Krasniqi: Mustafa ia ka pamundësuar Thaçit krijimin e Qeverisë!

Faik Krasniqi, publicist nga Prishtina dhe anëtar i Këshillit të ekspertëve të LDK-së, thotë se edhepse thuhet që kushti i liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt ishte të bëhet kryeministër, sipas tij lideri i LDK-së Isa Mustafa ka bërë gjënë e duhur duke ia dhënë këtë pozitë e të njëjtën kohë duke ia pamundësuar krijimin e Qeverisë ”Thaçi 3”.

”Kanë qarkulluar zëra se kushti i Ramushit ka qenë që të bëhet kryeministër. Edhe nëse ka qenë kështu, kryetari i LDK-së Akademik Isa Mustafa ka bërë gjënë më të duhur dhe më të mirën e mundshme duke e nominuar z. Ramush Haradinaj kandidat të koalicionit të opozitës për kryeministër, sepse në këtë mënyrë ia ka pamundësuar Thaçit dhe PDK-së ta formojnë edhe një mandat Qeverinë. Do të ishtë fundosje për Kosovën po të kishim në pushtet edhe për një mandat PDK-në, partinë e cila e shkatërroi vendin në çdo sferë të jetës, thekson Krasniqi.

Sipas tij, ndonëse kjo pozitë i ka takuar z. Mustafa, nuk ishte e lehtë as për të t’ia jepte këtë pozitë liderit të AAK-së, por rrethanat ishin të tilla që ta dërgonin Thaçin në opozitë.

”Moralisht LDK-së do të duhej t’i takonte posti i kryeministrit, pasi ka dalë partia e dytë më e votuara duke fituar 30 deputetë, por nuk ka qenë e lehtë për kryetarin Isa Mustafa të bëjë një kompromis të dhimbshëm duke ia dhënë partisë që ka dalë e katërta postin e kryeministrit, por rrethanat dhe për ta dërguar Thaçin dhe PDK-në në opozitë, z.Mustafa është dashtë ta bëjë një të tillë, thotë Krasniqi për ”Bota Sot”. Sipas tij, edhe premtim i kryetarit Isa Mustafa dhe LDK-së ka qenë që PDK-në dhe Thaçin do ta dërgojnë në opozitë dhe këtë premtim janë duke e mbajtur. Edhe pse z.Haradinaj do të jetë kryeministër, LDK-ja do të udhëheq me Kuvendin (ku kryetari Isa Mustafa do të jetë kryeparlamentar deri ne përfundimin e mandatit të Presidentes Jahjjaga) me shumicën e ministrive dhe me 70 për qind të pushtetit, kështu që nuk shohë asnjë problem pse kryeministër është z. Ramush Haradinaj. Kam besim të madh që z. Ramush Haradinaj do të punojë mirë dhe në të mirë të Kosovës, sepse këtë gjë e ka dëshmuar në të kaluarën dhe koalicioni LDK-AAK-NISMA ndoshta edhe VV, do jetë koalicioni më i mirë që ka pas ndonjëherë Kosova”, theksoi publicisti Faik Krasniqi.

Lajme të ngjashme

Back to top button