Për 6 vjet shënohet ulje e madhe e mbështetjes së maqedonasve për anëtarësim në BE

Ulje e madhe e mbështetjes së maqedonasve për anëtarësim në BE. Pavarësisht  dëshirës së madhe të pjesës dërmuese të qytetarëve, për 6 vite, mbështetja shënon rënie për 26 %. Kështu vlerëson euro-barometri dhe anketa e Qendrës Maqedonase për Trajnim Evropian. Sipas këtij raporti, mbështetja e qytetarëve varet nga perceptimi qytetar se sa do të ndikonte pozitivisht anëtarësimi i vendit në BE, dhe cilat do të ishin përfitime nga anëtarësimi. Qëllimi i kësaj analize ishte që shikohet se si, 20 vitet e fundit, disa parti politike përmes politikave dhe programeve të tyre e kanë larguar Maqedoninë nga vullneti i anëtarësimit. Lupço Petkovski nga Qendra për Trajnim Evropian, vlerëson se 60 % e qytetarëve mbështesin anëtarësimin, por kjo shifër, ndahet në baza etnike me një dallim të madh, transmeton Alsat M.

“Tek shqiptarët, 91 % e tyre vlerësojnë se anëtarësimi do të ishte në të mirë të vendit, ndërsa përqindja më e vogël e mbështetësve të anëtarësimit arrin tek ata që janë të afërt me VMRO DPMNE-në, më saktësisht 53 %. Përveç ndarjes etnike, mes shqiptarëve dhe maqedonasve ekziston edhe ndarje politike brenda vet maqedonasve”, deklaroi Lupço Petkovski, Qendra Maqedonase për Trajnim Evropian.

Lidhur me modelin evropian të zhvillimit të Maqedonisë, anketa e kësaj qendre jep shifra të drejtpërdrejta. Ndërkaq, lidhur me dilemën se a është Bashkimi Evropian alternativë për Maqedoninë apo jo, 75 për qind e shqiptarëve e shohin Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë për Maqedoninë, ndërkohë që nga pala maqedonase, vetëm 33 % e tyre japin vlerësim pozitiv. Petkovski vlerëson se arsyeja e ngecjes së Maqedonisë nuk është çështja e emrit, por ajo është thjesht një arsye klishe që mbulon arsyet e tjera.

“Është klishe në qoftë se themi se Maqedonia ngec vetëm për shkak të çështjes së emrit. Mendoj se ngec në mënyrën se si na është paraqitur neve në publik. Kemi arritur deri në atë pikë, që çështja e emrit të përdoret për arsyetimin e gjithçkaje, në mos aktivitetin tonë, mos gatishmërinë tonë për të hedhur hapa më të sigurt drejt reformave etj”, tha Lupço Petkovski, Qendra Maqedonase për Trajnim Evropian.

Analiza vlerëson se raportet negative që i kanë ardhur Maqedonisë deri tani, kryeministri i ka propaganduar si presion për të zgjidhur çështjen emrit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button