Vidhen pajisje me vlerë 36 milionë dollarë në një fabrikë të Samsung-ut në Brazil

Një grup me rreth 20 burra të armatosur me armë automatike bastisën një fabrikë të Samsung-ut në Brazil. Hajdutët hynë në fabrikë të maskuar si punonjësit e turnit të natës, dhe arritën të ngarkonin në 7 kamionë një numër të madh telefonash inteligjentë, tabletë dhe kompjuterë që kapin shifrën e 36 milionë dollarëve.

Thuhet se grabitja është bërë para syve të 200 punonjësve, shumica e të cilëve kanë vazhduar të punojnë ndërkohë që po bëhej grabitja. Disa nga punonjësit, të cilët dolën kundër grabitësve, u mbajtën peng dhe shumë prej tyre u detyruan të hiqnin bateritë e telefonave në mënyrë që të mos kërkonin ndihmë. Fatmirësisht, asnjë nga punonjësit nuk u lëndua gjatë grabitjes.

Autoritetet braziliane po shqyrtojnë krimin. Ata mendojnë që organizuesit e grabitjes duhet të kenë lidhje me kompaninë, meqë ata e njihnin shumë mirë ambientin dhe e dinin se ku ishin pajisjet më të çmueshme. Samsung në një njoftim për shtyp deklaroi:

“Jemi shumë të shqetësuar në lidhje me incidentin. Fatmirësisht, asnjë nga punonjësit nuk u lëndua. Ne po bashkëpunojmë me forcat policore për të kapur grabitësit, dhe do të bëjmë të pamundurën që kjo ngjarje të mos përsëritet më.”

Lajme të ngjashme

Back to top button