Protestat, mund të ndikojnë seriozisht në procesin integrues të Maqedonisë

Tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoni mund të ndikojnë seriozisht edhe në procesin integrues të vendit. Analistët vlerësojnë se pavarësisht se marrëdhëniet ndëretnike nuk janë kriter formal për anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare, ato janë bazë e stabilitetit të vendit. Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin vlerëson se ngjarjet e fundit jo vetëm që do të kenë jehonë negative, por mund të priten kritika edhe më konkrete nga BE dhe NATO në Bruksel, nëse institucionet nuk i ulin tensionet,  “Marrëdhëniet ndëretnike janë parametri më i rëndësishëm për përcaktimin e stabilitetit të shtetit. Ky ishte edhe synimi i përpilimit të Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj, këto ngjarje do të kenë jehonë negative në Bruksel, me siguri edhe do të përmenden. Gjithçka varet se me çfarë intensiteti do të vazhdojnë, se a do të mbarojnë këtu apo do të vazhdojnë deri në vjeshtë”, tha Nano Ruzhin, ish ambasador në NATO, transmeton Alsat.

Analisti Albert Musliu madje shkon edhe më larg, duke thënë se nëse nuk amortizohet pakënaqësia e protestuesve dhe vazhdojnë trazirat, Bashkimi Evropian dhe NATO mund të rishikojnë qëndrimet e tyre lidhur me Maqedoninë. Konkretisht sipas tij, organizatat euro-atlantike mund të shqyrtojnë si rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në, ashtu edhe thirrjen e hapur për anëtarësim në NATO pas zgjidhjes së emrit.

“Nëse tensionet ndëretnike vazhdojnë ose rriten, sigurisht se institucionet ndërkombëtare ku duam të aderojmë, si NATO ashtu edhe BE mund ti rishikojnë qëndrimet e veta nëpërmjet raportit ose Samitin e NATO-s që do të mbahet në Britani. Kështu që nëse kësaj çështjeje nuk i qasemi në mënyrë serioze ti ulemi tensionet, dhe merremi me çështjet të cilat janë pjesë e debatit, gjithsesi se do të jetë pjesë e vërejtjeve nga partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Albert Musliu, analist.

Analistët vlerësojnë se pas krizës politike me mungesën e opozitës në Kuvend, Maqedonisë nuk i duhej një tjetër krizë, tashmë ndëretnike. Nëse muajve në vijim nuk kemi zhvillime pozitive rreth këtyre temave, sipas tyre, nuk duhet përjashtuar mundësia që përveç çështjes së emrit, Maqedonisë ti shtohen edhe pengesa të tjera në procesin euro-integrues.

Lajme të ngjashme

Back to top button