Luan Zenku i cili asistoi në aspektin teknik të mbarëvajtjes së aktivitetit dhe operatorin kabllovik “Multimedia”, që mundësoi transmetimin e sinjalit për të parë ndeshjen direkt nga qendra e qytetit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

“Qëllimi kryesor i gjithë këtij aktiviteti është që ta mbështesim bashkëqytetarin tonë Shkodran Mustafi i cili është lojtar në kombëtaren e Gjermanisë”, tha Atibe Arifi, kryetare e Këshillit Rinor.

Në Botërorin e Futbollit “Brazil 2014”, historinë e shkroi edhe futbollisti tjetër nga Gostivari, Admir Mehmedi i cili u bë futbollisti i parë shqiptar që arrin të shënojë gol në një Kampionat Botëror.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button