Kompania që do ta bëjë gazifikimin e Shkupit do të zgjidhet në shtator

Deri në fund të javës do të dihet nëse kompanitë që janë të interesuara për gazifikimin e Shkupit i përmbushin kushtet nga thirrja e shtetit për partneritet publiko privat. Oferta kanë dorëzuar dy kompani dhe deri tani nuk zbulohen emrat e tyre. Përzgjedhja e kompanisë që do ta bëjë gazifikimin, me siguri do të duhej të përfundojë në shtator, transmeton Alsat.

‘Ka dy aplikime, prej dy kompanive. Në këtë moment janë në rrjedhë procedurat për evoluimin e tyre, me çka duhet të përcaktohet nëse parashtruesit i përmbushin kushtet për pjesëmarrje në tenderin. Pritet që e gjithë procedura të përfundojë për një kohë të shkurtër’, deklaroi Aleksandar Gjeorgiev, zëdhënës i Qeverisë.

Kontrata me kompaninë e përzgjedhur do të vendoset për periudhë prej 20 viteve. Në pesë vitet e para duhet të realizohen punët përgatitore dhe ndërtimi i pjesës më të madhe të rrjetit. Më pas pritet vazhdimi i ndërtimit me intensitet më të vogël, operim dhe zhvillim të rrjetit.

Pas përfundimit të këtij afati prej 20 viteve, i gjithë sistemi do të bartet në pronësi të shtetit. Partneri privat që do të përzgjidhet do të jetë i obliguar që secilit shfrytëzues të interesuar t’i mundësojë të paguajë taksë të lidhjes prej 1,25 euro për metër katror për hapësirë banesore ose 125 euro për 100 metra katrorë. Ndryshe, nga ana tjetër, në procedurë kuvendore hyri zgjidhja e re ligjore në pajtim me të cilën, të gjitha ndërtesat e reja që do të ndërtohen në të ardhmen doemos duhet të kenë lidhje për gaz.

‘Ndërtim i cili gjendet në kufi me përfshirjen e planifikuar në Planin e përgjithshëm urbanistik, duhet të jetë i projektuar dhe realizuar ashtu që të ketë lidhje me infrastrukturën gazsjellëse,“
shkruan në ndryshimet e Ligjit për ndërtim, të cilave deputetët duhet së shpejti t’u japin dritë jeshile. Dhe derisa në vend aktualizohet procesi i gazifikimit, ende nuk ka qëndrim konkret për çështjen e përfshirjes në projektin Përroi Jugor. Përkundër presionit nga Brukseli, një pjesë e vendeve evropiane shprehën optimizëm për realizimin e këtij projekti. Nga Qeveria e Maqedonisë, deri tani nuk dalin me qëndrim nëse do ta dëgjojnë BE-në ose do të përfshihen në projektin për të cilin momentalisht Rusia me të madhe lobon në gjithë rajonin.

Lajme të ngjashme

Back to top button