Biletat e Botërorit, zyrtari i shmanget arrestimit

Ray Whelan, drejtorin e një kompanie partnere të FIFA-s është larguar nga hoteli për t’i shpëtuar arrestimit mbi shitjen e paligjshme të biletave të Kampionatit Botëror, ka bërë të ditur policia braziliane. 

Shefi i policisë, Fabio Barucke tha se Whelan ishte konsideruar i arrestuar. Më herët gjatë së enjtes një gjyqtar kishte pranuar një padi të ngritur ndaj britanikut dhe 11 personave të tjerë, të cilët konsiderohen si pjesë e një rrjeti ndërkombëtarë që merreshin me këtë aktivitet të paligjshëm.

Policia deklaroi se më shumë se 90 milion dollarë janë përfituar nga personat të cilët kryenin shitjen e paligjshme të biletave. Kjo skemë mendohet të ketë funksionuar në 4 botërorë. Personave të arrestuar u sekuestruan gjatë arrestimit 100 bileta, kompjutera, celularë dhe një shumë parash.

Whelan, 64 vjeç, u ndalua të dielën nga policia, por u la më pas i lirë pasi ishte marrë në pyetje nga autoritetet.

Në një deklaratë të dhënë pas ndalimit të tij ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e ngritura, por u shpreh i gatshëm të bashkëpunonte me drejtësinë.

Policia në Ri de Janeiro bëri të ditur se kishte shkuar në dhomën e hotelit të Whelan, por ai nuk ndodhej aty dhe ishte larguar rreth një orë më herët se të mbërrinte policia. Shefi i policisë së Rio-s tha se pas vëzhgimit të kamerave 64 vjeçari është larguar nga hoteli nga një derë e shërbimit.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button