Shasivari: Gruevski ende më shumë na bind se ‘Monstra’ është rast i montuar

Në një intervistë ekskluzive për Portalb, profesori universitar, Jeton Shasivari ka komentuar situatën aktuale në vend. Ai, është personi i cili ka këshilluar dhe ka ndihmuar avokatët mbrojtës të rastit, në përgatitjen e iniciativës për paditjen e Qeverisë për shkeljen e prezumimit të pafajësisë. Shasivari thotë se 4 kërkesat e protestuesve janë legale, legjitime dhe demokratike dhe në esencë shprehin në vete kërkesën themelore dhe të natyrshme për drejtësi dhe drejtëshmëri për rastin e a.sh.q. “Monstra”. Ai po ashtu kritikon kryeministrin Gruevski, i cili, akoma më tepër fuqizon bindjen se procesi Monstra është i montuar. Duke renditur  një sërë pyetjesh, profesori i së drejtës kushtetuese, arsyeton më së miri se pse ky proces ka vend për dyshime.

Më poshtë, Redaksia e Portalb ua sjell të plotë intervistën.

Portalb: Si i shikoni kërkesat e protestuesve në Shkup?

Jeton Shasivari: Kërkesat në fjalë janë legale, legjitime dhe demokratike dhe në esencë shprehin në vete kërkesën themelore dhe të natyrshme për drejtësi dhe drejtëshmëri për rastin e a.sh.q. “Monstra”. Thelbi i këtyre kërkesave ndërlidhet me garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të personave të dënuar me burgim përjetë, që kryekëput konsiston në prezumimin e pafajësisë që si liri dhe e drejtë themelore u shkel absolutisht, ashpër dhe rëndë në Konferencën për medie të MPB-së të datës 01.05.2012 që u transmetua brenda dhe jashtë vendit, ku në formë eksplicite dhe pa rezervë këta persona dhe të tjerët apriori dhe publikisht u shpallën fajtorë me shprehjen: “MPB sot i zbuloi kryerësit e vrasjes makabre”, dhe kështu opinioni u nxit të besojë në “fajin e tyre” si dhe prejudikoi vërtetimin e fakteve nga gjykata e shkallës së parë.
E drejta e prezumimit të pafajësisë është një e drejtë iniciale e çdo procesi gjyqësor që garantohet me nenin 6 paragrafi 2 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, me nenin 13 të Kushtetutës së vendit dhe nenin 2 të Ligjit për procedurë penale me çrast shkelja e saj qysh në start e prishi edhe vetë qëllimin ligjor të kësaj procedure gjyqësore penale të përcaktuar me nenin 1 pra, që asnjë i pafajshëm të mos gjykohet dhe dënohet. Nga ana tjetër, sipas argumentimeve dhe qëndrimeve të deritashme juridike të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, prezumimi i pafajësisë shkelet jo vetëm nga gjykatat, por edhe nga organet dhe institucionet e tjera të pushtetit shtetëror ku padyshim bën pjesë edhe policia e shtetit, dhe si një e drejtë iniciale vlen për procedurën penale në tërësi pa marrë parasysh epilogun e aktakuzës.

Portalb:Si i vlerësoni sjelljet e kryeministrit dhe qeverisë?

Jeton Shasivari: Në këtë drejtim, duhet analizuar edhe paraqitjen e fundit publike të kryeministrit Gruevski drejtuar opinionit shqiptar lidhur me rastin e a.sh.q. “Monstra”, paraqitje kjo që ende më tepër e fuqizon bindjen tashmë të gjërë se procesi gjyqësor në shkallë të parë nuk vërtetoi as fajësinë, as provat e as motivin e këtij krimi dhe se është një rast i montuar. Kjo për arsye se, në këtë paraqitje publike kryeministri Gruevski publikisht pranoi se provat për këtë rast nuk mund të shpallen përderisa nuk mbaron procedura gjyqësore!, Sepse për fat të keq sipas tij, procedura është e atij tipi që të gjitha provat nuk mund të dalin në sipërfaqe!, Nuk mund të thuhen! sepse ka masa specifike hetimore që janë ndërmarrë dhe shpallja e provave para se të mbarojë procedura në tërësi. Do t’u merrte atyre fuqinë juridike!
Më tej, vazhdoi me pyetjen se, si ka mundësi që këto prova të jenë jo bindëse dhe jo valide kur ato nuk janë shpallur!, kur ato askush nuk i ka dëgjuar!, dhe nga ajo që ai ka dëgjuar nga MPB-ja e thonë të njëjtën dhe këtë e mendon edhe prokuroria!, dhe është evidente sipas aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë se këto prova janë të fuqishme! Në fund, paralajmëroi se mbeten edhe instancat e tjera të procedurës gjyqësore që duhet pritur që të analizohen edhe njëherë ato prova!, t’i shqyrtojnë ankesat e të akuzuarve dhe të nxjerrin aktgjykimin përfundimtar.

Portalb: Mendoni se opinioni meriton sqarim më të thellë?

Jeton Shasivari:  Sipas mendimit tim, kjo është paraqitja më kundërthënëse dhe më absurde e Gruevskit gjatë gjithë karrierës së tij politike dhe partiake, sepse nga kjo paraqitje e tij publike drejtuar opinionit shqiptar, paraqiten edhe shumë pyetje që meritojnë përgjigje, edhe atë:

-Nëse provat nuk janë shpallur, nëse nuk mund të dalin në sipërfaqe, nëse nuk mund të thuhen dhe nëse askush nuk i ka dëgjuar, atëherë në bazë të çkahit këta persona u dënuan me dënimin kapital?!

-Si ka mundësi që provat të mos jenë shpallur, kur seancat e procedurës gjyqësore në shkallë të parë u zhvilluan në prani të publikut?!

-Si ka mundësi që provat që nuk janë shpallur, nuk kanë dalë në sipërfaqe, që nuk mund të thuhen dhe askush nuk i ka dëgjuar, sipas aktgjykimit të shkallës së parë të jenë prova të fuqishme?!

-Përse kryeministri vazhdon me avazin e licitimit politik në opinion me cilësinë e “provave” për këtë rast duke prodhuar ende më shumë mjegull për të?!

-Përse kryeministri nuk e respekton parimin kushtetues të ndarjes së pushtetit, sipas të cilit presionet dhe ndikimet më të fuqishme ndaj gjyqësisë vijnë pikërisht nga pushteti ekzekutiv në krye të të cilit po qëndron?!

-Në bazë të çkahit gjykojnë gjykatat në RM: në bazë të provave që administrohen përgjatë procedurës gjyqësore ose në bazë të provave që nuk janë shpallur, nuk dalin në sipërfaqe, nuk mund të thuhen dhe askush nuk i ka dëgjuar?!

-A është i vetëdishëm kryeministri se me këtë paraqitje publike përçon një porosi trishtuese të pasigurisë absolute juridike deri te shqiptarët, se mund të dënohen me dënime me burgim përjetë sipas “provave” që nuk janë shpallur, nuk dalin në sipërfaqe, nuk mund të thuhen dhe askush nuk i ka dëgjuar?!

-A nuk është thjesht absurde dhe jologjike pritja e kryeministrit që pasi të mbarojë procedura në tërësi të shpallen “provat” që të mos u merret atyre fuqia juridike?! Ku e fitojnë fuqinë juridike provat: në dhe përgjatë procedurës gjyqësore sipas ligjit apo jashtë ose pas procedurës gjyqësore?!

-Cilat “prova” duhet të analizohen edhe njëherë në instancat e tjera të procedurës gjyqësore?!

-Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre pyetjeve është se: procesi gjyqësor i shkallës së parë për rastin e a.sh.q. “Monstra” nuk vërtetoi as fajësinë, as provat e as motivin e këtij krimi dhe është rast i montuar. Ky rast filloi së prapthi, sepse së pari u krye gjykimi publik i këtyre personave si “fajtorë” nga policia e shtetit, më pas erdhi procedura gjyqësore, dhe tani, sipas kryeministrit pasi të mbarojë procedura gjyqësore në tërësi, do të shpallen “provat”. A duhej të ishte anasjelltas: së pari provat dhe faktet, më pas procedura gjyqësore dhe në fund, gjykimi.

FITIM DIKA, PORTALB

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Profesor i nderuar, me gezon lajmi qe ju jeni nje nga nje grusht shqiptresh nga publiku qe po shqetesoheni nga gjendja mizore e shqiptareve nu IJRM.E pershendes perkrahjen tuaj dhe rolin tuaj si keshilltar i grupit te avokateve mbrojtes ne rrastin e montuar “Monstra”.por jo me kaq do e mbyll komentin tim por do ju kisha lidhur pas edhe nje “V”te madhe si Vërejtje Apo nje Mospajtim me perkrahjen tuaj te rrezervuar kur behet fjal per formulimin e kerkesave te atyre qe dy jav me rradh po protestojn ne Shkup.Roli juaj si njohes i te drejtes duhet te ishte qe edhe ju te pakten te keshilloni protestuesit se si ti formulojn kerkesat dhe si ti artikulojn ato duke mos lejuar qe ky Revolucion tash i sapo lindur pas 50 vitesh shtypje dhe terrorizim ndaj shqiptareve ne tokat shqiptare ne postbllokun jugosllav mos te shuhet ende pa e mar hapin e vertet te nje revolucioni te pritur kaq vite.
    Pershendetje Ernst. S. Tetovë

Back to top button