Maqedonia, notë proteste Shqipërisë dhe Kosovës: Mos ndërhyni në punët e brendshme

Pas takimeve disa orëshe, Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme u ka dorëzuar notë proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, ku gjykohen deklaratat e zyrtarëve shqiptarë lidhur me zhvillimet në Maqedoni, si dhe ndezja e flamurit maqedonas në Kosovë.

Në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme Maqedonase, deklaratat e dhëna nga zyrtarët shqiptarë janë vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Ambasadorëve të këtyre dy vendeve u tërhoq vërejtja se qëndrime dhe interpretime me të cilat vendoset në pikëpyetje funksionimi i shtetit juridik dhe veprimi i gjyqësorit si pushtet i pavarur në Republikën e Maqedonisë– si dhe vlerësime politike nga ana e përfaqësuesve të lartë politikë – nuk kontribuojnë në kultivimin e marërdhënieve konstruktive, pozitive, miqësore dhe ndërfqinjësore. Deklaratat e tilla mund të interpretohen si përzierje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në drejtim forcimit të besimit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme maqedonase e cila vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se faji për protestat e shqiptarëve në Shkup qëndron te mosimplemenetimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Në të njëjtën komunikatë thuhet se ambasadorit të Republikës së Kosovës i është dorëzuar notë proteste me të cilën ashpër dënohet siç thuhet, akti vandal, ndezja e flamurit maqedonas para Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, me të cilin akt ofendohet thellë dinjiteti i Republikës së Maqedonisë.

“Poashtu është shprehur edhe pritje se organet kompetente të Republikës së Kosovës do të ndërmarrin urgjentisht masa adekuate për gjetjen dhe dënimin e autorëve”, thuhet në fund të komunikatës.

Lajme të ngjashme

Back to top button