POP ANGJELKOJA DHE MEHMET DELIJA – HARAMBASHI I DRENICËS

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

Titulli është si në këngët popullore. Po edhe përmbajtja nuk është larg prej lëndës për dhjetërrokësh. Vetëm se popit i mungon kulla diku pranë Sitnicës e Ibrit. Do ta kishte pasur edhe këtë sikur pop Angjelko Neshiçi (ky ka qenë spiun serb, shën. i përkth.) të kishte qenë prej atyre punëtorëve kombëtarë të cilët krahas derteve për popull i çojnë mendtë edhe te shtëpia e vet, ta kenë ndonjë shtypshkronjë, ndonjë librari. Ai ishte prej atyre njerëzve të vërtetë: me dhjetëvjetësha të tërë me pushkë në dorë, me kokën në strajcë me gjithë besën te arnautët, me sytë përtej kufirit. Prandaj tash asgjë nuk ka përveç rrëfimeve për ato kohë dhe përveç një pushke automatike serbe dhuratë prej Isë Boletinit. Ende e ka syrin gjilpërë si në kohën e Tankosiçit. Kështu pardje kishte dalë në mejdan me djemtë e Isë Boletinit, Mujën dhe Ademin. Ademi i kishte thënë:

– Si gjuan tash me pushkë, o pop?

– Unë ende ashtu, si babai juaj.

– Hajt ta shohim.

E vunë një vezë njëqind metra larg, në një thupër të ngulur në dhe. E mori në nishan Ademi, kërciti dhe s’e qëlloi. E gjuajti edhe për së dyti, e lëvizi pakëz vezën nga shtrati, e i hidhëruar e lëshoi pushkën. E mori në nishan popi dhe me të parën e qëlloi vezën (Serbi duhet gjithmonë të jetë superior. (shën. i përkth.).

– Ishte rastësisht! bëri me dorë Ademi.

– Jo pasha shpirtin, ti e di. Yt atë kështu më thoshte: “Sa të jetë Turqia (Gënjeshtër. Për t’i nxjerrë shqiptarët si turq. Shën. i përkth.) këtu, unë do ta qëlloj nishanin, e kur të vijë Serbia, atëherë ti pop ta qëllosh. Dhe, prej kah mund të jesh ti tash më i mirë se unë?

– Uh! u hidhërua Ademi1.

– Njësoj gjuante popi edhe atëherë kur me Tankosiçin ishte në Qafë të Prushit. E merrte ai një ashkël në dorë, kurse Vojoja shkonte pakëz më larg, e shkrepte dhe e ndante përgjysmë me plumb. Pastaj Tankosiçi e mbante ashklën në lartësi të supave, kurse popi largohej dhe e ndante përgjysmë.

– Prit, edhe unë do të gjuaj, thotë Zare Angjelkoviçi.

– Ik ti! i thotë Tankosiçi. Unë vetëm syrit të popit i besoj, tjetër askujt!

Me popin është sikur me krali Markon. Kur është puna në hall: “Në emër të Zotit o krali Marko”! Kurse kur duhet të ndahet ndonjë pasuri: “Prej kah vjen ti o trim i panjohur”? E s’është tash puna për këtë muhabet, po ku e lamë e ku na mbeti, ta zbërthejmë atë titullin lart. Mehmet Delija është paraqitur prapë me çetën ka thuaja një muaj. E ka lënë venddimërimin në Shqipëri, bredh nëpër Drenicë, ndërron të shtëna me ndjekjet që ia bën pushteti, po ende nuk plaçkit. E pushteti kë do ta çojë te ai që të kërkojë prej tij të dorëzohet, përveç se pop Angjelkon. Ai refuzonte gjatë kohë. Po kur i erdh Ymer Binaku nga Kopshtijet (fshat në Kosovë), të dytë u ulën në automobil dhe u nisën e shkuan deri te Përroi i Keq. Automobilin e kthyen e shkuan malit përpjetë në këmbë. Mali ish gjelbëruar, tokës i vinte era e mirë, plimi i zogjve ia thoshte këngës, thuajse bënin garë midis vetes.. Një orë të tërë po ecnin malit, zë njeriu nuk dëgjohej. Vetëm gjethet fëshfërisnin dhe degët e thata kërcisnin nën këmbë. Askush nuk paraqitej. Më në fund popi shtiu katër herë me pushkë që ta paralajmërojë ardhjen dhe u ul pranë një gëmushe. Pas një gjysmë ore ia behën arritën dy patrulla kaçakësh, pastaj e lajmëruan edhe harambashin kush e kush kishte ardhur. Kaçakët ishin me pushkë, me rrethatore dhe me revole. Shumica kanë dylbi. Në çetë janë njëzet e pesë. Kanë edhe pushkë për të hedhur raketa. Nëpër strajca kanë dhe pakëz bukë, përndryshe prej gjithë asaj që bie në sy është një thes të cilin e mban një kaçak në shpinë. Janë rezervat e duhanit.

Kur erdh harambashi rojet u shpërndanë në të gjitha anët, kurse ai iu afrua popit dhe u mori ngrykë. Ky i fundit ia zgjati dy kuti cigare, e u ulën.

– Si je?

– Mirë. Po ju?

– Ja po mundohemi.

Mehmet Delija e hapi kutinë me cigare “Vardar”, e ndezi një dhe ia zgjati kutinë edhe popit të shërbehet.

– Faleminderit, nuk pi. Agjëroj para Pashkëve.

– E, pasha Zotin, ta kisha ditur as unë s’do ta kisha ndezur. Ndoshta e ke vështirë kur i sheh të tjerët kur pinë duhan.

– Jo, jo. Pini ju lirisht.

– Tash edhe ne kemi ramazan, po te ne në çetë treshi i shenjtë agjëron4.

– Unë erdha t’ju shoh dhe t’ju them mos të bëni punë të këqija. Po prej kah ti Mehmet dole këtu prapë? Mirë të pat çuar djalli në Shqipëri…5

– More për pak desh më vrau Cena Beu. Këndej mbaju mirë me mua, shëtit andej këndej derisa një ditë më rrethuan. Mezi shpëtova.

– E mundesh edhe këtu ta shpëtosh, vetëm të dorëzoheni… Së paku ata që nuk kanë bërë krime6. Dhe, të gjithë ata që kanë nga diçka. T’i gjykojë gjyqi, ta mbajnë dënimin e të shkojnë nëpër shtëpitë e veta.

– Për këtë punë paske ardhur, a?

– Po, për këtë punë.

– Mirë, pra. Zbrit në Kotorr te Kola, kurse ne do të vijmë pas darke, e ta kuvendojmë në hollësi këtë punë. Po deshe po ta jap një përcjellje.

– Nuk duhet. Do të shkoj me Ymerin.

– Kur pas darke Kola kishte filluar t’i pjekë kafe popit, erdhën kaçakët. Dymbëdhjetë mbetën të bëjnë roje, kurse trembëdhjetë hynë në shtëpi. Në dritën që i binte që nga pragu përvijëzohej figura e Mehmet Delisë të lindur në Radishevë, përndryshe nxënësi kryesor i Azem Bejtës. Ai është burrë i shkurtër, i hollë, i lehtë, bjond, me buzë pak si të trasha. Është i zgjuar dhe sytë i fluturojnë prej një sendi në tjetrin me shpejtësi. Në çetë tash s’i ka kaçakët e dëgjuar Fazli Beranin dhe Ibrahim Bajramin. Po tash e ka Arifin e Banjës. E ka marrë edhe të vëllain, një çun prej nja pesëmbëdhjetë vjetësh. E ka marrë nga droja, siç thotë, mos ta vrasë dikush nga hakmarrja.

– Po si je o Mehmet? e pyet popi.

– Ta them të drejtën nuk jam mirë. Më së keqi ndjehem se arnautët nuk japin bukë. Ju lutesh një bukë të ta japin… A kanë frikë a çka dreqin kanë… Bile para se të vije ti doja ta bëj një nam në Kopiliç, e thashë: hajt se vjen popi, le t’i marrë djalli. Kurse para tri ditësh më bëri vaki kjo punë. Hyra unë në një fshat, kur të gjithë burrat ia mbathën, ikën, nëpër mal, kurse gratë i mbyllën dyert. E shtyva një dritare dhe brenda në dhomë e pashë një grua në këmishë të shtrirë në shtrat. Ishte mbështetur në dorë dhe po më shikonte. Dhe e bukur ishte. – “Ku e ke burrin”? e pyeta. – “Nuk e di” më tha. – Po ai qyqan a e merr si turp më të vogël këtë që kam hyrë në dhomë të gruas se sa të ma japë një bukë”? Po nuk më shkoi mendja për të keq. Vetëm e urdhërova të më sillte bukë dhe shkova.

– Po s’më tregove si është në Shqipëri?

– Po ja si është. Unë kam qenë me Bajram Currin dhe jam zënë me Ahmet Beun. Dhe dështuam. Ahmet Beu kishte topa, e nuk e përballuam dot. Mua më plagosën një grimë dhe u dorëzova. Desha madje të shkruhem në partinë e tij. Po kur e vrau Gurakuqin populli i Shkodrës u ngrit kundër tij. Tash e vranë edhe Bajram Currin. Zemra më dhemb për të. Të gjithë ne jemi në partinë e priftit (Fan Noli). Kurse Ahmet Beu nuk do të mund të qëndrojë më shumë se dy muaj. Kurdo që del e ruajnë nga dyzet njerëz. Po s’do t’i ndihmojnë as këta. Hë, desha të të pyes: në cilën parti të shkruhem këtu? Se po të shkoj te radikalët, do të më ndjekin demokratët, e po shkova te demokratët do të më ndjekin radikalët.

– More, s’kam ardhur unë për punë partish. S’kemi ndonjë fajde as ne prej tyre, e mbetëm edhe ty pa të regjistruar7 .

– Çka ka të re në politikë, ç’ke dëgjuar ti?

– Për zotin unë në ato punë nuk marr vesh shumë. Po edhe s’kam dëgjuar diç të re.

– E unë po të tregoj. Rusia po bëhet gati për luftë dhe brenda një viti do të bëjë luftë, por nuk e di me kë. Dhe të gjithë këta kufij do të ndërrohen. Kurse Mali i Zi do të ndahet prej Serbisë.

– Ne s’dimë gjë për këtë punë.

– Po, po. Kam folur unë me disa njerëz një Shqipëri.

– Mirë, po çka të bëjmë ne me ty brenda atij viti?

– E di çka, o pop. Unë serbët s’i kam vrarë dhe me pushtetin s’kam asgjë. I kam nja pesëmbëdhjetë “gjaqe” arnautësh dhe kjo është e tëra. Do të isha dorëzuar kësisoj. Naçallniku të m’i lërë tri komuna që të endem i lirë aty. Vetëm bukë të më japin, kurse unë mos ta nguc askënd. Ose si të duan edhe çetën ta shformoj. Cili nga kaçakët s’ka kurrfarë faji, le të dorëzohet. Mua naçallniku le të m’i japë disa serbë, e të përgjigjem  për rend e për qetësi deri në Istog. Zoti një është, do ta mbaj “besën”.

– Mirë! Unë do t’i tregoj naçallnikut, e ai si të dijë e si të dojë.

– Po ne e kemi biseduar: kemi dëshirë që ti personalisht të shkosh te ministri në Beligrad.

– E pse? Ti mendon se pop Angjelkoja është patron dhe kur t’ia dojë qejfi çohet e shkon në Beligrad?

– Dëgjo, o Kolë, u kthye Mehmet Delija kah i zoti i shtëpisë. Ju serbët më shumë hiqni prej nesh. Ju ende nuk jeni çliruar. Të mblidhni kush pesëdhjetë, kush gjashtëdhjetë banka dhe t’ia jepni popit të shkojë në Beligrad.

– Jo, jo, refuzoi popi. Nuk mundet të anashkalohet naçallniku.

Hyri në dhomë kaçaku Malë Idrizi, i cili udhës për Pejë i kishte plaçkitur vitin e kaluar dy milionë të holla të shtetit. Një burrë i gjatë, i bukur, gazmor, këngëtar i mirë, i martuar me shkinë8. Ka blerë shtëpi në Shkodër. Thotë se në shtëpi të tij rri njëfarë konsulli. Edhe gruan e ka atje.

– A edhe ti paske ardhur prej Shqipërie, o Malë? e pyeti popi.

– Erdha. E kam mundur edhe të mos vijë. Më kërkoi një njeri njëqind lira që të ma sigurojë vendqëndrimin e lirë. Kurse unë nuk isha fort i disponuar t’ia jap të hollat.

– Si i plaçkitët tërë ato të holla, pashë Zotin?

– Po na lajmëroi njëri nja një javë më parë, e ne pritëm. I dhamë njëzet mijë për këtë.

– E a po më tregon në besë kush ishte ai njeri?

– Kur të vish herën tjetër, të tregoj.

– O Malë, na jep edhe neve ndonjë para, kur ke aq shumë, nisi të bëjë shaka popi me të.

– Po more pop Angjelko, do të të jap, pasha Zotin. Vetëm eja në çetën tonë, e do të blejë të hash e të pish çka të të dojë shpirti.

– O, ho, ho, ho, qeshën kaçakët.

– Malën e kemi më gazmorin ndër ne, thotë Mehmet Delija. Na këndon dhe na e heq mërzinë. Hajde, Malë, rroke një.

Kurse Mala nuk pret dy herë të lutet, po i ngre pakëz vetullat, e ia nis me sy gjysmë të hapur një këngë arnautësh të dashurisë. Në të djali i flet një femre:

O, какве имаш очи

            Као ноћ тамне,

            O, какве имаш зубе

            Као од бисера,

            О, како крећеш бедрима

            Као пауница:

            Да ми је само једну ноћ

            Провести с тобом.

 

Kurse ajo i përgjigjet:

 

Хајд не лудуј, лудо младо,

            Будала си ти

            Метни само мало главу

            Под моје ѕулуфе,

            Па иди

(Këto vargje të dhëna këtu në bazë të pak elementeve të mbajtura mend nga autori, i cili të dhënat i ka marrë nga pop Angjelko Neshiçi, nuk japin  mundësi të zbulohet se për cilën këngë bëhet fjalë, në të vërtetë. Ja përkthimi i vargjeve të Jeliçit):

            O ç’ma paske synin

            futë sikur nata

            O, ç’m’i paske dhambët

            si gurë xhevahiri,

            O, si m’i përdredh kryqet

            sikur vidra:

            Veç nji natë

            ta kaloj me ty

 

Kurse ajo i përgjigjet:

Hajt more axhami

            Mos u ban budallë

            Qite kryet pak

            Nën flokët e mi

            E shko…

 

            Dhe të gjithë kaçakët i kaploi një disponim i mirë për sevda dhe për ndeje.

Pop Angjelkoja u kthye të nesërmen në Mitrovicë dhe e dorëzoi raportin. Mendonte se me kaq roli i tij kishte marrë fund. Mirëpo xhandarët, të cilët nuk çajnë kokë për besë e për idilë vendosën ta shfrytëzojnë takimin e popit me kaçakët dhe shkuan në Kotorr dhe  vendosën prita rreth shtëpisë së Kolës. Nuk i kishin bërë mirë, siç do të shihet më vonë. Një arnaut të sigurt e çuan te Mehmet Delija. Ai i tha se pop Angjelkoja e ftonte në një takim në të njëjtin vend, ku ishin takuar edhe më parë.

Dhe të enjten, pas Pashkëve, në mbrëmje, kaçakët erdhën në shtëpi të Kolës. Por erdhi më së pari vëzhguesit, nja shtatë veta. Njëri nga këta të shtatët iu afrua mashnës, ku ishin fshehur tre xhandarë, dhe e pa njërin prej tyre. S’kishin kah ia mbajnë, e plasi plotuni. Mbetën në vend, të vrarë, tre kaçakë: Xheladini i Lubocit, Beqir Kotorri dhe Arif Vinarci. Të katërtin, i cili ishte i plagosur rëndë, e pas pak kishte vdekur, e gjetën këto ditë të varrosur në mal. Revolja e Malës kishte mbetur po ashtu në vend të luftës. Kurse pas vëllait të Mehmetit ia dhanë breshëri plumbash, mirëpo ai duke ikur si lepur ia doli të shpëtonte. Të nesërmen erdhi në komunë dhe u dorëzua. E lëshuan në shtëpi. Edhe tre vetë nga Çeta e Mehmetit u dorëzuan pastaj përmes pop Angjelkos. Nuk e dinin prej asaj nate ku e kishin harambashin. Me që nuk mbanin përgjegjësi për asgjë, edhe ata i lëshuan në shtëpi. Në Drenicë flitet se Mehmet Delija ka shkuar në drejtim të Gjakovës.

Kurse pop Angjelkoja është pak i dëshpëruar. “Pse, vëlla, në emrin tim t’i bëjnë këto punë. Unë e mbaj besën gjithmonë, e madje edhe për Mehmet Delinë. Dhe, ma kanë bërë një të bela: tash nuk guxoj të shkoj më në Drenicë pa armë të fortë”.

Maj 1925

1Këtu është një shembull i mirë përmes së cilit në mënyrë shkollore mund të bëhet dallimi midis trillimve dhe imagjinatës

4Ahmet Delija edhe po të mos agjëronte, nuk do ta kishte thënë kurrë këtë shprehje.

5 Sërish trillime

6 Pallavrat e njëjta që serbët i përsërisin në ndjekjet kundër shqiptarëve

7Gënjeshtër: popi i frikësuar do të ketë qenë aq arrogant ndaj një luftëtari me aq simpati e autoritet!…

8Serbët martesat i kanë përdorur për qëllime politike


LEXO PJESËN PARAPRAKE: NGA MBRETËRIA E KAÇAKËVE

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button