Gazetarët penalizohen me dënime të larta nga funksionarët

Proceset gjyqësore për shpifje dhe fyerje ku politikanët apo bartësit e tjerë të funksioneve publike padisin gazetarët, mbarojnë shumë më shpejtë se sa proceset e tjera dhe në të shumtën e rasteve, në favor të funksionarëve. Gazetarët penalizohen me dënime ose me gjoba të larta. Ky është përfundimi i  disa prej përfaqësuesve të mediave në  Maqedoni pas monitorimit 4 mujor të disa proceseve gjyqësore ku gazetarët kanë qenë paditur për shpifje dhe fyerje. Në këtë monitorim, përfaqësuesit e medias thonë se gjyqësori është pasiv dhe selektiv, pasi punon në favor të bartësve të funksioneve publike. Për të vërtetuar këtë pohim, gazetarët kanë marrë si shembull edhe padinë e kryeministrit Nikolla Gruevski ndaj Tito Petkovskit, procesi i të cilit ka mbaruar për jo më pak se 8 muaj, dhe i padituri është gjobitur me 10 mijë euro. Kjo gjobë ishte më e madhja që është dhënë nga një gjykatë civile pas çkriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes.

“Roli i Gjykatës është që t’i mbrojë të drejtat e njeriut, e garantuar me ligj. Në kushtetutë shkruan se liria e shprehjes është e drejtë njerëzore. Gjithë çfarë duhet të bëjë Gjykata është që t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto të drejta… Të mos lejojë që këto padi t’i privojnë gazetarët nga puna e tyre e përditshme”,  deklaroi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

“Unë që në fillim isha skeptik dhe e dija se ky ligj do të na binte në kokë neve që duam të punojmë në mënyrë profesional, si dhe do t’u dilte në krah mediave pro qeveritare dhe politikanëve që të na censurojnë. Qëllimi është arritur!”, tha Aco Kabranov, kryeredaktor i portalit “Libertas”.

Kryeredaktorja e gazetës “Fokus”, Jadranka Kostovska tha se në rastin e padisë ndaj gazetës së saj mund të shihet qartë se gjykata është selektiv.

“Ndryshe u veprua vetëm në rastin kur paditësi ishte Mijallkov. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit por disa janë më të barabartë se të tjerët. Për funksionarët e lartë të VMRO DPMNE-së vazhdojnë rregulla të tjera. Çfarë bëjmë kur një media si Fokusi e cila që prej themelimit bën një politikë redaktuese ku pushteti dhe qeveria duhet të jetë vazhdimisht nën observim dhe kritikë, nga ana tjetër, pushteti dhe qeveria është e përqendruar në Ilindenska pa numër”, tha Jadranka Kostovska, kryeredaktore e gazetës “Fokus”.

Gazetarët kujtojnë se praktikat e Gjykatës së Strasburgut obligojnë shteti, të tregojë tolerancë ndaj gazetarëve nëse hapin ndonjë çështje të interesit publike; gazetarët të kenë më shumë qasje ndërsa politikanët të japin llogari publike. Mbikëqyrja e proceseve gjyqësore është bërë nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, dhe përfshin periudhën kohore nga fillimi i marsit deri më 15 qershor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Back to top button