Shkodra feston për Gjermaninë dhe Shkodran Mustafin

Fitimi i trofeut të titullit kampion të kombëtares gjermane, ka nxjerrë në shesh një Shkodër të tërë, ku me festimet që kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Qyteti verior ka treguar edhe një herë sportivitetin që e karakterizon, jo vetëm si “djepi i futbollit”, kur për herë të parë në Shqipëri, futbolli nisi të luhej në Shkodër që në vitin 1905, por edhe pasionin tipik të tifozerisë shkodrane pas kombëtares së Gjermanisë.

Ashtu sikundër kishte ndodhur për gjatë të gjitha ndeshjeve të këtij botërori, ku sekuencat e festimeve të shkodranëve për fitoret e njëpasnjëshme të gjermanëve bënë xhiron e botës, për finalen e madhe në qytetin verior kishin mbërritur grupe xhirime të huaja, më së shumti gjermane, të cilat nxituan të përcillnin drejtpërdrejtë emocionet e asaj që ato po përjetonin në Shkodër.

Përpos të tjerave, kur në Shkodër, historikisht tifozeria gjermane ka dominuar mbi të gjitha pa përjashtim, këtë radhë, shkodranët kanë pasur të drejtë të jenë plotësisht me kombëtaren gjermane, pasi në formacionin e saj është aktivizuar edhe një futbollist shqiptar, ku vetë emri, Shkodran Mustafi, ka patjetër brenda të veçantë e trofeut të këtij botërori jubilar të 20-të në historinë e tij, transmeton shekulli.

Ndërkohë, Shkodran Mustafi edhe pse nuk pati mundësi të luante në finale për shkak të një dënimi ka qenë pjesë e festimeve të ekipit gjerman. Në faqen e tij në Facebook, ai ka publikuar një foto me Kupën e Botës në prehër dhe me duart e kryqëzuara në formë shqiponje.

Lajme të ngjashme

Back to top button