Xhes Bejli nominohet ambasador i ri i SHBA-së në Maqedoni

Xhes L. Bejli është nominuar nga ana e presidentit amerikan, Barak Obama ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë.

Vendimin e kumtoi sot në Shtëpinë e Bardhë presidenti Obama bashkë me nominimet e personave të tjerë për pozita të larta në administratën amerikane.

Xhes L, Bejli është diplomat me karrierë në Departamentin shtetëror. Në Shkup vjen nga pozita zëvendës shef i misionit të SHBA-së në Ankara të Turqisë, funksion të cilin e ka kryer në vitin 2011.

Në biografinë e pasur të Bejlit theksohet se ka qenë drejtor i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin shtetëror, si dhe drejtor i Zyrës për çështje politike me KB-në. Ndër të tjerash, Bejli e ka kryer edhe detyrën drejtor i Qendrës për raportues të huaj në Uashington, si dhe këshilltar për çështje publike në Ambasadën e SHBA-së në Hagë të Holandës. Ai ka shërbyer edhe në ambasadat e SHBA-së në Dakar, Senegal dhe në Dakë, Bangladesh.

Bejli ka diplomuar në Universitetin Jeil, ndërsa e ka marrë titullin e magjistraturës në  universitetin e Kolumbisë. Bejli vjen në pozitën e ambasadorit aktual Pol volers, i cili në Maqedoni pozitën e ambasadorit e kryen nga viti 2011.

Lajme të ngjashme

Back to top button