Brenga e maqedonasve vjen nga frika e tyre për ta pranuar të vërtetën tonë

Brenga është gjendje shpirtërore e cila karakterizohet me frikë, lodhje dhe paragjykime të shumta. Kjo është një nga sëmundjet më të përhapura të kohës sonë. Siç duket, në kohën e fundit, brenga e ka kapluar palën maqedonase duke i cenuar të drejtat tona, duke na akuzuar pa të drejtë, por për fat të mirë, kjo frikë e tyre nuk zë vend tek ne shqiptarët, pasi që ne jemi një popull guximtar, që kemi aftësi për t’u përballur me frikën.

Padrejtësitë të cilave u nënshtrohen vite me radhë shqiptarët, ballafaqimi me situatën aktuale, e cila është për t’u shqetësuar, kur shqiptarëve u cenohen të drejtat pandërprerë, janë çështje të cilat e preokupojnë secilin nga ne.

Shqiptarë të nderuar, ne jemi popull i rezistencës, që u kemi bërë ballë shumë torturave, padrejtësive të shumta në çdo kohë dhe në hap të jetës sonë, injorancës, hakmarrjes, shkeljes së të drejtave dhe shumë çështjeve të tjera. Por, mbi të gjitha, përballë këtyre padrejtësive dhe të gjitha orvatje për të na mposhtur, ne kemi qëndruar kryelartë dhe nuk jemi dorëzuar, ashtu siç nuk dorëzohemi edhe sot. Nuk dorëzohemi nga shkaku se në momentin që të tjerët dëshirojnë që ne të dalim humbës, ne jemi nga ata që në raste të këtilla fitoren e duam më shumë. Nuk jemi popull që rrëzohemi aq lehtë, siç e dëshirojnë të tjerët, por përkundrazi, ne kemi fuqi që të ngrihemi në këmbë dhe të qëndrojmë kryelartë dhe të mbahemi të fortë me mirësitë dhe virtytet njerëzore të pazëvendësueshme që i kemi.

Ne jemi popull autokton i këtij vendi dhe kundërshtarët tanë e urrejnë të vërtetën dhe frikohen nga ky fakt. Por, për fatin e mirë dhe për hir të së vërtetës, nuk na bëhet vonë kurrë, për shkak se ajo një ditë do të triumfojë. Sigurisht që në pritje duhet durim. Njeriu i zgjuar, që gjendet mes të marrëve, është i ngjashëm me atë që e ka orën në rregull në një qytet, ku kambanat që lajmërojnë kohën bien gabim. Ai vet e di orën e saktë, por çfarë i duhet? Të gjithë mbështeten tek ora e qytetit, madje edhe ata që e dinë së vetëm ky njeri e ka orën të saktë. Ashtu siç mbështeten të gjithë qytetarët tek politikanët tanë, për zbardhjen e rastit ,,mostra”, por, siç duket, kjo gjë për fat të keq është duke hasur në vesh të shurdhër. Vallë, a e dinë këta politikanë se ç’do të thotë fjala ndërgjegje? Këta politikanë të cilët në periudhën e zgjedhjeve si lypsarë trokasin nëpër shtëpitë e qytetarëve për të kërkuar votat e tyre, ndërsa sot po të njëjtit janë tretur në labirinte, të cilat nuk kanë rrugëdalje. Mjerim për popullin tonë, që nuk din t’i vlerësojë njerëzit e duhur! Jo rastësisht jemi në këtë gjendje të mjerueshme ku hipokrizia nuk ka të ndalur…

Lajme të ngjashme

Back to top button