Brazil, siguri maksimale për finalen

Autoritetet braziliane deklarojnë se po planifikojnë operacionin më të madh të sigurisë në Rio de Zhaneiro, për finalen e Kupës së Botës që luhet ditën e dielë.

Mbi 25 mijë forca sigurie do të vendosen në qytet për ndeshjen finale që do të luhet mes Gjermanisë dhe Argjentinës, kanë deklaruar zyrtarët e lartë.

Krerë të shteteve të ndryshme, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin rus Vladimir Putin do të ndjekin ndeshjen e shumëpritur.

Rreth 75 mijë tifozë pritet të ndjekin këtë ndeshje që do të luhet në stadiumin “Maracana”, ndërkohë që në operacionin e sigurisë do të angazhohen policë, ushtarë e zjarrfikës, ndërsa 25 anije do të monitorojnë bregun e qytetit.

“Ky do të jetë operacioni më i madh i sigurisë që vendi ynë ka ndërmarrë ndonjëherë”, deklaroi një zyrtar i qeverisë lokale, Jose Mariano Beltrane.

“Duhet të sigurohemi që ky eveniment të shkojë si çdo ndeshje tjetër e Kupës së Botës. Personalisht preferoj të kem trupat gati sesa të kapem në befasi nga ndonjë e papritur”, ka shtuar ai.

Numri i agjentëve të sigurisë është i barabartë me një të tretën e të gjithë tifozëve që do të ndjekin takimin brenda stadiumit, raporton korrespondentja e BBC në Rio, Julia Carneiro.

Masat e sigurisë do të jenë gjithashtu të rrepta në zonat ku mijëra argjentinas janë mbledhur në kampingje, me autoritetet që presin që tifozët nga vendi fqinj të arrijnë në 70 mijë për finalen. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button