Banka Botërore jep mbi 7 milionë euro për zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri

Banka Botërore ka miratuar një financim prej 7.3 milionë eurosh nga IBRD-ja për Projektin e Shërbimeve Mjedisore në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë fermerë, shoqata të pyjeve, grupe dhe individë në 310 komuna rurale dhe në 2980 fshatra të vendit.

Bëhet me dije se kostoja totale e projektit është 16.8 milionë euro dhe financohet edhe nga një Fond Besimi prej 7.3 milionë eurosh nga qeveria suedeze dhe një Fond Besimi prej 2.2 milionë eurosh nga Global Environmental Facility (GEF).

Objektivi i zhvillimit të projektit është që të mbështesë menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe të rrisë të ardhurat e komuniteteve në zonat e larta rurale të prirura për të pasur erozion. Ai kërkon të krijojë mundësi për mënyra alternative të sigurimit të jetesës dhe të kontribuojë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të produkteve të pyjeve dhe të kullotave.

Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed tha se reduktimi i varfërisë rurale dhe zhvillimi i burimeve natyrore, sidomos i burimeve pyjore është një prioritet i rëndësishëm i qeverisë.

“Sektori shqiptar i pyjeve ka një potencial shumë të madh për të mbështetur rritjen ekonomike kombëtare, punësimin në zonat rurale dhe ruajtjen e mjedisit”, tha ndër të tjera Sayed.

Ndërhyrjet e projektit do të promovojnë qëndrueshmërinë financiare, ekonomike dhe institucionale të përdorimit të tokës dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Ato do të ndihmojnë gjithashtu që të ndërtohen kapacitetet e fermerëve shqiptarë, të organizatave të komunitetit dhe të institucioneve qendrore dhe të pushtetit vendor për të përdorur me efikasitet financimet e BE-së. Do të krijohen mundësi të barabarta që gratë dhe grupet e cenueshme të marrin pjesë në shërbimet mjedisore.

Projekti do të kontribuojë gjithashtu, në ruajtjen e burimeve ujore dhe në qëndrueshmërinë e menaxhimit të burimeve ujore duke pakësuar sedimentet në lumenj dhe diga si pasojë e degradimit të tokës.

Më shumë se një milion njerëz pritet që të përfitojnë në mënyrë indirekte nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimit të përmbytjeve.

Drita Dade, Specialiste e Lartë e Bankës Botërore për Menaxhimin e Burimeve Natyrore dhe Drejtuese e Projektit tha se ky projekt mbështetet mbi përvojën e fituar nga Banka Botërore, ku projektet e mëparshme kanë kontribuar ne mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e pyjeve të komunitetit dhe sekuestrimin e karbonit.

“E reja e këtij projekti qëndron në krijimin e një sistemi informacioni për menaxhimin e pyjeve dhe futjen e skemave konkurruese te granteve për të përmirësuar menaxhimin e përdorimit të tokës dhe për t’u dhënë komuniteteve mundësi alternative për sigurimin e jetesës”, u shpreh Dade.

Që kur Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1992, vendit ka përfituar prej 82 projekteve me vlerë totale prej më shumë se 1.8 miliardë dollarësh kredi dhe grantesh nga IDA-ja dhe IBRD-ja./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Do te besoja per suksesin e projektit ne fjale ne se ne krye te menaxhimit te tij nuk do vazhdojne te jene personat e projeteve pararendes por te tjere persona te cilet jane kompetente nga ana profesionale dhe, mbi gjithçka, kane ndergjegje te sprovuar e te njohur nga komunitetet e vendit tone. Keta jane ekspertet e fushes te cilet tashme jane te njohur jo vetem nga nje pjese e donatoreve me te cilet kane punuar por edhe nga perfituesit e granteve (komunitetet e zonave malore te cilet jane mbeshtetur me projekte gjate ketyre dy dekadave te shkuara).

  2. Deshiroj te di : Kur do te shperndahet vlera e investimit per NJQV , kur do te hartohen projektet , kur do te fillojne investimet ? Deshiroj te kontriboj si drejtues teknik ne keto investime pasi kam 40 vite eksperience ne fushen e pyjeve dhe itajnuar sistematikisht ne Sherbimin e EKST , Pyjor dhe pyjeve komunale , me 6 certifikata trajnimi , i fundit me 13 dhjetor 2013, kam udhehequr investimet me PZHBN ne komunat e rrethit Peqin nga viti 2008 -2011 .Me kjontaktoni ne nr, tel 068 68 59 331..pasi jam dhe i papune nga 13 janari 2014 e ne vashdim. Me konsiderate Ing. Shyqyri Deliu Peqin

Back to top button