Vendi i trazuar nga protestat, Komiteti për marrëdhëniet etnike, larg formimit

Organi më kompetent i cili duhet të shqyrtojë dhe zgjidh  situatat e krizës në vend, sidomos ngjarjet e fundit pas protestave,  Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Etnike, as që ekziston.

Komiteti për marrëdhënie ndërmjet bashkësive nuk ka as edhe një vendim për formim. Ky komitet ka mbetur si trupi i vetëm parlamentarë pa anëtarë, pa nënkryetarë dhe pa kryetar. Sqarimet zyrtare të personave kompetent thonë se Komiteti do të formohet shumë shpejt, ndërsa nga burime partiake – gazeta KOHA, mëson se vonesat janë shkaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve brenda partive politike dhe për shkak të bojkotit të LSDM-së.
Zoran Iliovski, kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërim, që duhet të propozojë edhe listën e anëtarëve dhe drejtuesve të Komitetit që më pas e njëjta të miratohet në seancë plenare, thotë se grupet parlamentare janë duke zhvilluar këto ditë negociata të vazhdueshme për përbërjen e re. Ai premton se të mërkurën, Komisioni që drejton do të propozojë përbërjen e re të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, por nuk dihet se kur do të vihet ajo në rend dite për tu miratuar në seancë plenare. “Të mërkurën do të kemi seancë dhe si Komision do të japim propozim për formimin e përbërjes së re të Komitetit. Për anëtarët, nënkryetarin dhe kryetarin e Komitetit bisedohet këto ditë, ka komunikim dhe konsultime mes grupeve parlamentare dhe shpresojmë se të mërkurën do të jetë gjithçka gati që pastaj propozimi të shkojë në seancë plenare”, deklaroi Iliovski.

Por, një funksionarë i lartë i VMRO-DPMNE-së, njëherësh deputet i kësaj partie tha për gazetën KOHA se bojkoti i LSDM-së dhe prishja e balanit etnik në Komitet kanë qenë shkaku i vonesës së deritanishme. “Është biseduar lidhur për atë nëse duhet të formohet tani pa prezencën e opozitës ose jo, apo të presim opozitën kur të kthehet. Ka pasur propozime që të formohet Komiteti dhe vendet e opozitës të mbeten të zbrazëta, mirëpo janë paraqitur probleme lidhur me raportin e përfaqësimit të etniteteve dhe partive dhe dilema të ngjashme. Kam dëgjuar se së shpejti duhet të formohet ky Komitet, por kur do të ndodh kjo saktësisht askush nuk e di”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak se siç u shpreh ai, kjo punë nuk është në kompetencat e tij zyrtare. Përveç kësaj, ai nxori në pah edhe një mosmarrëveshje tjetër kësaj radhe mes partive shqiptare, BDI dhe PDSH lidhur me numrin e anëtarëve që i takojnë secilës parti në përbërjen e re.

“Nisur nga përbërja e re e forcave në Parlament, BDI mendon se tani PDSH duhet të ketë nj anëtarë më pak, ndërsa PDSH kërkon të ruajë atë përfaqësim ose të rrisë numrin e anëtarëve në Komitet”, tha zyrtari dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button