Arifi priti përfaqësuesit e klubeve futbollistike të Tetovës

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot priti në takim përfaqësuesit e klubeve futbollistike të Komunës së Tetovës, gjegjësisht përfaqësuesit e klubeve, Shkëndija, Renova dhe Teteks.

Në takim u diskutua rreth zhvillimit të sportit në komunën e Tetovës, kurse theks i veçantë iu kushtua problematikës apo masës së FFM për ndalesë të lojërave të Ligës së parë në Stadiumin e qytetit në Tetovë.

Komuna e Tetovës paraqiti qëndrimin e prerë, së klubet tetovare duhet të luajnë në qytetin e tyre, dhe kjo padyshim se paraqet përcaktim parimor për të si institucion, i cili u shërben dhe punon në interes të qytetarëve.

Stadiumi i qytetit në Tetovë, me vendim të qeverisë disa muaj më parë iu dorëzua në pronësi Komunës së Tetovës, por për shkaqe procedurale, pranim-dorëzimi i objekteve sportive, përfshirë këtu edhe stadiumin e qytetit, u finalizua dhe hyri në fuqi disa ditë më parë.

Vlen të ceket se me këtë vendim, qeveria së bashku me të drejtën e pronësisë, komunës ia dorëzoi edhe të drejtat edhe obligimet që ajo ka ndaj koncesionerit, i cili aktualisht menaxhon me stadiumin.

Me të pranishmit u diskutua në lidhje me masat dhe hapat që duhet të ndërmerren, me qëllim që të reagohet sa me shpejtë, dhe fillimi i sezonit të ardhshëm ti gjejë si nikoqirë klubet vendase aty ku e kanë vendin, në Stadiumin e qytetit në Tetovë.

Për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi, i cili kërkon angazhim dhe përkrahje nga të gjithë palët e involvuara në proces, Komuna e Tetovës, ditët në vazhdim do të iniciojë takime edhe me përfaqësuesit e FFM si dhe koncesionerin aktual të stadiumit, me qellim tejkalimin e kësaj gjendjeje, respektivisht kthimin e lojërave të Ligës së Parë në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button