Berisha: Protestë madhështore qytetare në Shkup!

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka përshëndetur protestën e sotme të mbajtur në Shkup.

Ja postimi i Berishës në Facebook:

“Të dashur miq, sot mbi 10 mijë qytetarë shqiptarë në Shkup protestuan në njërën nga protestat më madhështore, më paqësore dhe më qytetare të shqiptarëve në Maqedoni. Protestat në Maqedoni hynë në javën e dytë të tyre dhe kanë përfshirë thuaj të gjitha qytetet me shumicë shqiptare të këtij vendi. Si pretekst i protestave është dënimi i përjetshëm i 6 qytetarëve shqiptarë për krimin e shëmtuar, vrasjen e shumfishtë të dy viteve më parë të 5 qytetarëve maqedonas.

Në të vërtet shkaqet qëndrojnë në albanofobinë në rritje në këtë vend, shprehur rëndom me diskriminimin para ligjit të shqiptarëve, moszbatimin e disa neneve të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, nismat ligjore diskriminuese të qeverisë ndaj shqiptarëve, shpërthimet e verbëra albanofobe në Shkup dhe qytete të tjera, diskriminimi buxhetor i komunave me shumicë shqiptare, festimet si ajo e betejës së Kumanovës, që shënon fillimin e shfarrosjes masive të shqiptarëve nga trevat e tyre mijeravjeçare etj.

Duke përshendetur përzemërsisht protestën, karakterin e saj masive dhe paqësor, u bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë dhe forcave politike shqiptare të nisin dialogun me lëvizjen qytetare paqësore për shqyrtimin dhe zgjidhjen, në përputhje me standartet ndërkombetare të kërkesave të qytetareve shqiptare si interesi më i mirë për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni! sb”, shkruan Berisha në Facebook./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button