RASTI I ASHTUQUAJTUR ‘MONSTRA’ MBAN VULËN DHE GARANCINË E BDI-SË

A ju kujtohet greva e minatorëve të Trepçës në vitin 1989 … dhe deklaratat e Rrahman Morinës e shokëve të tij: ‘dilni nga zgafellat që të mund ta zgjidhim problemin në mënyrë institucionale’. A nuk ju ngjan kjo me protestat e ditëve të fundit … dhe deklaratat e atyre që janë sot në pushtet, si Rrahman Morina dikur … ‘ndaloni protestat dhe na lini ta zgjidhim problemin në mënyrë institucionale’!

Megjithatë në rastin e ashtuquajtur ‘Monstra’ ka diçka edhe më të rëndë. Rasti ‘Monstra’ ka vulën e BDI-së … dhe garancinë e dhënë po nga BDI-ja. I akuzuar para pak ditësh, nga një OJQ, për deklaratat e bëra dy vjet më parë, zëdhënësi i BDI-së, duke u munduar në mënyrë qyqare ta lajë veten, ia hodhi përgjegjësinë partisë së tij. ‘Kam paraqitur qëndrimet e partisë’ – deklaroi ai. Por, meqë përsëritja është nëna e të mësuarit, le të kthehemi dhe të shohim se cilat ishin vendimet e Kryesisë së BDI-së,të deklaruara nga zëdhënësi i saj (duke i mbrojtur ato qëndrime edhe personalisht), dy vite më parë kur u arrestuan personat e akuzuar dhe dënuar së fundmi http:/www.youtube.com/watch?v=59Ux05-t0zk#t=365 :

1. (1:37-1:51) “BDI do të garanton transparencën e procesit dhe do të garanton që asnjë qytetar shqiptar nuk do të fajsohet ose, cilido qytetar i Maqedonisë nuk do të fajsohet, nëse nuk ka dëshmi për këtë”

2. (2:40-2:59) “Pas vrasjes së pesfishtë në Smilkovc ju e dini që u formua një grup operator në nivel ekspertësh, në të cilin participonin edhe shqiptarët edhe maqedonasit. Shqiptarët që janë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ekspertët që i kemi kanë participuar në çdo nivel të investigimit”

3. (3:52-4:14) Në momentin kur grupi i ekspertëve ose pjesa operative i propozon udhëheqësisë politike në Ministri, ju atherë duhet të vlerësoni se a do të veproni më tutje. Udhëheqësia politike (dy partitë politike që udhëheqin me qeverinë (sqarim në 4:46-4:51) ka lejuar kapjen e atyre për të cilët ka dëshmi biologjike materiale”

4. (5:40-5:47) “Ne kemi kontaktuar edhe me policët që kanë marrë pjesë në operacion dhe në asnjë moment nuk janë tejkaluar kompetencat e policisë”

5. (12:37-12:54) “ BDI garanton, garantojmë para opinionit se nuk do të lejojmë që asnjë shqiptar të dënohet i pafajshëm. Këtë e kemi dëshmuar edhe në rastin e Sopotit, kur e kemi rikthyer procesin shtatë vite pas, garantojmë shqiptarët me plot përgjegjësi se nuk do të lejojmë edhe një montim të tillë”

GARANCIA! – ajo nuk lë shumë hapësirë për manipulime. Tani që të akuzuarit janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me vendim gjykatë, ose BDI-ja duhet ta pranojë vendimin e gjykatës, duke deklaruar se gjykata e ka thënë fjalën e saj dhe se BDI-ja e realizoi garancinë e dhënë, duke mos lejuar që të dënohet asnjë i pafajshëm, ose BDI-ja duhet të mbajë përgjegjësi dhe të jap llogari për garancinë e dhënë dhe të parealizuar. Rrugë të tjera, si ato të kurvërisë politikë, siç mundohen të përdorin mjaft eksponentë të BDI-së, nuk pijnë ujë.

Dy vite janë absolutisht të mjaftueshme dhe të tepërta, nëse dikush ka patur ndër mend apo ka dashur dhe ka mundur ta zgjidh këtë problem. Rrenat se pas dy vitesh pushimesh, tani BDI-ja do angazhohet institucionalisht për ta zgjidhur problemin, janë vetëm arsyetime mashtruese për ikje nga garancia e dhënë vet zëshëm, dy vite më parë.

IKJA NGA GARANCIA! – BDI edhe VMRO e kanë ditur prej më herët se të akuzuarit në rastin ‘Monstra’ do të dënohen, prandaj edhe shpallja e vendimit, e caktuar para formimit të qeverisë, u shty pas formimit të qeverisë – me arsyetimin se u sëmur gjykatësi – ndërkohë që qëllimi ishte që formimi i qeverisë të mos ndodhte në periudhë konfliktesh dhe jostabiliteti nga reagimet kundër vendimit të gjykatës.

BDI-ja prej kohësh e ka shëndrruar rrenën në mekanizëm për manipulimin e opinionit, duke e kthyer atë në një lloj shkence dhe art të vetin. Në periudhën pas vendimit të gjykatës për të akuzuarit në rastin ‘Monstra’, BDI-ja është angazhuar fuqishëm për devijimin e problemit, si mënyrë për të fituar kohë dhe për ta zvarritur çështjen, duke bërë që të dënuarit dhe familjarët gradualisht të pajtohen me fatin e tyre. Kësaj strategjie i shërbejnë edhe sulmet personale në drejtim të Geshkovskës, nga televizioni privat që në mënyrë perfide është në shërbim të BDI-së – thua se po të ishte Markovska apo Petkovska do të kishte ndonjë vendim ndryshe – në vend të kërkim llogarisë nga BDI-ja për garancinë e dhënë, në studion e tij. Strategjisë së devijimit të problemit dhe zvarritjes së çështjes, deri në pajtim me fatin, i shërbejnë edhe deklaratat që ofrojnë si zgjidhje gjoja reformimin e sistemit gjyqësor – procese këto që zgjasin me dekada e që vështirë se kanë për të ndodhur – thua se të dënuarit do të jenë të lirë, derisa ndonjë deputete heroike do ta reformojë këtë sistem – mbase tani pa marrë më edhe nga 500 euro në muaj, shpërblim shtesë pa asnjë angazhim, veç rrogës së deputetit, si ai nga ish ministri i mbrojtjes.

Të njejtit qëllim, atij të imponimit të pajtimit me fatin e të dënuarve ofrojnë edhe thirrjet për t’i lënë protestat e për ta zgjidhur problemin institucionalisht, nga ata që kur nuk ishin vet në pushtet gjuanin institucionet me gurë dhe nuk u linin kohë që t’i zgjedhin problemet institucionalisht. Përpjekja për tu arsyetuar me mundësinë e ankimit në gjykatën e apelit ose edhe në atë të Strazburgut është një mashtrim i qëllimshëm, pasi gjykata e apelit (qoftë edhe nëse e kthen çështjen për rigjykim në shkallën e parë vetëm formalisht, duke e zvarritur, pa i liruar të burgosurit) është nën diktatin e të njejtëve njerëz si edhe gjykata e shkallës së parë, ndërsa ajo e Strazburgut nuk ka për tu marrë me rastin ‘Monstra’. Edhe më joserioze janë tezat e Kryetarit të BDI-së për ta hedhur përgjegjësinë tek organizatat ndërkombëtare, kur dihet se ato fare nuk përzihen në proceset gjyqsore.

BDI llogarit se familjarët e të dënuarve janë zënë si në situatën e personit që është duke u mbytur dhe kërkon të shpëtojë duke u kapur në fijen e kashtës dhe BDI e sheh këtu veten si e vetmja ‘fije kashte’ që mund të ju ofrohet atyre. Ajo ka llogaritur se familjarët do të enden zyrave të tyre me vite, derisa të pajtohen me fatin, ashtu siç detyrohet pajtohet me fatin, pas shumë përpjekjesh, familja e një të sëmuri me kancer. Këtë lojë ka llogaritur dhe po luan BDI-ja dhe satelitët e saj.

E vetmja gjë që BDI-ja nuk e ka llogaritur se do të ketë këtë rrjedhë, janë protestat.

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ja kjo mungonte, nje ze puro profesional, plotearsyeshem profesional.
    Ky tekst duhet perkthyer maqedonisht dhe botuar ne Utrinski per shembull.
    Punet jane pisk, tash sa kohe, kurse per cudi “ma sagllam” na del qe kishte qene koha e PPD-se, asnjehere s’kam besuar se do vije dita ta them kete.

Back to top button