SHKUPI– FOLEJA E DHIMBJES DHE KRENARISË

Ngjarjet e fundit që po ndodhin në Maqedoni, konkrretish në Shkup, dëshmojnë ngritjen e vetëdijësimit dhe zgjimit të shoqërisë në njërën anë, dhe moskujdesin dhe harresen institucionale në tjetrën anë. Pikërisht, kjo është ajo e vërteta që më shtyri të shkruaj mbi Shkupin dhe ‘kryeqytetin e tij’. Të rrëfej ashtu si duket në të vërtetë, e jo ashtu si duan ta shohin. Ky edhe është problemi i çdo subjekti politik, të cilët me poezitë e tyre të zbukuruara në platformat e tyre zgjedhore arrijnë që gënjeshtrat e tyre ti paraqesin si të vërteta. Jo, sot, shoqëria u zgjua nga ëndrra të cilën u fut, sot shoqëria po e rikthen krenarinë e saj.

Protestat që po zhvillohen kundër procesit të montuar politik ‘Monstra’, po e vërtetojnë atë se, shqiptarët janë jetim politikisht. Në mungesë të zgjidhjeve të problemeve në formën institucionale, populli po tregon se punët mund të rregullohen edhe ndryshe. Po tregon se shqiptari është më i ngrituri dhe më i çmuari se tenderi dhe fotelja e ministrisë dhe parlamentit. Çpo thonë liderët tanë politik, çpo thonë? SHQIPTARËT PO HUMBIN NË KËTË MËNYRË. PO, PO HUMBIN, POR PO HUMBIN NGA JU. Çka na sollën këto dekadat e fundit? Sollën degradimin politik të shqiptarëve, sollën varfërinë te shqiptarët, sollën dhimbje te shqiptarët, sollën Sopotin te shqiptarët, sollën Brodecin te shqiptarët, sollët Radushën te shqiptarët, sollën “Monstën ” te shqiptarët, sollën getoizimin e shqiptarëve …

Dikur vend shembullor, sot vend i prapambetur. Mirëpo, dikur vend i dhimbjes dhe i harresës, sot vend i krenarisë dhe mburrjes. Shkupi me Çairin është vendi ku është ngritur, ngritet dhe do të ngritet zëri i qytetarit. Këtë po e dëshmon çdoherë kur kanë nevojë shqiptarët. Çairi këtë herë po ju thotë NDAL të pabesëve, të korruptuarve dhe gënjeshtarëve. Ku janë ato që thonin se Jankullovskës do ti duhet vizë për të hyrë në Çair? Në Çair vizë vendosën qytetarët, duke ia djegur vizën dhe fytyrën, e jo sikur ata që i lejuan foton e vizës tia vendosin në zemrën e Çairit.

Sot dhimbjet po marrin fund. E dini pse? Se tash populli nuk mban shpresë te pashpresët, por timonin e udhëheqjes po e drejton vetë. Po kupton se atyre që ua dhanë votën kishin qenë vetëm për vetura luksoze dhe objekte private. Po vjen pranvera në Shkup, po fryjnë erëra të freskëta në Çair, po vijnë trimat në Çair, po vijnë ata që do ta bëjnë ate që nuk mundën ta bëjnë këto. Po vijnë që tia largojnë dhimbjen shqiptarëve dhe ta kthejnë krenarinë e Çairit dhe Shkupit.

Sot , Tetova, Gostivari, Prishtina, Tirana,Prizreni, Stambolli, Bursa dhe shumë qytete tjera në botë janë Shkup, sot dhimbjen tonë e zbusin shqiptarët anembanë botës,  sot krenarinë tonë e shtojnë shqiptarët anembanë botës.Sot, Shkupi është kuq e zi në dhimbje, kuq e zi në krenari, kokëlartë me besim në Zot e Madh.

Lajme të ngjashme

Back to top button