Policia e Kosovës nuk do të tolerojë armëmbajtje pa leje

Mbi 700 armë të vogla e të lehta që janë përdorur edhe për çështje kriminale e festive, e që u konfiskuan nga Policia e Kosovës gjatë veprimeve operacionale të tyre, u shkatërruan sot në Ditën Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve.

Gjatë ceremonisë së shkatërrimit të tyre u tha, se armët të cilat mbahen pa leje e që përdorën gjatë manifestimeve të ndryshme festive janë të rrezikshme andaj nga Policia e Kosovës nuk do të ketë tolerime në veprime të tilla.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që mos të mbajnë armë pa leje, e për më tepër, mos të përdorin armë në festa, pasi që sipas tij, në shumë raste, janë qytetarët e pafajshëm ata që po pësojnë.

Ai vlerësoi se Policia e Kosovës po bënë një punë të mirë, ku tha se pothuajse çdo vit konfiskohen më së paku 1500 armë të vogla e të lehta.

Rexhepi përsëriti që në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që armët të mbahen ilegalisht dhe u zotua se PK-ja nuk do të bëjë lëshime në konfiskimin e armëve për ata që gjuajnë në festa.

E edhe mbështetësit e këtij aksioni ishin pjesë e kësaj ceremonie. Përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara dhe zyrës së Bashkimit Evropian, Steliana Nedera dhe Christof Stok, të cilët Ditën Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve e cilësuan si shumë të veçantë që sipas tyre është një përkujtim për të gjithë botën se sa rrezik shkaktojnë armët ilegale.

Ata mendojnë se shkatërrimi i armëve pa leje është i domosdoshme, andaj siç thanë ata, aksione të tilla po ndodhin në të gjithë regjionin.

Për qetësi dhe siguri të jetës së qytetarëve bëri thirrje edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha. Sipas tij, qytetarëve nuk iu duhet brutaliteti i armëve.

Kështu, aksioni për shkatërrimin e armëve mbështet nga Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button