Gjer në gjunjëzimin e Gruevskit

Serish realiteti handikap i organizimit politik shqiptar tregon dozë goxha të madhe të deficitit moral. Fakt është se morali është një kandar që mat vetpërgjëgjsinë, vet-kontrollin dhe flijimin e çdokujt për vlera të përgjithshme. Morali i lartë është mbi epshet materiale e shpirtërore, kurse ai i dobëti bie pre i tyre. Çfarë (a)morali duhet të jetë ky që vite me radhë na ka detyruar t’i nënshtrohemi një Sanço Pançojë antik që gjithë kohën na detyron të luftojmë me mullinjtë me erë, ndërkohë ata që fituan votat tona u zhduken bashkë me erën. Kurse ata të opozitës si zakonisht shkojnë andej kah frynë era.

Askush nuk mund të na kupton se përse iu dha aq shumë komoditet një Gruevski me fuqi lilipute që të na tallë e nëncmoj popullatën?! Në emër të çfarë pragme politike u bë e gjithë kjo? Përse aq respekt ndaj ndjenjave nacionaliste maqedonase, të cilat Gruevski vazhdimisht i instrumentalizonte, madje edhe vet i provokonte, me qëllim të forcimit të pushtetin personal e partiak? Mund të durosh ndonjë retorikë përkëdhelëse ndaj nacionalizmit të huaj, por nëse ke përfituar diçka shumëfish më të vlefshme. Por, durim e respektim të një nacionalizmi të thjeshtë e primitiv pa asgjë si kundërvlerë, seriozisht paraqet çudi të re botërore. Çuditet çdokush që ka një gram njohurie mbi realitetet. Nga 13 investime të huaja të lobuara nga qeveria, asnjë në pjesën shqiptare! Por, çfarë e nëmur na paska gjetur që na i ka mbyllë sytë edhe atëherë kur duhej t’i kemi më të hapur; që na i ka mbyllur veshët edhe atëherë kur duhej t’i kemi shumë të çelur! Kush është ajo fuqi magjike që na detyron ta përqafojmë djallin e huaj e ta hudhim Zotin tonë? Nëse ndokush duhet të bëjë lajka, ai duhet të jetë vet Gruevski, poqese dëshiron të ketë shtet. Ashtu siç përkëdhel pesë për qind Serbë udhëheqsia kosovare. Te ne bëhet e kundërta. Ne sikur duam t’ua shpëtojmë shtetin atyre që vet s’e duan!

E kuptoj Gruevskin se ka nevojë të konsumon nacionalizëm. Shumë kriminal dhe ai duhet maskuar. Por, pse ne jemi ata që me aq shumë mazohizëm duhet t’ia respektojmë këtë nacionalizëm? Sikur kemi talent mbi-mesatar që ta durojmë ate që s’ka durim. Pushteti nxiste grupe të rinjve që të sulmojnë Shqiptarë nëpër rrugë, në autobusë, madje edhe nëpër shtëpi private (Nerezi), me qëllim të mbushjes së baterive politike me energji nacionaliste, që do t’i shërbente për mjegullim të realitetit të kriminalizuar dhe vjedhjes në përmasa astronomike. Aty vidhen edhe paratë tona. Madje Shqiptarët rreth dy miliard euro në vit i sjellin këtij shteti. Instituti amerikan me emrin “Adriatik” i specializuar për çështje të parave të zeza, konstaton se këto dhjetë vite nga Maqedonia janë transferuar rreth 4,6 miliard dollar. Kjo është arsyeja e instalimit të nacionalizmit institucional. Kush i nxiste Komitët që në çdo lojë të bërtasin “kletite shiptari”? Kurse ne heshtnim sikur kemi faj. Kryetari i shtetit përcjellte lojën e hendbollistëve maqedonas në Beograd, kur masa bërtiste “kletite shiptari”. Ai aspak “nuk i kishte dëgjuar”! Miliona njerëz i dëgjonin pos Ivanovit, Gruevskit dhe Jankullovskës. Kanë veshë te vegjël për nacionalizmin e vet, por shumë të mëdhenj për të huajin.

Tani “Monstra”, qëllimi i së cilës është serish mjegullimi i gjendjes në vend. Gjer kur kështu? Tani shumë sigurt shkojmë drejtë një konflikti të ri, jo vetëm për shkak të humbjes së besimit në gjyqësi, por edhe për shkak të shumë defekteve serioze në shtet, ku pjesë të madhe të përgjegjësisë kemi edhe vet. Popullata shumë vonë u zgjua, por falë Zotit u zgjua. “Monstra “ është vetëm si një shkas. Shkaqet janë shumë të thella dhe dhimbëse. Këso mjerimi popullatës nuk ka mund t’i shkaktoj as ndonjë pushtet okupues. Popullata e kuptoj se ajo është e varfër pasi udhëheqësit duheshe të bëhen të pasur. E kuptoj se nuk duhet besuar fjalëve të madha, por punëve qofshin edhe të vogla. Kuptoj se dikën ndërgjegjja nuk kafshon, pasi atë as që e ka.

Zgjidhje nuk mund të ketë pa ndryshime radikale. Sa më shpejtë të kuptohet kjo formulë aq më mirë për të gjithë. Çdo zvarritje do ta thellon hendekun dhe do ta na e vështirëson zgjidhjen. Hapi i parë duhet të jetë dorëheqja e Gruevskit dhe përcaktimi i një premieri të ri nga VMRO si parti fituese. Pastaj të hapen të gjitha çështjet. Gruevski, as që ka vullnet e as kapacitet që të bëjë ndryshe nga ajo që ka bërë tani tetë vite. Me Gruevskin protestat kanë shanse të mëdha të përfundojnë me konflikt. Pjesa shqiptare po ashtu duhet të lirohet nga ata që dekandën e fundit u janë ngjitë foteljet për prapanice, përndryshe të talentuar vetëm për punë të zeza. Nëse këtë nuk duan ta kuptojnë edhe vet do të përfundojnë në banka të zeza. Dilema – paqe apo konflikt serish troket në derë. Nga ne varet se a do t’ia hapim derën djallit apo Zotit.

Lajme të ngjashme

Back to top button