Rritet pagesa e tatimeve mbi pronën në arkat komunale

Komunat e kanë rritur pagesën e tatimit mbi pronën, por prapëseprapë, niveli i pagesës së saj nga qytetarët është shumë i ulët. Përveç këtij fakti, mos-pagesës së tatimit – që kushtëzon komunat në mbushjen e arkës së tyre, ka edhe një fenomen tjetër, ai i pronave të paevidentuara fare. Sipas të dhënave të Qytetit të Shkupit, pagesa e tatimit zhvillohet më së vështiri në komunën e Sarajit dhe Shuto Orizares. Bilanci përfundimtar i buxhetit për vitin e kaluar tregoi se komunave nuk iu është paguar tatimi i pronës, në vlerë prej 7.5 milion eurosh. Në vend të kësaj, ato kanë hyrë në borxh, të brendshëm dhe të jashtëm, diku më shumë se 10 milionë euro.

“Sasia e Tatimit të paguar, që nga fillimit të procesit të decentralizimit, është në rritje. Sipas informatave të fundit nga BNJVL-ja, tatimi për pronën është paguar deri në masën e rreth 80 %. Nëse marrim parasysh se kemi filluar me vetëm 20 %, ky është një përparim. Por, komunat prapë nuk janë të kënaqura me pagesën dhe me evidentimin e tatimit të pronës. Synimi ynë kryesor është që të rrisim nivelin e pagesës dhe evidentimin e saj, pasi ato janë burimi ynë kryesor”, u shpreh Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Më tepër se 23 mijë qytetarëve dhe firmave, para disa kohësh, iu bllokuan llogaritë e tyre bankare, për shkak të mospagesës së tatimit mbi pronën. Qyteti i Shkupit ndërmori një fushatë për të detyruar pagesën e borxheve, të paktën deri para vitit 2008. Pagesa e detyrueshme u arsyetua me qëndrimin se, nëse borxhet nuk paguhen, ato i shtohen borxheve të tjera të qytetarëve, për vitet pasuese, deri më 2013-ën. Për borxhet e viteve të fundit, qytetarëve nuk iu bllokohen llogaritë, por marrin vetëm paralajmërime bllokimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button