Shqipëria dhe Kosova i përgjigjen me notë proteste Maqedonisë

Sot u zhvillua një protestë e madhe paqësore e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që ka pasur tension mes Shkupit, Tiranës dhe
Prishtinës. Një ditë pas notës së protestës së dhënë nga qeveria maqedonase ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, ka ardhur një notë protestë si kundërpërgjigje nga Tirana dhe Prishtina. Ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë thirrurr ambasadorët përkatës të Maqedonisë për ti dorëzuar notën e protestës referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë thirri sot në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Tiranë për t’i shprehur  keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni. Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave. MPJ theksoi se kjo mënyrë sjelljeje  nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndër-etnike e harmoninë midis komuniteteve.Për më tepër, qëndrimet e Republikës së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar. Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar dhe ka shprehur në mënyrë sistematike mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë. Ambasadorit iu vu ne dukje se këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve”, thuhet ne njoftimin per shtyp te MPJ-se.

Me tej MPJ shton se “Republika e Shqipërisë është e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë.Ambasadorit maqedonas ju theksua se kemi përshtypjen se nota verbale e MPJ të Maqedonisë është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë  dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive. RSH e konsideron zbatimin në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit si shtyllën kryesore  të shtet-ndërtimit demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

Nje dite me pare Ministria e Jashtme e Maqedonisë u ka dorëzuar ditën e enjte një note proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup. Lajmi bëhet i ditur nga vetë kjo ministri e cila ka lëshuar gjithashtu një deklaratë në faqen e saj zyrtare. Në reagimin e ministrisë së Jashtme thuhet se dy ambasadorëve u është është dorëzuar një notë proteste lidhur me disa prej pikëpamjeve zyrtare dhe deklaratave të të dy vendeve në lidhje me protestat e dhunshme të organizuar në këtë vend. Ajo i konsideron këto deklarata si ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë të cilat nuk janë në përputhje me forcimin e besimit reciprok dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore./ mapo.al

Lajme të ngjashme

Back to top button