PROTESTO SHLIRË!

Dëshmirarë ishim kësaj jave të stresit të madh që pësuan rrugët e Shkupit nga protestat e fuqishme që u zhvilluan të premten e kaluar, dhe që vazhduan edhe ditët në vijim. Është e lehtë për një kolumnist të gjejë tematikë dhe të shkruajë në raste të këtilla. Sidomos kur ngjarjet dhe deklaratat që pasojnë këto protesta janë aq motivuese për të shfryrë mllefin dhe për të sharë. Por, me gjithë mllefin dhe hidhërimin që ndjej brenda vetes, nuk dua të të mllefos ty, lexues.

Pse e ndjej këtë mllef, këtë hidhërim? Këtë dëshirë për të protestuar? Ka disa arsye të cilat do t’i shpalos më poshtë, ngadalë ngadalë ashtu si ju pëlqen liderëve tanë.

Si të mos ndjehesh I mllefosur kur e sheh që edhe aty ku ligji duhet të jetë I ndarë nga emocioni, para ligjit e gjyqit, shteti “ta fut nga pas”. Nuk dua të hyj e të gjykoj fajësinë apo pafajësinë e këtyre personave që u dënuan me burgim të përjetshëm vetëm në bazë të dyshimit. Në secilin vend ku sundon ligji dhe mekanizmat mbrojtës të ligjit, për të dënuar dikë me burgim të përjetshëm do të ishin dashur të shpaloseshin fakte të pamohueshme për të vërtetësuar akuzën. Besimi im është se kjo rekuizitë nuk u plotësua në këtë gjykim. Por ajo që idhnon më së shumti është etiketimi I vrasjeve si vrasje të kryera për motive fetare. Në një shkrim të mëparshëm kam theksuar se ky veprim nga ana e shtetit, për të lidhur këto vrasje me terrorizëm dhe radikalizëm islamik është shumë I rrezikshëm në perceptimin e Maqedonisë në botën e jashtme si vend ku dominojnë forca të tilla të padëshirueshme. Sikur kisha frikë që vendimi I gjykatës do të jetë politik vetëm për të portretizuar faktorin shqiptar në Maqedoni si faktor destabilizues, radikal islamik dhe të pakontrollueshëm.

Kërbaçin që e hëngrën ata të rinj që protestuan plot mllef atë të premte, veçse e përlyen reagimet e dobëta të faktorit politik në Maqedoni dhe reagimet e vonuara të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Kur ndjehesh nën trysni nga një fuqi më e madhe, pa mbështetje nga miqtë e tu është e kuptueshme që të reagosh në formë agresive. Thirrja e Ramës për intervenim të ndërkombëtarëve për të ndikuar në qetësimin e situatës, më duket e mirë por jo e logjikshme. Këtë e them sepse veprimi duhet të vijë nga brenda, e jo nga jashtë. Faktori ndërkombëtar nuk është I dëshirueshëm për një pjesë të madhe të opinionit publik dhe fuqive politike në vend, sepse shihen me syrin e dyshimtë se mbrojnë interesat e më të vegjëlve. Si I tillë nuk mendoj që ka kredibilitet të mjaftueshëm për të luajtur rolin e zgjedhësit të konfliktit. Por sidoqoftë mund të shihet në të si një element I cili mund të ushtrojë presione të ndryshme politike dhe ekonomike për të vënë mbi shina politikën e këtij vendi, që duket sikur moti e ka humbur pusullën.

Protestat e të premtes dhe të ditëve që pasuan nëpër gjithë qytetet e Maqedonisë nuk u bënë shkaku I një vendimi gjyqësor. Janë pasojë e një pakënaqësie të përgjithshme e të akumuluar të një etniteti të tërë në një vend. Pakënaqësi e cila një kohë të gjatë është lënë e patrajtuar dhe e margjinalizuar, si nga faktorët e brendshëm politikë, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Shpeshherë kemi kushtruar që çështja e emrit është problemi më banal me të cilin ballafaqohet në përditshmëri vendi. Problemet nuk mund të zgjidhen me anëtarësim në NATO apo në BE. Problemet janë më të thella, që tangojnë çështje sociale të diskriminit dhe margjinalizimin të shqiptarëve; problemet janë ekonomike të shfaqura në formën e skamjes, varfërisë, papunësisë. Problemet janë gjithandej rreth nesh. Më shqetësuese është indiferenca e të zgjedhurve tanë për t’u ballafaquar me këto probleme. Një popull të cilit I thuhet që duhet të jetojë në gënjeshtër, të harrojë problemet e veta të përditshme të mbijetesës, në rastin e parë do të pëlcasë kështu si pëlciti këto ditë.

Në vazhdë të kësaj, reagimet e partisë shqiptare në pushtet ishin të mjegullta. Me qetësinë e tyre të zakonshme prej “zen masterave” na treguan që megjithëse e dijnë që jemi keq, të paktën jemi më mirë se dje. Të paktën mund të protestojmë lirshëm. Dajakun do ta hamë sidoqoftë, por të paktën protestojmë. Ç’është më e rëndësishmja, falë tyre, ne sot mund të protestojmë edhe shqip. Kjo të acarron akoma më shumë në fakt! Të paktën mua. Ndërkaq opozita e ndërlidhur në leshin e vet të patjerrur nuk ndjen përgjegjësi sepse vota është ndarë për partinë tjetër. Kuptohet ata nuk kanë fuqinë e duhur politike për të ndikuar.

Atëherë ku të drejtohemi? Ku të drejtohemi për drejtësi? Nëse shteti është kthyer kundër nesh kahmoti dhe ka shpallur luftë të hapur, dhe të zgjedhurit me vota për të mbrojtur të drejtat tona na shohin me indiferencë të plotë, në cilën anë mbetet të shohim?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button