Shkupi vazhdon përgatitjet në Strugë

Klubi i Futbollit Shkupi me sukses ka përfunduar fazën e parë të përgatitjeve që e ka zhvilluar në stadiumin e vet në Çair, ndërsa tani nga dita e enjte do të shpërngulet për në qytetin e liqenit, Strugë ku do të vazhdojë dhe fazën e dytë të përgatitjeve, e që do ta shfrytëzoje edhe për të zhvilluar miqësoret e para.

Skuadra e udhëhequr nga kryeshefi Zekirija Ramadani gjatë kësaj periudhe sa kanë qenë në Shkup ka akumuluar forcë fizike dhe kanë punuar edhe në përdorimin e taktikës, ndërsa në fazën e dytë do të testohet ekipi në miqësore.

Pikërisht për këtë fazë ka folur edhe trajneri Ramadani, i cili nuk ka fshehur faktin se është shumë i kënaqur nga angazhimi i futbollistëve.

Zekirija Ramadani
Zekirija Ramadani

“Fillimisht do të them se futbollistët që i sollëm si përforcime shumë shpejt janë përshtatur në ambientin tonë, pasi që bëhet fjalë për lojtarë që kanë qenë të lidhur me ekipin tonë edhe më herët. Ne nga e enjtja ikim për Strugë, ku do të mundohemi të kemi katër ndeshje kontrolluese. Ndeshja e parë pritet të luhet kundër Karaormanit të Strugës me 11 korrik, pastaj do të kemi edhe ekipe nga Shqipëria, siç janë Partizani i Tiranës, Teuta e Durrësit, dhe Tirana që do të jenë në përgatitje po në këto vende, dhe shpresojmë edhe me këto ekipe të bëjmë nga një ndeshje kontrolluese”, ka theksuar Ramadani.

Skuadra e Shkupit pas përfundimit të përgatitjeve në Strugë do të ketë edhe tri javë deri në fillim të kampionatit, për çka Ramadani ka planifikuar që të zhvillojë së paku edhe tri ndeshje kontrolluese në Shkup.

Të përkujtojmë se Shkupi gjatë këtij afati kalimtar deri më tani radhët e veta i ka përforcuar me tre lojtarë, Goran Maznov, Dimitrija Llazarevski dhe së fundi ka angazhuar Fatmir Arifin. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button