ANALIZË: Bojkoti kuvendor dhe “Monstra” do ta fundosin ekonominë?

Gjysmëvjetori i parë ekonomik përfundoi në shenjën e zgjedhjeve të dyfishta, i dyti filloi me Kuvend të konstituar pa opozitë, por edhe me protesta, të cilat fituan në intensitet dhe e tërhoqën vëmendjen e publikut rajonal dhe atij evropian. Ky vit që duheshte të sjellë stabilitet ekonomik, zhvillim, investime, punësime të reja, sipas analistëve bie nën hijen e paqartësisë politike, e me këtë edhe të paqartësisë së re ekonomike – kësaj radhe e gjeneruar, jo nga faktorë të jashtëm, por të brendshëm. Parlamenti, pa opozitë, me fuqi të plotë miraton zgjidhje të rëndësishme ligjore, janë paralajmëruar madje edhe ndryshime kushtetuese, pushteti gjyqësor, por edhe udhëheqësia aktuale politike ballafaqohet me protesta për rastin “Monstra” – një seri ngjarjesh, të cilat, sipas analistëve, formojnë një mozaik të klimës jostabile politike, e cila do të rezultojë me paqartësi ekonomike dhe abstinencë investimesh. Çka mund të presin biznesmenët deri në fund të vitit 2014?

A do thejë politika kurrizin ekonomisë?

Jashtë vendit i bindim investitorët se Maqedonia është një vend i sigurt, politikisht dhe ekonomikisht stabil, e brenda, ballafaqohemi me problemese serioze politike dhe ekonomike – komentojnë analistët në fillim të gjysmëvjetorit të dytë ekonomik. Parlament pa opozitë, protesta pë rastin “Monstra”, të cilat u paraqitën edhe në mediat rajonale dhe ato botërore, monitoring i përforcuar i bashkësisë ndërkombëtare, janë një pjesë e gjendjeve që mund të ndikojnë seriozisht mbi trendet e ardhshme ekonomike, vlerësojnë ekspertët.

“Edhe pa këto fotofrafi që i pamë gjatë periudhës së kaluar, e të cilat i transmetuan edhe mediat botërore, gjendja e përgjithshme në Maqedoni nuk është optimiste. Në të njëjtën kohë kur qeveria shëtitet nëpër botë dhe përpiqet të na prezantojë në dritë sa më të mirë, ne kemi demonstrata, të cilat poashtu i sheh bota, gjegjësisht gjendja e vërtetë nuk mund të fshehet. Më mirë do të ishte që kryeministri të udhëtojë në një rreze prej një mijë kilometrash, për shembull në Evropë, se sa të jetë impresionist, të cilin e presin përfaqësuesit e vendeve të mëdha“, thotë për Portalb, njëri nga ministrat e mëparshëm për financa, Xhevdet Hajredini.

Gjysmëvjetori i parë ekonomik përfundoi në shenjë të zgjedhjeve të dyfishta, të cilat pothuajse e “shterrën” arkën e buxhetit. Për pesë muaj, qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-ja harxhuan pothuajse 80% të deficitit të planifikuar buxhetor. Pushteti në vigjilie të zgjedhjeve financoi subvencione, paralajmëroi pensione më të larta, shërbime gratis për pensionistët. Pas zgjedhjeve, dyshja e njëjtë në pushtet e ekipoi qeverinë, por edhe Kuvendin, pa opozitë. Pikërisht zhvillimi i këtillë politik, sipas ekonomistëve është faktori i parë që paralajmëron paqartësi politike, e me këtë edhe paqartësi ekonomike.

“Konsideroj se në gjendje të këtillë, nuk pëson politika, por mu ekonomia. Nga veprimet e politikanëve varen lëvizjet e përgjitshme ekonomike, e kjo ndikon mbi vendimet e ardhshme për planifikim dhe zhvillim të kompanive. Në gjendje të këtillë të jostabilitetit politik, firmat përmbahen nga veprimet zhvillues, gjegjësisht nga investimet. Kjo nuk vlen vetëm për afaristët e vendit, por edhe për ata të huaj. Mu zgjedhjet e shpeshta japin porosi se një vend është politikisht i papjekur, prandaj, ne tani do të ballafaqohemi me një gjendje në të cilën do të ketë paralajmërime për investime të huaja ndërsa realizimi do të jetë i ngadalshëm. Edhe ato që do të vijnë do të jenë rezultat i kontratave paraprake, para së gjithash për shkak të beneficioneve që u ofrohen”- vlerëson për Portalb, Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Pas zgjedhjeve, Kuvendi, pa opozitën, tashmë miratoi disa ligje të rëndësishme ekonomike në sfera të ndryshme. Pa debat u votua edhe Llogaria përfundimtare e Buxhetit të vitit 2013. U miratua edhe Ligji për shlyerjen e borxheve për kategoritë e qytetarëve me status të rrezikuar social. Deputetët e shumicës parlamentare deklaruan se u vjen keq që opozita nuk është aty që t’i ballafaqojnë argumentet, ndërsa opozitarët thonë se pushteti në këtë mënyrë e vërteton kapacitetin e tij jodemokratik. Аnalisttë thonë se miratimi i ligjeve, veçanërisht nga sfera e ekonomisë, nënkupton debat dhe ballafaqim të argumenteve të cilat duhet t’i forcojnë zgjidhjet ligjore në aspekt kualitativ. Në vend të kësaj, mënyra aktuale e praktikimit të pushtetit dërgon porosi për papjekuri politike – thonë ekonomistët.

Se Maqedonia mund të jetë shkak për brengosjen e Bashkimit Evropian për shkak të gjendjes së brendshme politike vlerësoi edhe vëzhguesi i Këshillit të Evropës, Shtefan Shenah, i cili ishte në Shkup si pjesë e misionit të Këshillit të Evropës për ndërmjetësim në kontestin me opozitën. Vëzhguesi evropian deklaroi se ky konflikt do të mund ta rrezikonte rrugën e vendit drejt BE-së dhe se Maqedonia mund të mbetet edhe pas Bosnje e Hercegovinës. Sipas tij, ka rrezik që Maqedonia në vjeshtë ta humbë statusin e vendit kandidat për në BE.

“Situata është ngatërruar krejtësisht”, thotë Shenah, duke i përmendur protestat e opozitës kundër qeverisë dhe konfliktin e ri të mundshëm ndëretnik me shqiptarët.

Paqartësia politike, përveç për shkak të mungesës së opozitës nga parlamenti, u forcua edhe më shumë me protestat për rastin “Monstra”. Kjo gjendje nuk mbeti pa u përmendur në rajon e as nga faktorët relevantë ndërkombëtarë.

“Edhe pa protestat dhe jostabilitetin e përgjithshëm politik, klima e biznesit në vend nuk i plotëson kushtet që të mundësojë zhvillim më të madh. Cili është ai biznesmen që do t’i investonte paratë e tij në këtë gjendje. Do të thoja se Maqedonia u bë vend jostabil, edhe në aspekt politik edhe në aspekt të sigurisë, gjegjësisht Maqedonia është njëra nga vendet më jostabile në Evropë, duke e përjashtuar Ukrainë.” – thotë ministri i mëparshëm për financa, Hajredini.

Si rezultat i klimës së përgjithshme politike, komuniteti afarist nuk pret ndonjë hap të rëndësishëm ekonomik përpara në gjysmëvjetorin e dytë ekonomik.

“Nëse gjendemi në gjendje jostabile politike, e me këtë edhe në gjendje jostabile ekonomike, me para të harxhuara që më parë, frikohem se nuk kemi plan rezerv. Sipas meje njëra nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë pikërisht rebalanci i buxhetit. Para qeverisë së ardhshme ka dy mundësi, nëse dëshiron ta ruajë nivelin aktual të deficitit buxhetor, do të duhet ta shtrëngojë rripin deri në fund të vitit, që vështirë se mund të realizohet. Dhe skenari i dytë, është të thellohet deficit buxhetor, që nënkupton marrjen e huave të reja. Çështje tjetër është se për çka u harxhua ai deficit buxhetor, për të cilën gjë, personalisht mendoj se ishe në funksion të zgjedhjeve” – thotë për Portalb, biznesmeni Halili.

Për këtë vit, sipas projektimeve të institucioneve kompetente, pritet që rritja ekonomike të arrijë edhe deri në 3,9 për qind, mirëpo mbetet të shihet se a do të realizohen këto pritje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. ne Maqedoni S’ka ekonomi , andaj S’ka edhe qe te fundoset pasi qe cdogje eshte e fundosur!!!

Back to top button