fbpx

Ish Ambasadori Sami Ibrahimi: nuk respektohen kriteret për ambasadorët

Ish Ambasadori i Maqedonisë në Danimarkë, Prof. Dr. Sami Ibrahimi, rrëfen për Portalb përvojën e tij në diplomaci. Njohjen dhe raportet e mrekullueshme të tij me mbretëreshën e Danimarkës, Margarethe dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen. Mungesën e përkrahjes së shtetit, për ambasadorët shqiptarë që e përfaqësojnë Maqedoninë në vende të ndryshme të botës. Përzgjedhjen pa kriter të ambasadorëve, të cilët nuk i plotësojnë kushtet që duhet të plotësojë një ambasador. Nevojën që subjekti politik shqiptar ta shqyrtojë pozitën e diplomatëve shqiptarë, në mënyrë që ata të përfaqësojnë denjësisht vendin, por edhe shqiptarët etj.

Deklarimi i ish ambasadorit vjen në kohën, kur në proces është përzgjedhja e 18 ambasadorëve  dhe tre konsujve të përgjithshëm, për çka është shpallur një konkurs, në të cilin thuhet se kanë konkurruar mbi 700 kandidatë. Për më tepër në rrethana, kur ky proces po kontestohet nga një pjesë e opinionit publik, me pretendimin se ambasadorë të veçantë emërohen në këtë detyrë falë kontributit të tyre partiakë dhe jo cilësive të kërkuara në diplomaci.

Sami Ibrahimi , ish ambasador i Maqedonisë në Danimarkë për katër vjet dhe dy vjet sekretar në Ministrinë e Punëve të jashtme, nuk e mohon praktikën e emërimit të ambasadorëve sipas kriterit partiak, duke evidentuar edhe faktin që rol në emërimin e kandidatëve ka gjithsesi edhe presidenti. Megjithatë ai thekson se kandidati për ambasador duhet t’i plotësojë disa kritere, të cilat për të janë të vlefshme, por të cilat sipas tij, fatkeqësisht nuk po respektohen.

PORTALB: Cilat janë kriteret që duhet t’i plotësojë një kandidat për ambasador, zoti  Ibrahimi?

Ambasadori duhet të jetë një njeri me kulturë të gjerë dhe të përgjithshme dhe para së gjithash duhet të njohë gjuhën angleze, dhe nëse  është e mundur edhe gjuhën frënge, sepse këto dy gjuhë janë gjuhë zyrtare të diplomacisë. Do të ishte shumë mirë që ambasadori të njihte edhe gjuhën e vendit ku do të shërbejë. Kandidati duhet të shkruajë një tezë me shkrim, apo punim seminarik, të sinqertë dhe shumë serioz, pra një lloj gjysmë magjistrature, apo magjistraturë, mbi 20 faqe. Kjo quhet teza diplomatike , e cila duhet të mbrohet para një komisioni të Ministrisë së Punëve të jashtme. Këtyre viteve të fundit , me sa di unë, teza mbrohet edhe para Komisionit për Politike të jashtme të parlamentit.

PORTALB: Por, a vlerësohen këto parime, kur bëhet përzgjedhja  e ambasadorëve këtu tek ne?

Në kohën time, tre profesorë universitarë ranë nga provimi, kur duhej të mbronin tezën diplomatike, sepse nuk është puna të kesh njohuri mbi fizikën ose kiminë, për shembull,por sidomos duhet të dihet mjaftë për shtetin ku do të shërbesh, çka do të bësh për ato katër vite të shërbimit, çka do të prezantosh dhe si do t’i afrosh dy shtetet për të bashkëpunuar në sfera të ndryshme etj. Por për fat të keq këto kritere nuk po respektohen, ambasador shkon njeriu që nuk dinë as gjuhën. angleze, as atë frënge.

PORTALB: Cili është vlerësimi juaj për kuadrot shqiptarë të cilët janë të angazhuar dhe po angazhohen në diplomaci?

Shqiptarët në të kaluarën mbase nuk kanë patur ndonjë kuadër, por tash kanë mjaft kuadro të cilët fatkeqësisht sillen korridoreve të Ministrisë së jashtme. Atyre nuk u jepet rasti të shkojnë ambasador. Kemi mjaft magjistra, në mesin e të cilëve edhe studentë të mi, pra pikërisht magjistra të diplomacisë që sillen korridoreve të Ministrisë së jashtme.

PORTALB: Po, a janë të përfaqësuar shqiptarët sa duhet në diplomacinë  e  Maqedonisë?

Shqiptarët nuk përfaqësohen sa duhet, por edhe nëse shkojnë, shteti nuk interesohet shumë për ta. Për shembull mua për katër vite , për  8 mijë shqiptarë sa jetojnë në Kopenhagë, nuk m’u dha as  një laps, libër apo fletore. Nuk u ndihmova të mbaj as  një manifestim më të vogël.

PORTALB: Ambasadorët shqiptarë edhe sot trajtohen në atë mënyrë?

 Ja një shembull, derisa ishte Jordan Plevnesh në Paris, vetëm ambasada e Francës ishte gati çdo ditë në lajme, me aktivitetet e saj. Tash sa vite, mbase katër vite, është Agron Buxhaku atje, dhe kjo ambasadë as nuk përmendet, ndërsa mua ma merr mendja se Buxhaku, ka çka ofron. Ai është njohës shumë i mirë i frëngjishtes, por nuk përmendet shumë. Edhe   Muhamet Halili më herët ishte ambasador në një vend kyç në Bruksel,  për më tepër ishte edhe ambasador dy palësh, dhe pothuajse kurrë nuk është përmendur.

PORTALB: Çka duhet bërë sipas jush që situata të ndryshojë në këtë drejtim?

 Të marrë edhe një shembull. Në Unionin Evropian shkoi profesor Blerim Reka, një diplomat i mrekullueshëm dhe merreni me mend, i dërguan një si përforcim. Profesor Blerim Reka i mbante në xhep të vogël, ata njerëz që i dërguan atje. Pra, kjo nuk është politikë e pastër. Diplomatët shqiptarë duhet të mblidhen dhe të konsultohen dhe pse jo edhe me partinë politike shqiptare, në mënyrë që aty ku munden, ta përfaqësojnë vendin, por edhe popullin shqiptar me dinjitet. Unë përshembull edhe me mbretëreshën, por edhe me Rasmussenin, që sot është sekretar i përgjithshëm i NATO-s, kam patur kontakte të mrekullueshme. /Portalb

    

Lajme të ngjashme

Back to top button