Kufijtë e lirisë

Me lëkurë të bërë si dajre mbi mollëza, balli me rrudha të cilat kanë bërë disa hulli horizontale dhe një hulli vertikale si ndonjë përrua i thatë, sytë e mekur, të lodhur, buzët – shkrumb, rri pranë dritares dhe vështron qytetin e tij si po ndryshon me shpejtësi marramendëse. Dje, thotë vetë me vete, ky qytet ishte i tëri si një park ku vallëzonin fluturat më të bukura e ku këndonin vardonjtë, sot u ngjan varrezave me ato ndërtesat e shumta të betonit që ngrihen si kërpudha vend e pa vend me leje të Bajram beut, me përmendore që çojnë mesazhe agresive në të katër anët dhe me smog të paparë. Gjatë kohë rri aty në dritare, madje as vetë nuk i mban mend vitet që kur praktikisht fati e ka gozhduar aty dhe gjatë gjithë asaj kohe hesht, i përvuajtur, i përulur. Dhe, i dërmuar fizikisht. Po brenda tij  e ndjen flakën dhe dritën e krenarisë dhe të lirisë, të cilën shumica e njerëzve të qytetit të tij e kanë harruar. I shikon me pikëllim njerëzit vet si kthehen kah terri i huaj që vjen nga të gjitha anët, kah një terr që me forcë i mbush të gjitha këndet të cilat dikur kumbonin nga këngët të cilat fillojnë me vargun e famshëm “Moj e mira”.  Ai ia jep këngës “Moj e mira”… qetas. Po shpejt e ndal këngën sepse i duket sikur vaji gëlon brenda tij dhe nuk i lejon notat gazmore të dalin e të shpërndahen nga dritarja e tij. Pastaj e kthen kokën brenda dhomës dhe i vjen keq për gjithë atë hallakamë, për gjithë atë çrregulli, për gjithë atë kaos që e sheh para sysh.

Përsëri e kthen kokën jashtë kah pamënia e qytetit. Para vetes e ka lagjen e tij Gazë Babë që lëvaret nga rrëza e kodrës ku e ka shtëpinë Ai e deri poshtë te rruga kryesore THK. I duket se shtëpitë i ka mbuluar një mjegull e cila, ku ta dish pse, atij i duket si një sinonim i mjerimit. Nuk janë më trëndafilat e fëmijërisë së tij që e stolisnin lagjen. Nuk dëgjohet zëri gazmori i fëmijëve që dikur luanin sokakëve të lagjes. Gjithkund vetëm tym e mjegull, smog – përmes të cilit njerëzit e lagjes së mjerimit thithin plumb, sulfur dyoksid e sulfur monoksid. Nuk dëgjohet më kënga “Dy të mirat në atë mëhallë”, nuk dëgjohet kënga shqipe, po muzika serbe vazhdimisht dëgjohet nga lar, nga stadiumi i qytetit. E ndjen se nuk jeton më në ngrohtësinë e lagjes së tij të fëmijërisë, por se praktikisht jeton në një kuvend të një rendi të të gjorëve ku nuk depërton drita, ku është harruar kuptimi i lirisë ku praktikisht jeta zhvillohet nën kontrollin e fortë të shtetit, të këtij shteti që e konsideron veten se ka rënë nga Olimpi. I kaloi pastaj shiriti i kujtimit nëpër mend nga një ditë kur e kishin nxjerrë me karrocë nëpër qytet. I pa gjithë ato përmendore. Nuk iu duk ashtu si thoshin ata që thonë se janë vënë kot. Përkundrazi ato kishin simbolikë. Kishin edhe porosi. E kuptoi porosinë, e kuptoi edhe simbolikën që kishin qartësi më të madhe se ato e Mesjetës. Ishte një porosi dhe një simbolikë që kërkon përjetësi vetëm për maqedonasit dhe e cila do që të na hedhë neve jashtë realitetit dhe të ardhmes, jo si pjesëtarë të një feje, por si pjesëtarë të një kombi.

Sa do të kishte pasur dëshirë të ishte realizuar ëndrra e rilindësve që e dinin se qenia kombëtare jona është e rrezikuar. Kësaj qenieje i kërcënohen dhe e fajësojnë. Prej saj kërkojnë të heqë dorë, të ndjehet fajtore pse është shqiptare e pse s’është sllave, ortodokse. Kësaj qenieje i kërcënohen pse i mban anën botës perëndimore e vlerave të saj. Prandaj ata në vend të Zotit e kanë vendosur shtetin, si forcë supreme dhe e gjithëfuqishme. Nga kjo pozitë, pra nga pozita e forcës, shteti i vizaton kufijtë e asaj që e përkufizon si normale për veten, jo për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu. Ta merr mendja, mendonte ai, në këso situate ti je fajtor se nuk mund të biesh në ata binarë që të jepen si ofertë pa alternativë. Oferta e tyre e përjashton gjuhën tonë amtare, i përjashton vlerat tona kombëtare dhe është deri-diku tolerante ndaj fesë me qëllim që t’i nxisë aleatët tonë perëndimorë. Ndërhyn me flamuj jeshilë e me parulla në gjuhën arabe nëpër protesta me qëllim që të bëjë me gisht drejt nesh duke u thënë miqve tanë: ja kush janë ata!

Derisa rri ai në dritare monotoninë ia thyejnë dallëndyshet të cilat kanë bërë çerdhe në strehën e shtëpisë së vogël në Gazi Babë. Ato vallëzojnë para dritares së tij dhe këndojnë, veçanërisht në mëngjes, ku së bashku e nisin ditën dhe kur së bashku i falënderohen Perëndisë me këngë që u fali edhe një ditë të bukur. Pastaj ato shpërndahen për të gjetur ushqim për zogjtë e tyre të imtë, kurse Ai, përsëri mbetet vetëm. Krejt vetëm. E ndjen një peshë të madhe në shpirt për gjithë atë rrëmujë që kishte kaluar mbi shpinën e tij, sa shtizat ishin thyer mbi kurrizin e tij, sa djersën e kishte derdhur duke ndërtuar këtë vend. I dukej se nuk ka asfalt të cilit nuk ia kishte thithur helmin duke shpuar terrenin shkëmbor me atë aparatin e mallkuar që i thonë “revole”. Pamundësinë që të lëvizë e qan pikërisht nga dridhjet e tmerrshme të “revoles”, dridhje këto që do t’ia kenë shkatërruar nervat që lidhen me shtyllën kurrizore.

Pastaj e shikon orën. Koha e lajmeve. E rrotullon karrocën. E ndez televizorin. Lajmet fillojnë me deklarata. Funksionarët shqiptarë thonë diçka, diçka që demek nuk janë të kënaqur me gjyqësorin. A duan ta arsyetojnë pozitën që kanë në këtë shtet i cili i vizaton kufijtë e ngushtë të lirisë sonë e të vazhdojnë të rrinë në kolltukët e kotësisë, apo vetëm të na ngushëllojnë për atë që ndodhi gjatë protestave, nuk kuptohet. Nga ana tjetër, deklaratat e kryeministrit janë kërcënuese. Të prokurores janë luftënxitëse. Një funksionar i lartë i këtij shteti thotë se shteti “i tij” me “ata” ose pa “ata”, me NATO e pa NATO, do të jetojë. I ndërron televizionet në gjuhën maqedonase. Pret ndonjë fjalë të arsyes. Gjithkund paragjykime. Dhe, e sheh për të qindtën herë paragjykimet ndaj popullit shqiptar e bëjnë themelin e këtij shteti. Një shkrimtar të cilin e ngrenë në qiell na quan “aramii”, tjetri sa s’na shan.  E shfleton një gazetë maqedonase që ia sjell fqinji. Vetëm fyerje kundër nesh janë komentet e kolumnat e tyre. I kujtohet se i kanë treguar që nëpër faqe të ndryshme interneti na shajnë në mënyrën më të egër.

Ai u ndje i lodhur dhe i mërzitur. E ktheu karrocën dhe ngadalë iu afrua shtratit gjithmonë të shtruar. Ra ngadalë, por nuk e mori gjumi. Iu kujtua se e kishin përzënë nga puna sepse nuk e kanë konsideruar si “të vetin”. Ishte një dëbim klasik ky. Dhe derisa terri i shumëfishtë, edhe fizik po edhe metafizik bëhej më i dendur Atij në vend se t’i vinte gjumi, i silleshin gjithfarë mendimesh dëshpëruese. E zgjati dorën dhe nga komodina dhe e lëshoi tranzistorin e vjetër. E zuri një lajm: “Të premten, pas namazit të xhumasë – do të ketë protesta”!

“Eh”, bëri, “këtu nuk i kuptoj gjërat… Pse e përziejnë fenë me politikë… Kjo përzierje i çon ujë mullirit të pushtetit… Thuajse nuk gjendet një organizatë joqeveritare që mund të jetë organizator…  Çfarë dobie ka kështu që po veprojnë? Dalin kinse t’i shpëtojnë gjashtë veta të dënuar pa argumente dhe i çojnë në burg edhe gjashtëdhjetë veta djem të rinj”. Mendonte si ta gjejë dikë që t’ia thoshte mendimin e tij. Donte me shpirt t’i takojë kryetarët e partive politike e t’u thoshte, ta nxirrte tërë pelinin që ishte mbledhur në shpirtin e tij. Po kushëriri që i sillte ushqime, nuk erdhi, sepse e furnizonte dy a tri herë në javë. Pastaj një krim dyshimi nuk e la të flejë gjithë natën e lume.

Asaj nate e mori gjumi nja dy-tri herë nga pak. Fjeti pra copa-copa, si thonë. Dhe në ato pak minuta gjumi e pa ëndërr kryeministrin duke u bërë me gisht ambasadorëve drejt nesh e duke thënë: “E shihni flamurin jeshil? Ja kush janë këta! Aleatët tuaj! Ekstremistë islamikë”! Ai deshi ta thotë ndonjë fjalë, por zëri i ishte marrë. Me gjithë zorin që i dha të thoshte se ky shtet i ka themelet në paragjykime, nuk ia doli. Zëri i ishte shterur.

Me të dalë drita, ai përsëri ishte pranë dritares. Mundohej të shikonte, po nuk shihte dot gjë nga tymi që dilte nga bombat e gazit dhe lotsjellësve. Vetëm tha, sa për vete: Të mjerët këta djem trima që s’e kanë një prijës. Pastaj: Vallë çka kërkojnë njerëzit tanë në këtë qeveri ku s’i pyet kush për asgjë?   Pastaj i hodhi një sy lagjes së tij, e cila iu duk më e zymtë se çdoherë.. E fërkoi njëherë ballin, pastaj i fshiu lotët që i shkonin faqeve të rrudhura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button