Pse mungon besimi ndaj Gjyqësorit?

Ditëve të fundit Shkupi u ngjan qyteteve, të cilat kanë konflikte të brendshme etnike. Protesta, përplasje mes protestuesve dhe policisë, dhunë, tensione, të gjitha këto vërehen në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë, si pasojë e vendimit gjyqësor për dënimin e 6 qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare me burg të përjetshëm. Ato janë shpallë fajtorë për vrasjen e 5 të rinjëve të përkatësisë etnike maqedonase para dy viteve, në vendin e quajtur Liqeni i Smilkovës në Shkup.

Njohës të rrethanave te shqiptarët thonë se protestat nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e krimit, por me gjykimin jotransparent dhe jokredibil.

Besimi i humbur në gjykatat

Një ndër organizatat joqeveritare që ka mbështetur protestat është Shoqata Kulturore e Shqiptarëve në Maqedonisë (SHKSHM). Kryetari i saj, Daim Hiseni thotë për Inbox7 se shqiptarët në sistemin e kaluar komunist gjithmonë kanë pësuar nga vendimet politike të Komitetit Qendror (KQ), ndërsa tani nga dënimet në bazë të vendimeve politike. “Tranzicioni në Maqedoni palën maqedonase e gjeti të përafërt edhe juridikisht me Serbinë. Kushtetuta e parë e Maqedonisë ishte e papranuar për ne ngase shqiptarët ishin lënë në haresë dhe trajtoheshin qytetarë të dorës së dytë. Pabarazia qytetare, diskriminimi , pozita e inferiorit ndër dekada është rezultat i humbjes së besimit ndaj ligjit. Mungesa e pjesëmarrjes në institucionet e sistemit ka ndikuar që gjykatat tu hakmerren shqiptarëve dhe të mos jenë të barabartë ndaj qytetarëve të saj. Ligji e gjyqi në Maqedoni për disa janë nënë e për disa njerkë”, u shpreh Hiseni.

Raporti i Avokatit të Popullit

Raporti i fundit i Avokatit të Popullit për vitin 2013, tregon se qytetarët më së shumti janë ankuar nga gjyqësori. Nga 4599 parashtresa, 732 kanë të bëjnë me problemet në gjyqësi. Përqindja më e madh e personave që janë ankuar ndaj gjykatave janë të përkatësisë etnike maqedonase, ndërsa më pas vijojnë shqiptarët.

Zeqirja Ibrahimi është kolumnist në gazetën Koha dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) vlerëson për Inbox7 se gjyqësori në Maqedoni disa herë ka pasur rastin ta dëshmojë veten se nuk gjykon me parime etnike dhe se i shërben vetëm drejtësisë, por këtë kurrë nuk e ka dëshmuar. “A thua ishte rastësi që në të gjitha rastet kur në tavolinën e të gjykuarit ishin shqiptarët, siç ishte rasti i Sopotit dhe ky i fundit me Monstrën, gjithnjë prokurori dhe gjykatësi janë maqedonas?! Madje edhe akuza e ngritur nga prokurorja në rastin Monstra, më pretendime për terrorizëm islamik, duke përdorë argumente që as logjikisht nuk pranohen e jo më juridikisht –vetëm për arsye se vrasja ka ndodhur në prag të Pashkëve ose pse i kanë gjetur ca këngë fetare në telefonat e tyre, ishte një tregues se sikur shtetit detyrimisht i duhej një strukturë terroriste shqiptare në Maqedoni. A do të kishim mundur ta imagjinojmë si do të ishte epilogu nëse prokurori ose gjykatësi i rastit do të ishte jomaqedonas?!”, tha Ibrahimi.

Ndërsa Bardhyl Zaimi, opinionit mendon se ka kohë që gjyqësia në Maqedoni ka humbur kredibilitetin profesional. Sipas tij edhe pse në dukje promovohet një gjyqësi e pavarur, në esencë ajo nuk mund të dalë nga kthetrat e politikës, prandaj shqiptarët, fatkeqësisht, kanë qenë pre e vazhdueshme e një gjyqësie të kontrolluar nga politika dhe për këtë arsye mosbesimi i tyre ndaj gjykatave është në rritje. “Sa për ilustrim, mijëra lëndë të lloj llojshme qëndrojnë në sirtarët e gjykatave, të cilat me vite zhagiten, degjenerohen dhe devijohen në teke të protagonistëve të gjyqësisë. Me një fjalë kemi një gjyqësi të degjeneruar dhe të kontrolluar. Në njërën anë kemi logjikën kafkiane të gjyqësisë shterpe, ndërsa në anën tjetër kemi instrumentalizimin politik të gjyqësisë”, theksoi Zaimi për Inbox7. Opinionisti Zaimivlerëson se rasti “Montsra”, i mbyllur pa fakte bindëse, është shembull tipik i instrumentalizimit të gjyqësisë në funksion të politikës.

Mosbesimi ndaj gjyqësorit, etnik apo qytetar?

Sipas Hisenit“Monstra” është përsëritje të skenarëve të ngjashëm të cilat flasin për politizimin e gjyqësorit. “Në rastin dëshmitarët tregojnë se vrasësit ishin policë me uniforma dhe flisnin serbisht. Por për t’i fshehur gjurmët e veta, fajtor kujdestar si gjithmonë duhet të jetë shqiptari. Deri sa Maqedonia me Kushtetutë nuk bëhet shtet i barabartë për qytetarët e saj, ne nuk mund t’i besojmë ligjit të këtij shteti”, theksoi Hiseni.

Ndërkohë Zeqirja Ibrahimikolumist thotë se mosbesimi ndaj gjyqësorit është më shumë mosbesim etnik sesa qytetar. “Thjesht kemi gjyqësor në duar të maqedonasve që i gjykon të tjerët nga parimi i mbrojtjes së shtetit njëetnik. Ndërsa aty ku kemi ndonjë shqiptar, ai është njësoj si Fatmir Besimi e Talat Xhaferi që ishin ministra të resorëve të integrimeve euro-atlantike derisa Qeveria punonte kundër integrimit. Pra, edhe shqiptarët në gjyqësor mund të jenë persona që gjykojnë ndonjë kundërvajtje në komunikacion, por që nuk kanë kurrë dorë në veprat e rënda penale, veçmas kur gjykohen shqiptarët”, tha Ibrahimi.

Ndërsa opinionisti Zaimi për dallim nga Ibrahimi vlerëson se mosbesimi ndaj gjyqësorit në radhë të parë është qytetar, që më pas varësisht nga tjetërsimet politike merr edhe konotacione etnike. “Selektimi, fokusimi i sforcuar i rasteve ku janë të përfshirë shqiptarët vetvetishëm i jep edhe konotacione etnike. Në esencë gjykatat me vite kanë funksionuar njëanshëm ndaj shqiptarëve dhe kjo mund të dëshmohet me dhjetëra raste. Perceptimi i gjykatave të padrejta në radhë të parë është qytetar nga ana e shqiptarëve, por imponimi politik dhe duart e zgjatura të shtetit në gjyqësor për qëllime të politikës ditore dhe shtetërore më pas e kanë kontekstualizuar “drejtësinë” në suaza të etnicitetit”, komenton Zaimi.

Bashkëbiseduesit e Inbox7 janë për atë që të gjenden autorët e vrasjes së pesëfishtë dhe fajsia e tyre të dëshmohet dhe verifikohet përmes një procesi gjyqësor transparent. Në të kundërtën, ato thonë se “Monstra” mund të jetë e ngjashme me rastin “Vrreshtat e Rashtakut”, apo me rastin e “Sopotit”. Bëhet fjalë për rastin e vitit2003, që ndodhi në fshatin Sopot, kur një xhip i NATO-s duke kaluar nëpër këtë fshat për të shkuar në fshatin Sushevë ka hasur në një minë, ku humbën jetën 2 ushtarë të NATO-s dhe një përkthyes. Gjykata mori vendim që për këtë rast të fajësohen 13 banorë shqiptarë, ndërsa 8 vite më vonë u liruan si të pafajshëm.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button