Apelohet për protesta të qeta dhe pa dhunë

Fillojnë apelet për protesta të qeta dhe demokratike kundër rasteve të montuara të cilat do të zhvillohen gjatë ditës.

Pas tensionimit të situatës në Shkup, pas protestave të 4 korrikut, kryetari i OJQ Civil, Xhabir Deralla vlerëson se partitë politike janë ato që kanë në dorë zbutjen e situatës dhe qetësimin e protestuesve.

“Institucionet shtetërore kanë instrumente për të ndalë tensionet dhe duhet të marrin masa që këtë ta bëjnë sa më shpejtë si dhe të apelojnë që mos të ketë dhunë. Sipas mendimit tim partitë politike duhet të dalin me deklarata për të qetësuar qytetarët dhe të ndikojnë në protestë në mënyrë pozitive”, tha Deralla për Portalb.

Ai shtoi se po ashtu partitë politike sidomos ato në pushtet do të duhet të garantojnë siguri dhe  të premtojnë se nuk do të ketë maltretime nga ana e policisë.

“Qeveria duhet të garantojë siguri për qytetarët e saj si dhe të premtojë se policia nuk do të maltretojnë asnjë nga protestuesit si dhe të premtojë se do të punohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend”, shtoi Deralla.

Gjithashtu edhe Driton Zenku, gazetar bën të ditur se protesta është një e drejtë demokratike, por se edhe ajo ka një bazë ligjore që duhet ta respektojë.

“ E drejta e protestës është një nga të drejtat fondamentale për një shoqëri demokratike,  e njohur edhe nga konventat ndërkombëtare. Pra, protestat janë të lejuara në shtetet demokratike dhe si të tilla janë edhe të garantuara me kushtetutë. Megjithatë edhe protestat duhet të kenë bazë ligjore, siç është paralajmërimi tek organet kompetente nga ana e organizatorëve”, tha Zenku për Portalb.

Sipas Zenkut, protesta quhet e organizuar nëse ndonjë subjekt qëndron pas protestës, mbi të gjitha protesta duhet të ketë edhe kërkesa të qarta.

“Në parim mbështetës çdo protestë që synon të demaskon apo të nxjerrë në pah ndonjë padrejtësi që i bëhet ndonjë komuniteti etnik, fetar, kulturor e tjerë. Por protesta mund të quhet protestë deri në momentin kur protestuesit revoltën e tyre e shprehin në formë paqësore dhe demokratike. E kundërta siç është dhuna apo elementet e tjera dekonstruktive siç erdhën në pah tek protestat e dhunshme të organizuara në lagjen “Gjorçe Petrov” disa javë më herët, janë të papranueshme dhe nuk pranohen në shoqëritë demokratike. Edhe organet e rendit përgjegjëse për sigurinë publike nuk duhet në asnjë moment të nxisin ose provokojnë protestuesit. Psikologjia e turmës është e ndjeshme, nuk lejon provokime në asnjë mënyrë”, shtoi  Zenku.

Liderët partiak, ata fetarë,  banorë të Maqedonisë, OJQ dhe persona të njohur akademik e politik në Maqedoni e gjetkë gjatë ditës së djeshme kanë apeluar për gjakftohtësi dhe protesta pa dhunë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button