Protesta në Bruksel kundër rastit “Monstra”

Komuniteti shqiptar i Belgjikës proteston përsëri këtë të premte 11/07/2014 në Bruksel kundër shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminimit dhe aparteidit ndaj Shqiptarëve të Maqedonisë dhe kërkon ndërhyrjen e instancave ndërkombëtare për të parandaluar një luftë të re të mundshme në Ballkan.

Protesta në Bruksel do të filloi nga ora 13:30 në Place du Luxembourg, afër selisë së Parlamentit Evropian. Programi i protestës do të prezantohet nga Aktori Shqiptar Vildan Maksuti. Do te ketë edhe shumë fytyra te tjera publike si Deputeti i parë Shqiptar ne Belgjik Amet Gjanaj i cili është poashtu kryetari i Shoqatës Albabel përmes se cilës zhvillohet shkolla shqipe Vatra, grupi i valleve Vatra dhe qendra kulturore Vatra në Bruksel.

“Të shqetësuar nga dhuna ekstreme e policisë kundër protestuesve shqiptarë të Maqedonisë, qindra arrestimeve, gjykimeve politike tërësisht të montuara, mijëra të burgosurve politikë shqiptarë, komuniteti shqiptar i Belgjikës paralajmëron për një
konflikt të armatosur të mundshëm në Republikën e Maqedonisë.

Shqiptarët ngacmohen në mënyrë të vazhdueshme nga policia maqedonase, rrihen në rrugë pa asnjë arsye, ndërsa në një lagje të Shkupit, dyqanet e tyre janë djegur dhe pronat janë plaçkitur duke riprodhuar skena të një tjetër kohe. Gazetarët shqiptarë janë rrahur. Kjo të kujton spastrimin etnik nga Serbia e Millosheviçit i cili shkaktoi më shumë se 200.000 të vdekur në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Mos vallë duhet të ripërsëriten këto masakra që bota të reagojë ?

Vetëm një ndërhyrje urgjente të komunitetit ndërkombëtar do të mund t’i japë fund kalvarit të shqiptarëve. Komuniteti shqiptar i Belgjikës i kërkon Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Shkupit që të ndërpriten urgjentisht shkeljet e të
drejtave të njeriut dhe të pezullohet ndihma ekonomike për Maqedoninë gjer sa të respektohen të drejtat e njeriut.

Komuniteti Shqiptar i kërkon Belgjikës në veçanti që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Shkupit dhe të ofrojë asistencë për krijimin e një shoqërie të vërtetë demokratike, ku të gjithë komponentet e shoqërisë do të mund të gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e njeriut dhe të jetojnë në harmonie me njëra tjetra.

Komuniteti Shqiptar i Belgjikës kërkon gjithashtu rigjykimin e çështjës së vrasjëve të shumëfishta që çoi në dënimin e përjetshëm të 6 Shqiptarëve të pafajshëm dhe nxiti Shqiptarët që të ngrihen në këmbë për të protestuar në qytete të ndryshme të Maqedonisë dhe të botës”, thuhet në reagimin e Komunitetit shqiptar të Belgjikës.

Lajme të ngjashme

Back to top button