Ditar Ramazani-13

Nuk ka dyshim se besimtarët janë vëllezër. Ata ia duan njëri tjetrit atë që e duan për vetveten dhe e urrejnë për njëri-tjetrin atë që e urrejnë për vete. Këto janë besimtarët që Allahu i vëllazëron në Kuran. Janë shembull i popujve të kësaj bote. Besimtarët janë si tulla të një ndërtese ku secila tullë plotëson ndërtimin e ndërtesës. Nëse vetëm një tullë mungon, ndërtesa rrëzohet.

Besimtarët janë si një trup i vetëm. Kur vetëm një pjesë e trupit sëmuret, i tërë trupi e ndjen dhimbjen. Ka shumë hadithe dhe ajete kuranore që flasin në këtë temë. Po realiteti prapë ndryshe. Ne shohim besimtar që ndërmjet veti janë të ashpër, ndërsa të mëshirshëm me armiqtë e besimtarëve. Shohim besimtar që ndërmjet veti tradhtojnë, ndërsa me armiqtë e besimtarëve janë në marrëdhënie besnikërie. Ata spiunojnë besimtarët të armiqtë e besimtarëve për një çmim shumë të lirë.

Kjo katandisje e popujve mysliman është reflektim i brendshëm i tyre. Zemrat e tyre fshehin dashurinë për dynjanë dhe urrejtje për ahiretin. Realisht kjo gjendje duhet të jetë dashuri për botën tjetër dhe urrejtje për këtë botë. Kështu së paku na mësojnë hadithet e Pejgamberit Muhammed alejhi selam.

Edhe pse gjatë Ramazanit djajtë prangosen, prapë në mesin e myslimanëve gjen të tillë që janë të ndikuar nga djalli i mallkuar. Ata nuk harrojnë aspak veset e tyre të këqija dhe Ramazani tek to ka ndryshuar vetëm orarin e fjetjes. Në vend se të flenë natën ata flenë ditën.

Sot shohim gjakosjen dhe shkatërrimin e myslimanëve me sy prej dhomave tona, ndërsa nuk shprehim asnjë ndjenjë dhembshurie. Kemi filluar që të shndërrohemi tamam në monstra që nuk e njohim veten. Ose përveç vetes nuk njohim askënd në këtë botë. Kur të bie ndesh interesi i jot personal ndaj atij grupor, aty matet besimi jot. Reagimi në atë rast tregon se çfarë rruge je duke ndjekur.

Ata po na akuzojnë për terrorizëm, ndërsa ne po e përjetojmë terrorizmin. Jo vetëm terrorizmin e hedhur mbi ne nga armët e tyre, por edhe të përgatitur prej tyre e të vendosur në meset tona.

Ti je pjesë e terrorit psikologjik ndaj myslimanëve nëse ndaj tyre nuk sillesh me respekt. Nëse mendon se të gjithë njerëzit duhet ta lëshojnë rrugën vetëm me pretekstin se ti falë namaz ndërsa të tjerët jo, në fakt je terroristi numër një në vendin ku jeton.

Myslimanin namazi e ndryshon për të mirë e jo për të keq. Ai ndryshon sjelljen e tij në momentin kur fillon që të fal namaz, i përshëndet të gjithë, bëhet i dashur për të gjithë, nuk e ofendon askënd, nuk shanë e nuk mallkon. Jeton tamam si një njeri vizionar që e mendon të ardhmen e vetvetes dhe shoqërisë në çdo sekondë të jetës së tij. Namazi duhet të jetë për ty një transformim shoqëror para se të jetë transformim shpirtëror.

Të parët tanë e kuptuan mirë konceptin e vëllazërisë, prandaj edhe arritën aty ku arritën. Tash ka ngel që edhe ne të rikthehemi aty ku duhet.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button